Roman dashurie: Sharmant apo romantik (11)

  • 09 May 2020 - 17:16
Roman dashurie: Sharmant apo romantik (11)

 Nga e hëna deri të premten koha kalonte shumë ngadalë. Ishte e eksituar dhe mezi priste ta thërriste Mirlindin, por, megjithatë, këtë e bëri vetëm të premten paradite. Solli numrin që shihte në vizitkartë dhe iu lajmërua sekretarja. Sheqeres iu desh të pranonte se ajo kishte një zë të ëmbël. - Ju jeni? Drejtori kishte pritur që ta thërrisnit. Tani do t’ua kaloj lidhjen, ju lutem prisni! Disa sekonda, derisa ishte duke pritur, Sheqerja mendonte se si jetonte Mirlindi. Nëpër mendje i kaloi ajo që i kishte thënë një mik, rreth një jete të qetë, prandaj ajo erdhi deri te përfundimi se ai ishte i martuar dhe njeri familjar. - Alo, mirëdita, Sheqere. Si jeni? - Mirëdita! Mirë jam! Shpresoj se edhe ju jeni mirë. - Varet! A mund ta di vendimin tuaj? Për një moment heshti, sikur edhe një herë të analizonte në kokë të gjitha arsyet për dhe kundër.

E, më pas, mori guximin dhe tha: - Më duhet të pranoj se oferta është joshëse dhe frymëzuese, duke marrë parasysh se kurrë nuk kam bërë skenografi për ndonjë hotel, por e kam një kusht, në mënyrë që të mund të vendos përfundimisht. - Natyrisht, ma thoni. - Do të doja të shihja se si duket ajo. Ju m’i treguat fotografitë, por kjo nuk është njësoj. Për fat të mirë, unë jam nga ata njerëz që kurrë nuk e kanë shijuar magjinë e kumarit, prandaj nuk e di a do ta kuptoj drejt atë që ma keni thënë. Pasi që foli Mirlindi, ajo mbeti e befasuar nga mirëkuptimi i tij. - Po, po! Ju kuptoj. Edhe unë doja t’ua propozoja këtë, nëse do të më thoshit se jeni e interesuar për këtë punë. Më duhet t’ua tregoj mallin, që ju ta dini se a doni ta blini. E thjeshtë është kjo gjë.

Për këtë shkak, paraprakisht kam paralajmëruar ardhjen tuaj në hotel ku do të mundeni, sa të keni nevojë, të merrni përshtypje, e vetëm më pas të më tregoni se çka keni vendosur përfundimisht. Tani më tregoni vetëm kur mund të shkoni dhe sa do të rrini. Hoteli është i mbushur plot, e meqë me të vërtetë dua që atje t’ua ofrojnë maksimumin, më duhet ta di paraprakisht se kur do të shkoni. - Nuk e di... Unë për momentin jam e lirë, nuk jam e angazhuar në asnjë vend të punës. Sa më parë, aq më mirë. - Pajtohem edhe unë! Çka mendoni për fundjavën e ardhshme? - Po, mundet. Sapo e tha këtë, kuptoi se ekzistonte një pengesë e madhe në tërë këtë plan. - Edhe pse mendoj se kjo nuk mund të bëhet kaq shpejt. - Pse? - Unë nuk kam vizë. E marrja e vizës është proces i vështirë. Dhe, kushedi a do të ma japin. Mirlindi buzëqeshi, sikur ajo t’ia kishte treguar ndonjë barsoletë. (vijon)

(Kosova Sot Online)