Roman dashurie: Sharmant apo romantik (2)

  • 29 April 2020 - 15:25
Roman dashurie: Sharmant apo romantik (2)

KAPITULLI I DYTË

E zgjoi zilja e telefonit. Shikoi orën në tavolinën e vogël dhe kuptoi se edhe kjo javë do t'i shkonte për ta shëruar gjendjen pas dehjes. Mezi arriti ta mbërrinte dhe ta merrte çantën të cilën një natë më parë e kishte hedhur në dysheme. E nxori celularin mu në momentin kur ai pushoi së rëni. Shau. E më pas pa se kush e kishte thirrur. Ishte Gëzimi. Mbrëmë nuk ia kishte çelë telefonin, por sot e thërriste. Mendonte a ta thërriste tani ajo atë dhe t'i kërkonte edhe një herë falje që i kishte dërguar mesazh me përmbajtje patetike në orët e vona të natës, por diçka e pengonte. Nuk kishte guxim ta dëgjonte, meqë e dinte shumë mirë që ai kurrë nuk do t'i propozonte të takoheshin, gjë që, dorën në zemër, nuk e dëshironte as ajo. Ato biseda të rralla ishin vetëm këmbime të pyetjeve të rëndomta të dy njerëzve të cilët ishin ndarë pas një afërsie të madhe. E, Sheqerja nuk ishte e gatshme për një bisedë të tillë. Të paktën jo atë javë. U ngrit dhe u shikua në pasqyrë. Pamja e vet e trishtoi. Jo vetëm që grimi i ishte shkrirë në tërë fytyrën, por i ishin paraqitur edhe qeskat e kaltra të syve, nga dehja. Hyri nën dush dhe lejoi që uji i vakët ta kthente aq sa ishte e mundur në vete. Mendonte a ta thërriste ndonjë shoqe për kafe, me qëllim që t'i kalonte sa më shpejt koha deri në darkë, por as për këtë nuk kishte vullnet. Dea me gjasë do ta mërziste me ankesat sesi dieta ishte duke e çmendur, e në anën tjetër nuk i ndihmonte aspak, derisa Gjina do t'i fliste rreth të dashurit pas të cilit çmendej dhe me të cilin ishte në lidhje tash e shtatë muaj, duke bërë një luftë të çuditshme të dashurisë. I donte shoqet, por atë ditë nuk mund ta duronte as veten e saj. Për këtë shkak, e shkyçi celularin sapo doli nga banja dhe filloi përgatitjen e drekës për një njeri. mendonte rreth të nesërmes dhe takimit të rëndësishëm, në të cilin i duhej të shkonte.

I pëlqente puna që bënte, ajo ishte kreative dhe ia mundësonte që ta bashkonte të bukurën dhe të dobishmen. Ishte një skenografe shumë e kërkuar, por bënte punë të pavarur. Ndonjëherë e angazhonin për disa manifestime të mëdha dhe të rëndësishme, e shpesh edhe për shfaqje teatrore. Kishte punuar edhe në disa filma. Puna e saj gjithmonë vlerësohej pozitivisht. Gjatë muajve të fundit kishte pasur një pauzë të shkurtër, gjë që nuk i kishte bërë mirë, por ishte e vetëdijshme se, kur punoje si i pavarur, kishte edhe periudha kur nuk kishe çka të bëje. E, më pas iu paraqit një person i njohur, i cili ia caktoi një takim në lidhje me një angazhim të ri. nuk e dinte as me kë do të takohej, e as për çfarë pune, por kjo nuk e shqetësonte shumë. Gjëja e vetme që e shqetësonte, ishte se a do të ishte puna mjaft frymëzuese dhe mjaft e pagueshme. E, për ta marrë përgjigjen në atë pyetje, i duhej ta priste ditën e re. (vijon) 

(Kosova Sot Online)