Roman dashurie: Sharmant apo romantik (21)

  • 22 May 2020 - 15:31
Roman dashurie: Sharmant apo romantik (21)

KAPITULLI I DYMBËDHJETË

Kur kishte hyrë në dhomë, përkatësisht në apartament, e kishte kuptuar se çfarë kishin kuptimin pesë yje. Muret ishin me ngjyrë të kajsisë, a ty po qëndronin të varura piktura të shtrenjta. Ndriçimi ishte mahnitës. Disa ndërprerës po mundësonin lojën me drita sipas shijes së klientëve. Po shëtiste nga dhoma në dhomë ku po qëndronin dolla të mëdhenj. E një dhomë tjetër ishte sikurse dhoma prej lëkurës së zezë, kishte televizor të madh, disa mini-bare dhe tavolina e rrumbullakët për dy veta. Në tavolinë po qëndronin dy pjata, dy gota për verë dhe dy për shampanjë, si dhe një enë e mbushur me pemë ekzotike. Kishte marrë frymë thellë duke menduar se e gjitha ishte e rezervuar për dy veta, për një çift të dashuruar, i cili, pos një nate të kaluar plot pasion, do të mundej të porosiste kafjall dhe do ta ndienin afërsinë e mëngjesit. Më pas ia kishte mësyrë dhomës së gjumit. Po shikonte murin dhe shtratin e gjerë, në të cilin pa kurrfarë problemi do të mund të flinin katër persona, e jo dy. Çarçafët ishin me ngjyrë të hirtë në të bardhë, e shtrati në të cilin u hodh ishte i butë, pikërisht shtrat dashnorësh. Të mëdhenj ishin edhe jastëkët, të cilët po përqafonin kokën e Sheqeres dhe ajo po qeshte nga e gjithë kjo që po e përjetonte. Ana e jashtme ishte krejt në xham, përderisa dyert vetvetiu e shpien në tarracë, ku po shihej parkingu i mbushur me vetura si dhe gjelbërimi që hotelin e bënte të veçantë.

E gjithë kjo pamje po i ngjante një Las-Vegasi të vogël, një vendi ku ata që luajnë bixhoz kur dalin dhimbjen e shërojnë me pamjen e bukur të hotelit. Së paku ajo kështu e imagjinonte. Xhakuzi me bardhësinë e tij po e tërhiqte për ta provuar trupin e saj dhe ashtu bëri. Derisa uji po e pushtonte trupin e saj, Sheqerja po e shikonte trupin e saj në pasqyrën e kabinës së dushit. Në një dollap të vetëm kishte kremra të ndryshme, shamponë, sapunë dhe qumësht për trup, përderisa peshqiri i madh me shenjën e hotelit ishte aty.

Kishte vërejtur edhe dy mantele për banjë dhe dy pale sandale. Dhe, porsa kishte filluar të zhvishej, dikush trokiti në derë. Ishte e sigurt se ishte Mirlindi dhe vrapoi ta hapte derën. Por, në derë ishte një djalosh me uniformë hoteli, i cili kishte mbetur i habitur me dukjen e Sheqeres. Ai po shtynte një karrocë me shampanjë. Në gjuhën angleze i kishte thënë se kjo porosi ishte për të. E la të futej brenda dhe ta vendoste shampanjën në tavolinë dhe në gjuhën angleze i ishte falënderuar. Kur e kishte mbyllur derën, zemra po i rrihte shumë shpejt, dhe ishte pyetur me vete se a do të ishte më mirë t'i jepte një bakshish. /vijon/

(Kosova Sot Online)