Roman dashurie: Sharmant apo romantik (10)

  • 08 May 2020 - 15:31
Roman dashurie: Sharmant apo romantik (10)

Si përgjigje kisha marrë emrin tuaj. Sheqerja e dinte se për cilin film e kishte fjalën ai. Atë e kishte punuar dy vjet më parë. Ishte ai një tregim filmik rreth një mashtrimi të madh, një dekadë para Luftës së dytë botërore. Në skenografi ajo kishte punuar pa lodhur dhe kishte marrë dy çmime prestigjioze për të. - Po, por aty e kam ditur se çka kërkohej. - Edhe këtu e dini se çka kërkohet. Vetëm se këtu ju lejohet të bëni më shumë sesa në film. Këtu jeni një kreatore komplete. Sheqerja filloi të mendohej.

Gjithçka i dukej e çuditshme, jo konkrete, sikur t'ia ofronin një profil krejtësisht të ndryshëm të punës nga puna që kishte bërë deri atëherë. Mirlindi vërejti se ajo ishte duke u hamendur dhe se mund ta refuzonte, prandaj e ktheu ekranin e kompjuterit kah ajo, duke ia treguar një "slide-show" të fotove të hotelit. Asaj iu desh që të pranonte se pamjet ishin të nivelit botëror. Se enterieri i hotelit ishte paramenduar dhe realizuar deri në detaje, gjë që e bëri të ishte më e interesuar për vazhdimin e bisedës.

- Unë do t'ju jepja pak kohë që të mendoni mirë rreth kësaj. Jam i sigurt se kjo është hera e parë që ju ofrohet një punë e këtillë, prandaj edhe jeni e hutuar, por unë nuk kam dyshime në kualitetin dhe aftësinë tuaj. Por, prapëseprapë, ju e njihni veten më mirë, kështu që vendimin do ta merrni ju vetë. Ai mori një dosje nga tavolina dhe ia dha. Ajo u përkul për ta marrë atë, e vetëdijshme se, në një moment, palltoja i ishte hapur, duke vënë bë pah gjinjtë e saj të mëdhenj, gjë që nuk i iku as Mirlindit.

Ajo kishte ndjenjën se ishte skuqur nga koka, e deri te thembrat. Ishte e çuditshme, meqë kishte kohë që kishte pushuar së menduari rreth asaj sesi e shikonin meshkujt, me të cilët e lidhte puna, por tani kjo ndjenjë e bënte të ndihej në siklet. Ndoshta për shkak se nuk ishte plotësisht e sigurt në veten e saj që do të mund ta kryente me sukses këtë punë. - Në këtë dosje gjenden të dhënat rreth kompanisë sime, si edhe rreth hotelit.

(Kosova Sot Online)