Ngjarje e vërtetë: Për ty (1)

  • 18 May 2020 - 15:31
Ngjarje e vërtetë: Për ty (1)

Para saktësisht një viti kishte filluar tregimi ynë, përderisa sot po i njëjti tregim po përfundon. I gjithë ky tregim, që në fakt është tregim i vërtetë, kishte filluar apo kishte rrjedhur nga një shaka, mahi, mërzi dhe u shndërrua në lidhjen më të mirë të mundshme, si një lidhje përrallore, lidhje kjo e cila dukej se nuk do të kishte fare përfundim, pothuajse do të zgjaste përgjithmonë. E, tash, për fat të keq, të gjitha këto mendime po bien në ujë, tregimi po përfundon këtu. Ka kaluar saktësisht një vit që nga momenti kur ka filluar, e gjatë kësaj kohe të kam njoftuar, të kam dashuruar dhe ja, në fund, po të humbas. Kjo është diçka që nuk kam dëshiruar të ndodhë kurrë. Gjithë ata muaj të kaluar me ty, me të vërtetë ishin muajt më të mirë të jetës sime që i kam pasur ndonjëherë. Me të vërtetë, as që kam ëndërruar ndonjëherë se do ta gjej dikë si ti, i cili do të më ofrojë gjithçka e mbi të gjitha dashurinë e vërtetë, që do të më ofrojë përkrahje, siguri, forcë, mirëkuptim. Gjithmonë ishe këtu kur kisha nevojë për ty, që të më përqafosh, të më mbash të mos rrëzohem, të më thuash "gjithçka do të jetë në rregull" dhe se do të jesh pranë meje deri në fund të jetës.

Sa herë isha pranë humnerës, ti më mbaje dhe ma tregoje rrugën e duhur, ma tregoje fatin e mirë dhe anën e mirë të çdo gjëje. Për çdo ditë e më shumë më bëje më të lumtur dhe ma vërtetoje se ia vlen të dashurohem në ty. Më ke mësuar të dashuroj, çfarë me të vërtetë do të thotë të jesh e dashuruar dhe cilat janë të gjitha vlerat e një dashurie dhe lidhjeje të gjatë. Me ty kisha çdo gjë. Ishe aty për mua kur isha e buzëqeshur, që të qeshësh së bashku me mua. Kur isha e lumtur, ishe aty që atë lumturi ta ndanim së bashku, kur isha e pikëlluar, edhe pikëllimin e ndanim së bashku, ishe pranë meje që të më përqafosh, të më thuash se gjithmonë do të jesh pranë meje, sa herë që të kem nevojë për ty dhe të më buzëqeshësh, kur isha nervoze dhe histerike ishe vetëm ti ai që mund të më qetësoje. Me ty kam përjetuar momentet e paharruara, për të cilat mendoj se me askënd tjetër nuk do të mund t'i përjetoj. Kemi kaluar së bashku nëpër shumë gjëra, kishim diçka që rrallëkush e kishte. Të gjitha ato momente të kaluara së bashku, të gjitha ato puthje, ato përqafime, fjalosje, pikëllime, ishe aty të më përqafoje, të më thuash se do jesh pranë meje dhe do të buzëqeshësh. Të gjitha këto ishin pjesë e lidhjes sonë. Të gjitha ato shëtitje pranë liqenit, që ndoshta edhe më së shumti do t'i kujtoj. Atje edhe kishte filluar gjithçka, një hap e bëje ti e një hap e bëja unë, dhënia e dorës njëri-tjetrit dhe puthja më e ëmbël. Kjo ishte puthja jonë e parë, fillimi ynë. A të kujtohen të gjitha këto? Të gjitha ato shëtitje, tregimet tona, duart, bora, parku, vrapimi nëpër bar, vrapimi nëpër borë, mënyra si e shikonim qiellin, yjet, yllin tonë.

Ai yll gjithmonë na përcillte dhe do të na përcjellë përgjithmonë. Sa herë ta shikosh qiellin, do të më shikosh mua, atje jam unë. Dhe, nëse jeta tani na ka ndarë nga arsye që i di vetëm ajo, në qiell do të më gjesh, sa herë të kesh nevojë për mua. Dhe, sa herë që do të bjerë shi, më kujto mua, neve dhe sa jemi dashuruar, jeta le t'i kujtojë momentet më të bukura të jetës sonë. Mendoj..., kthehem prapa në kohë, po kthej filmin prapa, ka shumë kujtime, momente të bukura, gjithçka që shikoj, gjithçka që dëgjoj, ndiej, të shoh ty, neve... /vijon/

(Kosova Sot Online)