Ngajrje e vërtetë: Për ty (3)

  • 20 maj 2020 - 15:55
Ngajrje e vërtetë: Për ty (3)

Dikur, para se të shkaktohej ndarja, mua më mjaftonte vetëm buzëqeshja jote dhe do të isha personi më i lumtur në jetën time. Buzëqeshja jote për mua do të thoshte rregullim i disponimit. E tash, kur e shikoj veten time në pasqyrë, e shoh se për të qenë e lumtur e kam shumë të vështirë, pothuajse për mua kjo është krejt e pamundur. Po ashtu, në momentin kur ti më përqafoje ndihesha shumë e sigurt dhe e dashuruar, e ndieja veten se dikush më dashuron dhe kjo ndjenjë ishte shumë e mirë. E tani, po ndihem e pasigurt në veten time. Po, është e vërtetë se ka shumë njerëz përreth meje, të cilët pothuajse për çdo ditë që agon mëngjesi ma ofrojnë dashurinë e tyre, më ofrojnë përkrahje, por tashmë asgjë nuk ka vlerë, sepse asgjë nuk kam kur nuk të kam ty.

Ti ishe ai që gjithmonë më dhuroje forcë dhe vullnet të ecja para, edhe në ato momente kur e kisha shumë të vështirë. Kam menduar se me kalimin kohës do të të harroj, do të ndaloj së dashuruari dhe të eci para dhe të mësohem pa ty, por kjo nuk po funksionon, pasi që jam e lidhur pas teje. Po, është e vërtetë se kanë humbur mjaft ndjenja, për këta 3 muaj jam humbur dhe shumë herë jam zemëruar, dhe se mendoj se ke ndryshuar shumë, por zemra kërkon diçka tjetër, nuk po ndalon së dashuruari ty, pa marrë parasysh gjithçka tjetër. Një dashuri si kjo jona nuk mund të harrohet për tre muaj. Të gjithë më thonë të të harroj, sepse ke shkuar tashmë, por, atë që e dashuron, ajo që dashurohet, dashurohet edhe kur largohet. Ndoshta edhe mund të pajtohemi, që gjithçka të kthehet përsëri, e koha kalon e nuk ndryshon asgjë tjetër. Shihemi, puthemi, krejt është si shokë, e kur dëshirojmë që të largohemi prej njëri-tjetrit, nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë, jemi tepër të lidhur. Fjalosemi, qetësohemi, shoqërohemi, puthemi, urrehemi. Nga dita në ditë ndjenjat po më përzihen. E, koha vetëm kalon, e unë nuk dua të kaloj kaq shumë kohë, që të kalojë gjithçka, që të jetë vonë për ne të dy. E di se kurrë nuk kam luftuar për ty, atëherë kur ishte dashur që më së shumti ta bëj këtë, unë po qëndroja në shtëpi dhe po qaja. Derisa ti gjithmonë luftoje për mua dhe jepje gjithçka që ishte në fuqinë tënde që gjërat të kthehen në të vjetrën. E di se kam bërë shumë gabime në lidhje, por do të jepja gjithçka nga vetja ime që kjo të ndryshohej. Sepse e di se përsëri mund t'ia dalim, të provojmë, ta bëjmë. Sepse këta jemi NE, e di se mundemi nga fillimi, sepse kurrë nuk është vonë për një fillim tjetër, fillim të ri. E di se ndoshta asgjë nuk do të jetë si më parë, ndoshta edhe kurrë nuk mund të jetë ashtu si më parë, pasi që të dy ne kemi ndryshuar shumë, por ndoshta mund të nisemi nga zeroja, të nisemi nga fillimi, përsëri të provojmë, ndoshta ia dalim sërish. Ndoshta do të dashurohemi përsëri, do ta dashurojmë njëri-tjetrin, sepse mendoj se ne të dy e meritojmë edhe një mundësi. Vetëm kujtoje se cila ishte periudha më e lumtur e jetës tënde, kur ishe më i lumturi, kur për çdo ditë ishe i buzëqeshur, kur je ndier më së miri, me kë ke kaluar ditët tua më të bukura dhe më të lumtura. Ndalu dhe mendo, a e meritojmë edhe një mundësi a mos vallë sonte po ia vëmë pikën çdo gjëje, a me të vërtetë sonte po merr fund tregimi ynë? Unë sot, edhe ty edhe vetes sime po ia dhuroj një mundësi, mundësinë e fundit. Nëse je i gatshëm, atëherë edhe unë jam e gatshme, po të pres në vendin tonë të vjetër. Të lutem, eja sonte, eja se jam duke të pritur…!

Dhe, për fund, nëse nuk vjen dhe e pranon se nuk kemi nevojë edhe për një fillim, edhe për një mundësi të fundit, vetëm dua të të them se të falënderoj për gjithçka që ke bërë për mua dhe të falënderoj për ditët dhe muajt më të mirë të jetës time. FUND

(Kosova Sot Online)