Ngjarje e vërtetë: Si filloi tërë kjo mesele (4)

  • 02 May 2020 - 16:45
Ngjarje e vërtetë: Si filloi tërë kjo mesele (4)

Alkooli tashmë ishte i pranishëm, e kuptova se ishte koha të largohem. Po prisja edhe pak, Engjëllushja me disa prej shoqet e saja kishte shkuar deri në tualet, e ky ishte momenti i duhur që t’i braktisja. Ju thashë se duhet të shkoj me urgjencë, u përshëndeta me Blerimin, ndërsa Metit i thashë: - Vëlla, mos vepro diçka që nuk do ta bëja unë. Më shikoi ashtu, buzëqeshi e më pas ma tha edhe këta: - Sonte do të jetë e imja. Ne do të nisemi pas pak, do ta dërgoj në shtëpi. Këto fjalët e tij disi ma lehtësuan shpirtin.

Apo ndoshta kisha pirë shumë dhe ashtu po më dukej mua. Nuk ishte ai shikim kurrfarë shikimi më ndryshe, po mendoja me veten time. Mirëpo, ajo mbrëmje, ishte nata e fundit e përbashkët midis Engjëllushes dhe Metit. Ashtu siç më kishte rrëfyer të nesërmen Meti, Engjëllushja ishte shumë e zemëruar në mua. I kisha shkuar në nerva pse kisha shkuar pa e përshëndetur: - Nuk po mund të besoj, ai paska shkuar e nuk më është lajmëruar fare. - E kishte për ngut, nuk mund të priste më gjatë, as edhe një sekondë të vetme. Me vetëdije të plotë nuk u lajmërova, sepse ndarja do ta dëmtonte atmosferën e krijuar, e kjo ishte diçka që unë nuk e dëshiroja. Me këtë, edhe për veten time kisha krijuar një arsyetim, pasi që shkaku kryesor ishte ai shikim apo ndoshta gjithçka unë e kisha gabuar gabimisht.

Më vonë për gjithçka ia lashë fajin alkoolit dhe Metit nuk ia thashë asnjë fjalë të vetme. Shumë shpejt, pasi që edhe unë isha larguar, edhe ata e kishin boshatisur lokalin. Së pari i kishin dërguar shoqet, Blerimi kishte marrë një taksi pasi po jetonte afër. Ata të dy përfundimisht kishin mbetur vetëm, pas një kohe tepër të gjatë. Ata ishin në veturë, ishte tepër vonë për të shkuar diku, ndërsa që ishte tepër ftohtë të dilnin nga vetura. Engjëllushja i kishte thënë se ai i mungon shumë, dhe se ai i dashuri i saj i ri ishte krejt kundërta prej tij. - Ai është disi i ftohtë, në situata të ndryshme ai është fare i painteresuar. Ti je mirësia ime, je i kujdesshëm dhe i butë. - Ja pra, e sheh se çfarë të ka ikur nga duart, apo çfarë ke humbur. - Por, ka diçka tek ai që më pëlqen, prandaj edhe e dashuroj. - Pra kështu je ti, kur të mungon dashuria, unë jam këtu si zëvendësim. 

Paj nuk e di, jam e tëra e hutuar. Në radio po dëgjonin një këngë që kishte të bënte me dashurinë, e pas pak lotët mbuluan fytyrën e Engjëllushes. Meti gjithë këtë situatë, aspak të këndshme e ndërpreu me fjalët: - Për mua, secili moment që e kemi kaluar së bashku ishte i mahnitshëm. Këtë nuk do ta harroj kurrë në jetën time. - As unë ty. E di, ti shumë shpejt do të martohesh, kështu është kjo kur dy dashuri të mëdha përfundojnë. - Unë nuk kam të dashur, e ti ke të dashur, prandaj edhe mund ta vëresh se kush kë e ka harruar. Kjo ishte biseda e tyre e fundit. U ndanë. Edhe pse ndarja kishte ndodhur disa muaj më herët, ky ishte ai përfundimi, epilogu. Mirëpo, fundin e bisedës që të dy e përshkruajnë ndryshe. Engjëllushja thotë se Meti kishte ofruar të harrojnë gjithçka. Dhe, ai do të kalojë mbi gjithçka, do të harrojë gjithçka dhe t’ia nisin nga e para. Nuk e kishte problem pse i gjithë qyteti e dinte, e as që do të dukej si budalla, ja sa shumë e dashuronte. E ajo e kishte refuzuar, pasi që nuk e dashuronte më. Do të ishte mundim për të dy më tha dhe shtoi: - Ishte treguar si njeri i madh dhe këtë nuk do t’ia harroj kurrë. Diçka të tillë nuk mund ta falë secili. Meti, nga ana tjetër, thotë me bindje të plotë se një gjë të tillë nuk e kishte thënë kurrë: - Vëlla, unë nuk jam aq i çmendur që të harroj të bëmat e saja. Ishte ashtu siç ishte, nuk desha ta vërtetoj se cila ishte e vërteta. Nuk kishte fare rëndësi në fund të fundit. Ajo që kishte rëndësi ishte se një dashuri e madhe kishte marrë fund. Ata të dy e dinë më së miri se çfarë kishte ndodhur atë natë.

Nëse e gënjejnë veten e tyre, atëherë le ta bëjnë një gjë të tillë, le të më gënjejnë edhe mua. Unë jam i vetmi që di tregimin e tyre, edhe anën e atij edhe të asaj, por unë nuk jam gjyqtar dhe nuk dua ta gjykoj askënd. I pranoj që të dyja tregimet, pa marrë parasysh se sa të kundërta që janë me njëritjetrin. Unë e kam mendimin tim për këtë, por përzierja e një fytyre të tretë në lidhje nuk është aspak e dobishme dhe nuk është mirë të nxirren paragjykime. Sidomos që tani situata është ende e freskët, ndoshta kur situata të jetë ftohur paksa. E vera e ardhshme ka sjellë ngjarje të reja, të cilat në fakt ishin tema kryesore e këtij tregimi. FUND

(Kosova Sot Online)