Roman dashurie: Sharmant apo romantik (4)

  • 01 May 2020 - 15:38
Roman dashurie: Sharmant apo romantik (4)

Ndërtesa atë të hënë ishte plot me meshkuj me kostume dhe me femra me gardërobë të zezë, e të gjithë nguteshin diku, sikur buburrecat. Nuk përshëndeteshin me fjalë, pos me lëkundje të kokës në kalim e sipër, sikur të ishin memecë, apo sikur donin ta kursenin zërin. Sheqerja kishte frikë të madhe nga një sjellje e tillë. fundja edhe puna e saj ishte plot imagjinatë, me kombinime të bukura, derisa atmosfera në të cilën u gjet ishte krejt uniforme dhe e mërzitshme. Ishte e sigurt se mund të shëtiste tërësisht lakuriqe, e askush nuk do ta vërente. Një i ri në një ambient të vogël, të qelqtë, mu në hyrje, e mbante letërnjoftimin e saj dhe me mirësjellje i tregonte se, kompania të cilën e kërkonte, ndodhej në katin e pestë. Ajo refuzoi që ta shfrytëzonte liftin vetëm pse rendi për të hipur në lift ishte tepër i gjatë. Po ashtu, nuk mund ta paramendonte veten të gjendej në një ambient të mbyllur me aq shumë njerëz me kravata dhe me këpucë të rrafshëta, ortopedike. Pasi që arriti në katin e tretë, iu desh që të ndalej për të pushuar, e më pas vazhdoi tutje. Para derës së madhe të metaltë të kompanisë të cilën e kërkonte, u ndal për ta shikuar orën.

Kishte arritur saktësisht me kohë, e kjo kishte domethënie të madhe për të. I ra interfonit dhe dera u çel në mënyrë automatike. Menjëherë vërejti se ambienti ishte rregulluar ashtu që punëtorët të mos ndiheshin të relaksuar, por në çdo kënd kishte diçka për t'ua rikujtuar se aty duhej t'i harronin të gjitha gjërat e tjera, përpos punës. E sjellshme, tepër e grimosur, sekretarja i tha të priste derisa drejtori ta përfundonte takimin paraprak. Karrigia, në të cilën u ul Sheqerja ishte e rehatshme, por ishte e ndarë veç, kështu që dukej sikur karrige e të pandehurit. Disa të punësuar ia hodhën nga një shikim të shkurtër, e më pas të gjithë iu kthyen kompjuterëve të tyre. mbretëronte një qetësi e pazakonshme, ku ndihej një disiplinë e ashpër punuese dhe vetëm zhurma e telefonit e prishte qetësinë.

Nga zyra e drejtorit dolën dy meshkuj shtatlartë, me çanta të dorës dhe u përshëndetën me dorë me sekretaren, para se të dilnin jashtë. Sheqerja mendonte se ashtu si ta duhej të dukej edhe njeriu, i cili çdo çast pritej ta ftonte në bisedë, prandaj filloi ta pyeste veten se a e kishte vendin aty. Çka mundej ajo si skenografe t'i ofronte një ambienti aq serioz dhe të pashpirt? Dhe, athua me çka merren këta njerëz? - Zonjushë, mund të hyni. Drejtori ju pret. Buzëqeshi me zor, duke ndier se çdo hap drejt asaj dere e bënte gjithnjë e më me vështirësi. Ajo ishte mësuar me atmosferën e teatrit dhe filmit, me atë relaksimin artistik, ku në takimet e punës përdoren gotat e plastikës, ku të gjithë flasin me zë të lartë dhe përnjëherë dhe ku heshtja thuajse është territor.

(Kosova Sot Online)