Roman dashurie: Sharmant apo romantik (3)

  • 30 April 2020 - 15:29
Roman dashurie: Sharmant apo romantik (3)

KAPITULLI I TRETË

Dita e hënë kishte filluar me shi, i cili më shumë i ngjasonte një shiu të vjeshtës sesa atij të pranverës. Ishte diku gjysma e muajit prill, ndërsa që temperaturat për atë periudhë kohore ende ishin të ulëta. Një mot si ky e kishte shtyrë Sheqerja t’i nxjerrë disa gjëra të dimrit dhe për takim të veshë diç më konservative, sesa që kishte dëshiruar. E dinte se imagjinata e saj dhe mençuria ishin më të rëndësishmet për një sukses në punë, por edhe dukja e saj e bukur dhe fytyra në formë ovale, si dhe flokët e saja brune deri në gjysmën e shpinës ishin një plus i madh për të, dhe se këtë punë ajo do ta fitonte më lehtë se secili mashkull. Kishte fytyrë të ëmbël, me çuka në faqe dhe me ballë të lartë, ndërsa në sytë e saj të zinj vërehej inteligjenca, kështu që njerëzit e kuptonin si kandidate serioze dhe mjaft të mençur për ta angazhuar.

Po ashtu e dinte se mënyra e saj e veshjes kishte ndikim të madh në klientët e saj. E kishte mahnitur me dukjen, ndërsa që e kishte magjepsur me sukseset. Atë mëngjes ishte nervozuar shkaku i motit të lig, mot ky që e kishte shtyrë të vishej më trashë, me një xhaketë ku kishte ngjitur vetëm një pullë, në mënyrë që gjoksi i saj i plotë të vihej në pah. Këmbët e gjata të mbuluara me çorapë kishin humbur paksa në gjatësi, pasi që ishte përcaktuar për një palë çizme të shkurta, në mënyrë që ta mbronin nga balta nëpër rrugët e qytetit. Mezi ia doli ta pushtojë mllefin e saj, kur vetura e saj e vjetër ‘golf’ nuk ndezi, veturë kjo që ishte më e vjetër se njëzet vjet. Thjesht nuk donte të ndizte. Nganjëherë me një shaka ajo do të thoshte se si vetura e saj e vjetër, me ngjyrë të zezë, kishte shpirt, dhe se shpeshherë ai vetë vendos nëse do ta voziste apo do të qëndronte ashtu, pa lëvizur vendit në parking. Kësaj radhe vetura thuajse dëshironte të flinte, apo thjesht nuk po i shkohej askund, pasi ishte ditë me shi, kështu që kur e solli çelësin, u kollit disa here dhe ra në gjumë.

E dinte se nuk mund të bënte gjë, së paku jo për të arritur në takim, dhe e kishte thirrur një taksi. Si për inat, taksisti, i cili u shfaq thuajse ishte një nga ata që nuk kishin përvojë, kështu që deri në pjesën tjetër të qytetit, iu deshën hiç më pak se njëzet minuta. E ai në vend se të voziste, kishte dëshiruar të dinte më shumë detaje për të. Edhe pse shumë shkurt, me neveri u ishte përgjigjur pyetjeve të tij, taksisti kishte insistuar që këtë zonjushë të re ta ftonte për një takim. Vozitja e lodhur kishte përfunduar me kartelën e tij në dorë, por menjëherë e kishte shqyer dhe e kishte hedhur në kontejnerin e parë. /vijon/

(Kosova Sot Online)