Roman dashurie: Sharmant apo romantik (19)

  • 20 May 2020 - 15:28
Roman dashurie: Sharmant apo romantik (19)

Nuk ishin dëgjuar më shumë se tri vite, por Sheqerja edhe më tutje e donte dhe e kishte respektuar zgjedhjen e saj. Ndoshta, pikërisht edhe kjo i ishte arsyeja pse Merita ishte shoqja e saj më e mirë, shoqja më e ngushtë, me të cilën nuk ishte e lidhur edhe aq emocionalisht sa ishte me Melin, por ato nuk mund ta lëndonin.

KAPITULLI I NJËMBËDHJETË

Dhjetë minuta më herët kishte dalë në rrugë, me valixhe në dorë, plot me rroba. Dita ishte e mirë dhe po premtonte një vozitje të këndshme. Gjithkund kishte gjallëri, nëpër vetura kishte plot vajza të bukura dhe të buzëqeshura, përderisa nëpër rrugë shiheshin grupe me fëmijë, që bisedonin plot me gjallëri. Sheqeren gjithçka po e gëzonte atë ditë. E më pas një veturë ndaloi para këmbëve të saj. Shoferi doli prej saj dhe ngadalë iu ofrua duke ia dhënë dorën. Nuk kishte mundur ta fshihte befasinë që po i ndodhte. - Ju? Mirlindi ishte ai, i veshur me një këmishë të lehtë dhe një palë xhinse. Ai buzëqeshi dhe vetëm uli krahët. - Jam rregulluar mirë dhe ëmbël. Kam disa obligime dhe detyrime në hotel dhe kam menduar se nuk do të ishte ide e keqe nëse ne të dy udhëtojmë së bashku. Ndoshta do t'ia dal t'ju shërbej me diçka dhe t'ju bind që ta pranoni punën. Vetëm kur kishin filluar të largoheshin nga qyteti, Sheqerja e kishte kuptuar se ditët e ardhshme do t'i kalojë në shoqërinë e një djaloshi sharmant. Në njërën anë kjo po i pëlqente pa masë, atë pak a shumë po e njihte dhe kishte mundur ta pyeste për secilën paqartësi, por nga ana tjetër po ndihej disi si e shtangur në një shoqëri të tillë. Ai gjatë gjithë kohës fliste gjëra interesante, i kishte përshkruar njerëzit të cilët punonin në hotel si dhe të tjerët që shkojnë atje. Ajo tashmë ishte futur në një botë tjetër, në një botë të panjohur, në të cilën gjithçka po sillej përreth saj. - Grekët, sikurse edhe shumica e evropianëve, sikurse edhe amerikanët, nuk ishin bixhozçinj me të cilët ne jemi mësuar. Ata shkonin me familje, argëtoheshin dhe nuk kujdeseshin edhe aq fort se sa të holla do të humbasin, e sidomos jo për ato që do t'i fitonin.

Natyrisht, ata edhe duan të fitojnë, por nuk janë të mllefosur dhe nuk shajnë kur humbin, as nuk godasin tavolinën apo aparatin kur kjo u ndodh. Ne shqiptarët jemi disi më ndryshe, luajmë bixhoz që shumë lehtë të pasurohemi, kështu që jemi në gjendje të shesim gjithçka, vetëm për të fituar. Ajo po kënaqej derisa ai po bisedonte. Shpeshherë duke e shikuar Sheqeren, po dilte nga rruga, po për fat po voziste ngadalë, e në sytë e tij kishte diçka që e shtynte atë më të dashur. Afërsia e tij e bënte nervoze, por prapë ajo po ndihej shumë e qetë. Dëshironte të besonte se kjo ishte vetëm një tërheqje fizike dhe ishte një tërheqje vetëm momentale. /vijon 

(Kosova Sot Online)