Roman dashurie: Sharmant apo romantik (15)

  • 15 May 2020 - 15:33
Roman dashurie: Sharmant apo romantik (15)

KAPITULLI I NËNTË

Të hënën iu lajmërua sekretarja e Mirlindit dhe i tha se shoferi do të shkonte për ta marrë atë të premten, në orën 13:00. Sheqerja iu falënderua dhe menjëherë, pasi e mbaroi bisedën, u pendua që nuk e kishte pyetur atë çka të merrte nga gardëroba. Të mërkurën në mbrëmje shoqja e kishte ftuar që të shkonte tek ajo. Sheqerja u befasua, meqë deri atëherë shoqja e kishte thirrur vetëm me rastin e ditëlindjes. Por, ajo kishte insistuar që të takoheshin dhe nuk kishte dhënë shpjegime të tjera. Sapo gjeti mjaft vend për të parkuar në atë rrugë të ngushtë, rreth 100 metra larg shtëpisë së shoqes, veshi ia zuri një muzikë të zëshme. Pa një veturë ngjyrë teget e cila i afrohej, e më pas frenoi. U hap dritarja e veturës dhe u gjet sy më sy me Petritin. Ai ishte vetëm. - Përshëndetje, ke ardhur te shoqja, apo jo? - Po.

- Unë jam Petriti. Ajo ia zgjati dorën dhe u prezantua. Nën shikimin e tij ajo ndihej si fëmijë. - Ke ardhur për vizitë? - Po, më ftoi diçka shoqja, kishte nevojë për mua. - Më duhet të të them se dukesh më bukur se ndonjëherë më parë. Iu desh që të buzëqeshte nga zori. - Si mund ta thuash këtë, kur nuk më ke parë ndonjëherë? - Mu për këtë shkak ta them. Tani jam i vetëdijshëm çka kam humbur. Do të shihemi. Shpresoj. Ai e mbylli dritaren dhe vazhdoi teposhtë, rrugës. Sheqeres i duhej të pranonte se ishte paksa e zemëruar që ai u soll në atë mënyrë me të, sikur të donte vetëm, hajt ashtu, t’ia bënte vetes jetën më interesante. Shoqja e priti e tëra e grimosur, e veshur me xhinsi dhe bluzë, natyrisht, të ngjyrës së zezë. Jetonte në një përdhes me nënën, e cila punonte në ndërrimin e tretë në një kafene në stacionin hekurudhor, kështu që në atë kohë, ajo ishte vetëm. - Ulu, tani do të ta bëj një kafe. - Pse më thirre me kaq urgjencë?

Derisa shoqja ishte në kuzhinë duke ia përgatitur kafenë, Sheqerja filloi ta shikonte banesën e vogël, ku jetonin amë e bijë. Gjithçka ishte në rregull, por shihej se vetëm nëna investonte para në shtëpi, derisa vajza, e cila punonte si shitëse në një librari, rrogën kryesisht e çonte në bizhuteri, të cilat i pëlqenin pa masë. - Ja, ta qita pak qumësht. E di se, në mbrëmje, e pi kafenë vetëm me qumësht. - E takova atë Petritin tënd. - Njëmend? Shoqja nuk e bëri këtë pyetje me befasi, sikur që do të duhej. - Po, më përshëndeti. - Shiko! Për të edhe të kam thirrur! Ai kërkoi nga unë që t’ju njoftoj. Sheqerja filloi ta shikonte e habitur shoqen, e cila nuk reagoi në atë shikim, por vetëm e përziente kafenë. (VIJON)


(Kosova Sot Online)