Roman dashurie: Sharmant apo romantik (13)

  • 13 May 2020 - 15:21
Roman dashurie: Sharmant apo romantik (13)

I mbështetur në automobilin e kaltër qëndronte një djalë të cilin Sheqerja nuk e njihte. Ai nuk dukej se ishte duke pritur dikë, por nuk dukej as sikur ishte duke kaluar kohën së koti në rrugë. Ajo frenoi dhe Shoqja doli nga automobili. E shikonte shoqen sesi e puthte në faqe djalin, e në bazë të sjelljeve të saj, kuptoi se ai mashkull i pëlqente. Sa herë që i pëlqente ndonjë djalë, ajo prekte flokët dhe luhaten përpara-prapa. Dhe, qeshte pa masë. Djali nuk e ndryshoi as qëndrimin, e as disponimin. Edhe më tej vazhdonte të rrinte i mbështetur mbi auto dhe e shikonte shoqen me një shikim të pacipë. Herë pas here Sheqerja e shikonte atë dhe vërente se ai e maste shoqen me sy. I interesonte ta merrte vesh kush ishte ai, por nuk merrte guximin që të dilte nga vetura dhe ta ndërpriste monologun e shoqes. Kur përfundimisht vajza u kthye në veturë, ato vazhduan vozitjen, e Sheqerja priste që të dëgjonte diçka rreth atij takimi. Meqë shoqja murmuriste një melodi nga radioja, Sheqerja qe e detyruar që vetë ta fillonte bisedën. - Kush është ky djali me të cilën fole? Ajo bëri me dorë, duke u munduar në atë mënyrë që t’ia bënte me dije Sheqeres se, në atë moment, ai detaj nuk kishte rëndësi. Por, Sheqerja edhe një herë përsëriti pyetjen e saj dhe shoqja qe e detyruar që të përgjigjej. - Atë e kam komshi. Dhe, meqë më pyet, edhe ti e di se kush është ai. Dua të them, nuk e njeh personalisht, por të kam folur unë për të. - Ma rikujto! - A të kujtohet se, para gjashtë muajsh, isha në lidhje me një djalë. Të kisha thënë se jetonte afër meje?

- Nuk më kujtohet. Ti ke pasur më shumë lidhje. - Po, po! Por, në këtë disi isha dashuruar keq. Por, ai më la. Ishim në lidhje rreth një muaj, por gjatë asaj kohe nuk është se ndodhi kushedi çka. Petriti është... Sheqeres iu kujtua ky emër. Shoqja një kohë e kishte përmendur atë shpesh, por ishte tepër e pikëlluar për shkak të tij. - Po, po, më kujtohet. D.m.th ky është ai? - Po. Si të duket? - Mirë... I këndshëm është. Sheqerja nuk i tha asgjë nga ajo që mendonte. Ajo kishte vërejtur sesi ai ishte veshur shkel e shko, kishte veshur rroba sportive, por ato më të shtrenjtat. Nuk i mbeti pa parë as zinxhiri i trashë i arit në qafë. Flokët e tij ishin të kafta, të errëta dhe të shkurtra, hundën e kishte paksa të madhe, kurse sytë e tij kishin njëfarë shkëlqimi, i cili e joshte.

(Kosova Sot Online)