Ngjarje e vërtetë: Shokët më të mirë (1)

  • 31 maj 2020 - 18:15
Ngjarje e vërtetë: Shokët më të mirë (1)

Kah fundi i nëntorit, Vera u kthye nga studimet në shtëpi për herë të parë. Ligjëratat dhe ushtrimet e kishin preokupuar të tërën dhe pa marrë parasysh se studimet e psikologjisë ishin realizim i ëndrrave të saj, tani ishte shumë e lodhur. Kishte vendosur të pushonte, të rrinte me prindërit, me vëllain dhe me shoqet, e më pas, e freskuar dhe plot elan, të kthehej në kryeqytet. Pas një përshëndetjeje të gjatë dhe të ngrohtë me prindërit dhe me vëllain, ajo vendosi të takohej me shoqen më të mirë, Hanën. Shtatshkurtër, e gëzuar, e bukur, me flokë të verdha, kaçurrela dhe të gjata, Hana ishte plot jetë. I pëlqente të punonte në shtëpi, që të bënte ëmbëlsira, edhe pse ishte nxënëse e shkëlqyeshme. Kishte mbaruar gjimnazin dhe i kishte bindur prindërit që ta lejonin të studionte gjermanishten. Vëllai i madh i Hanës tanimë studionte në atë universitet, kështu që prindërit e saj nuk e kishin të lehtë të, me ato rrogat e tyre të vogla, të paguanin edhe studimet e saj. Për këtë shkak, ata hamendeshin, e Hana ishte tepër e shqetësuar dhe nuk kishte durim. Vëllai i Hanës, Iliri, zeshkan, me flokë të zi e të bujshëm, të cilat kur i rriteshin i bëheshin lehtazi kaçurrela, kishte një trup mirë të formësuar dhe kishte sy në formë të bajameve.

Ai ishte shoku më i mirë i Verës. Ajo huazonte nga ai libra për të lexuar, të cilët ai i blinte pa hezitim nga paratë e tij të xhepit, apo i merrte si dhuratë nga të afërmit. Kështu, Iliri posedonte një bibliotekë solide, kurse Verës i konvenonte të merrte libra nga ai, t’i lexonte me një frymë dhe t’ia kthente, duke i diskutuar ata me Ilirin. Në fakt, nuk e dinte a më shumë i sillte kënaqësi leximi i librave, apo bisedat e gjata me Ilirin. Tani me padurim ngutej të shkonte te banesa e tyre, duke pritur me gëzim takimin me Hanën dhe Ilirin. Pasi që i ra ziles, dëgjoi Hanën duke u ngutur dhe duke bërtitur: “Shyqyr Zotit që t’u kujtuam edhe ne“! Më pas dera u hap gjerë e gjatë dhe Hana iu hodh në përqafim. Prapa shpinës së Hanës ajo pa sytë e gëzuar të Ilirit, i cili më pas u dëgjua me zërin e tij të thellë e të ngrohtë: “Na erdhi princesha“! Vera iu afrua, ia shpupurishi flokët me një lëvizje të dorës dhe i tha me buzëqeshje: “Ta tregoj unë ty princeshën! A kështu duhet të bëhet shaka me shoqen më të mirë, a?!“ Hana iu drejtua Verës: “Lëre, pashë Zotin! Prej se është dashuruar, është çmendur i tëri!“ Iliri ishte i shpejtë në reagimin e tij: “Çfarë dashurie, çka je duke thënë“! „Po, po! Shpëtimja ishte dy herë te ne, që të mësojnë bashkë, por ia ka lënë edhe byzylykun e saj.

Si në film!“, vazhdoi Hana e buzëqeshur, derisa Iliri e ndiqte nëpër dhomë. Vera i shikonte e habitur nga ajo që dëgjoi.“Çfarë dashurie, more? Budallallëqe!“ Më pas sikur u kthjell paksa, duke u munduar ta hiqte nga mendja pamjen e Ilirit, i cili ia ngrohte duart me frymën e tij një femre të pashme. “Nuk është e mundur, hej, bëhet fjalë për Ilirin, shokun tim më të mirë”. Ajo mundohej ta bindte vetveten. Hana filloi ta shikonte e habitur: “E, ti? Çka u mërrole? Çka po bën ashtu me kokë? Sikur të të mos njihja, do të mendoja... “. „Çka do të mendoje, motra ime e mençur?“, e pyeti Iliri, duke pushuar së ndjekuri. „Paj, do të mendoja se si princesha është xheloze që e humbi kalorësin e vet besnik!“. Vera dhe Iliri u shikuan ndër vete, duke buzëqeshur me zor, duke ndërruar temë dhe duke kërkuar nga Hana që të shkonin e të hanin. Të nesërmen Vera u zgjua me një ndjenjë të çuditshme sikur diçka i pengonte, sikur kishte humbur diçka, apo sikur, në fakt, nuk dinte çka donte. „Me siguri kjo është për shkak të asaj që më tha Hana, rreth të dashurës së Ilirit. Ai paska bërë të dashur, ani çka? Edhe duhet ta ketë një të dashur! Nuk mund të pres që ai...”. Vera e ndërpreu vetveten, mendimet e veta: “Nuk mund të pres... çka? Që mua të më bie ndërmend se sa i bukur, i mençur dhe argëtues është ai? Natyrisht se nuk do të më presë“. U ngrit me shpejtësi, qëndroi para pasqyrës dhe filloi ta kritikonte vetveten, sikur që bënte rëndom sa herë që nuk ishte e kënaqur me veten e saj: „E, çka ke menduar ti, Vera? Që ai të rrijë ashtu, të presë që ti, herë pas here, të bësh rahmet e ta vizitosh, t’ia shpupurisësh flokët, t’i buzëqeshësh, t’ia marrësh ndonjë libër, t’ia kthesh pasi që ta kesh lexuar, sikur të ishte ai bibliotekist, i obliguar të të presë e të të përcjellë?” (vijon) 

(Kosova Sot Online)