Ngjarje e vërtetë: Engjëjt (3)

  • 08 May 2020 - 15:30
Ngjarje e vërtetë: Engjëjt (3)

Më mati me shikim nga koka deri te thembrat dhe, me gjasë i kënaqur nga ajo që kishte parë, u ul afër meje. Ndihesha paksa në siklet, nuk më pëlqente qasja e tij “hetuese”, e as sytë e tij, që depërtonin në zemër. Rreth tij kisha dëgjuar gjëra të ndryshme, miqtë thoshin për të se ishte i mrekullueshëm, e ata të tjerët ia kishin frikën dhe evitonin konfliktet me të. Unë i takoja një grupi të tretë, kështu që ai nuk më interesonte fare. Ende isha “princesha e babait” e ai një “haram”, sikur që do të thoshte çdo nënë që do ta shihte. Besoja se miqësia jonë do të merrte fund me atë bisedë. E ai më tregonte ngjarje interesante, i relaksuar dhe argëtues. Mbrëmja kaloi shumë shpejt. Të nesërmen më telefonoi “vetëm sa për të ma dëgjuar zërin”, duke më thënë se do të më priste para shkollës, “vetëm sa për të më parë”. shoqen time të ngushtë vazhdimisht e thërriste në telefon dhe shkonte te ajo, e cila i kishte treguar tanimë çdo gjë që dinte rreth meje. Nuk mund të shqitesha nga ai. Më përcillte gjithandej. Më përcillte për në shtëpi, më thërriste nonstop, më blinte çokollata. Kur isha pak pa qejf, gjë që e kishte marrë vesh nga Bujarja, më thirri në telefon dhe më tha që të dilja para dere vetëm një sekondë. Pasi që dola, gjeta një paketë, ku kishte çdo gjë që më pëlqente: akullore, çokollatë, si dhe një ari i vogël i pelushit. Në ato çaste mendova se ai me të vërtetë qenka i marrë, sepse unë nuk doja që të isha me të as shoqe, e lëre më diçka më tepër.

Vazhdimisht i thosha vetes që nuk duhet të mendoja rreth tij dhe se ai nuk ishte për mua, por ai ishte aq këmbëngulës, sa që disa herë “e zura” veten duke menduar për të. Kjo më nervozonte, por në anën tjetër disi më dukej edhe simpatike. Derisa isha duke u kthyer nga qyteti, e shoh atë duke dalë nga parku, me një buqetë lulesh në dorë. Duke qeshur, unë i them: - Çka ke bërë kështu, more? A e di se lulet e parkut janë pronë shoqërore? E ai seriozisht ma kthen: - Ti je shoqëria ime, e shpresoj të bëhesh edhe pronë e imja. Vetëm më puthi në dorë dhe u zhduk. Nuk arrita t’i thosha asgjë, por edhe ashtu tanimë kisha vërejtur se me të ishte e kotë të diskutoje. Ai ishte aq kokëfortë, sa që kur vendoste ta bënte një gjë, ashtu edhe bënte, edhe nëse një gjë e tillë ishte e gabueshme. E, unë në vete thosha se, me mua, nuk do ta kishte aq lehtë. Sa kokëfortë do të jetë ai, do të jem edhe unë. Pranoj se është simpatik, por asgjë më shumë. Bujarja qeshi kur i dëgjoi këto fjalë. - Thua që të duket simpatik, e më parë as nuk mund ta duroje?

Me gjasë do të ketë diçka midis jush. Kjo më bëri që t’i përgjigjesha me zemërim: - Ti je e marrë, të lutem mos e përmend më! Ai për mua është ankth i vërtetë. Dhe, kështu ajo mua më ngucte, por më pas qeshëm me tërë këtë mesele, duke bërë një plan si do ta hiqja qafe atë djalë. E ai, kur e prisja më së paku, doli nga terri, më puthi flokët dhe u zhduk. Më nuk e dija me saktësi se a më bënte nervoz, apo më mungonte. Ndodhë të më thërret në telefon në orën 4 a 5 të mëngjesit. Ndodhë të lajmërohet nëna ime, e ai më pas hutohet dhe thotë: “A mund të flas me princeshën time”? 

(Kosova Sot Online)