Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (50)

  • 25 April 2020 - 20:22
Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (50)

Gënjen. Kurrë nuk ke ditur si të gënjesh, edhe pse je e zonja në fshehjen e së vërtetës. Të duhet të ushtrosh ende. - Mjaft! - Atëherë më trego pse më thirre? - Më mungoje. - Pse atëherë e ndërpreve lidhjen? - Kisha frikë. - Nga çka? - Se nuk dëshiron të më dëgjoje, por edhe nëse doje të më dëgjoje... Nuk e di, kam frikë nga gjithçka, e më së shumti nga ajo që ndiej ndaj teje.

Ofshau dhe solli kokën dy-tri herë, sikur në atë mënyrë donte t’i largonte disa mendime të këqija nga koka. - Nuk mund të besoj se je këtu. Këtu je, afër meje, mund të ngrihem, të të rrëmbej, të të puth, të të zhvesh, të të çoj në shtrat. Mund të bëj gjithçka që gjatë këtyre muajve ëndërroja ta bëja. Por, edhe unë kam frikë. Nuk ke të drejtë që të hysh dhe të dalësh nga jeta e dikujt ashtu si të teket. Kjo nuk është lojë. Kjo është zemra ime, këtu. E goditi veten lehtë në gjoks. - Kjo është zemër njeriu, Lule. Nuk ka merituar çka i ke bërë. Nuk dinte si të përgjigjej. Në fyt i ishte bërë një duq.

Gjithçka që donte t’i thoshte ishte shndërruar në një ankth, të cilin nuk mund ta largonte. Ai u ngrit dhe kaloi afër saj, e më pas u ndal sikur donte t’i thoshte diçka. - Po shkoj tani, meqë e kam vështirë të të shikoj. Mos ma bëj këtë më. Nëse edhe një herë e thërret numrin tim... Kishte frikë nga vazhdimi. I dukej se i ishin fundosur të gjitha anijet. - Nëse e bën këtë edhe një herë, atëherë ky le të jetë vendimi yt përfundimtar. Nëse më thërret edhe një herë, e më pas më përjashton përsëri nga jeta jote, të betohem se do të bëhem armiku yt më i madh. Unë, kur dua, dua me të vërtetë! E, kur urrej, i tejkaloj të gjitha masat. A më kuptove? Ajo pohoi me kokë. Ai doli duke e mbyllur derën, e ajo mbeti në atë pozitë edhe disa minuta. Kapitulli i njëzetegjashtë E, më pas u vu në lëvizje.

Deri pak më parë në zemrën e saj kishte jetë, por ajo tani sërish u shua, sikur ta kishte përjetuar një vdekje klinike. Ishte e vetëdijshme se ku ishte, por nuk ia merrte mendja se do të zgjohej ndonjëherë. Por, sikur edhe çdo njeri tjetër, asaj i lindi dëshira për të luftuar, që të gjallërohej, të bënte diçka. Vrapoi kah telefoni dhe me dorë e rrëzoi vazon në tokë. Ajo u bë copë e grimë. Mendoi se i duhej ta merrte fshesën nga kuzhina, por më pas çdo gjë iu duk e pakuptimtë. Para se t’i fshinte copat e vazos, duhej t’i bashkonte copat e zemrës së saj të thyer. Më së shumti rëndësi kishte ta bënte telefonatën. (vijon)


(Kosova Sot Online)