Roman dashurie: Sharmant apo romantik (32)

  • 02 June 2020 - 15:25
Roman dashurie: Sharmant apo romantik (32)

KAPITULLI I NJËZETEDYTË

E priste e veshur me një kombinezon të tejdukshëm të natës, me flokë të lëshuara, kurse buzët i kishte gjysmë të hapura, të cilat flisnin gjithçka. Ai nuk iu gjuajt sikur që kishte menduar ajo. Në fillim e puthi për një kohë të gjatë, e më pas e shtriu butësisht në shtrat dhe filloi ta ledhatonte, në mënyrë që vetëm në momentet e fundit të vetëkontrollit, të manifestonte një egërsi dhe vendosmëri më të madhe. Ajo nuk i kishte rënë pishman, e pas seksit filloi të qeshte me fjalët e tij. Ishte më pak “seks-bombë”, e më shumë një vajzë e rëndomtë, e cila kënaqet në shoqëri të djalit që e do. - Më duhet të të pyes pse ndërrove mendjen? Pse më thirre të të kthehem? Ai e ledhatonte në fytyrë, duke ia hequr një tufë flokësh anash. - Ndoshta kuptova se dua që ti të jesh këtu. - Diçka të shtyri të veproje kështu, apo jo? Nuk mundej assesi t’ia shpjegonte sesi kishte bërë një krahasim të thjeshtë dhe kishte vendosur. - Ne femrat jemi soj interesant, i çuditshëm.

Disa momente i prishim me qëllim, në mënyrë që të krijojmë hapësirë që momentet e së nesërmes të jenë më të mira. Petriti e puthi në krah. Ai nuk e ndante shikimin nga ajo dhe nga trupi i saj. - Ti mund ta bësh mashkullin të çmendet pas teje. Zoti ta ka dhuruar mundësinë që të kënaqesh sinqerisht duke bërë seks. Nuk e ke idenë sa shumë femra vuajnë në këtë drejtim, ndihen të hendikepuara. Edhe pse fjalët e tij i pëlqenin, Sheqerja filloi të pyetej pse, vallë, gjithçka që kishin, sillej rreth seksit. Bile edhe me Mirlindin, me të cilin kishte një joshje të madhe fizike, nuk ndjente se seksi ishte primar, meqë ai paraqiste prekje, të shoqëruara me fjalë të dashurisë, por edhe me emocione.

Petriti nuk ishte tip që i pëshpëriste duke i thënë se ka nevojë për të, por në anën tjetër, ishte në gjendje që të analizonte çdo moment të raportit që kishin në shtrat. - U zhyte në mendime? - Pak, po. - Për çka po mendon? - Rreth asaj se sa lehtë është të jesh dashnore, e me gjasë sa vështirë të jesh diçka më shumë se kaq. - E, pse nuk mendon se, ndoshta, të jesh dashnore, është mbi të gjitha të tjerat që një femër mund të jetë për një mashkull? Unë tani me ty ndihem aq i lumtur, i qetë, i rehatuar. Dhe, do të të giciloja dhe puthja në të njëjtën kohë. Dua të të shoh sesi kënaqesh dhe buzëqeshë. E, sikur kjo lidhja jonë të ishte më serioze, atëherë në një moment të këtillë do të doja të flija, apo të largohesha sa më parë. - Po, ndoshta magjia qëndron te fakti se çdo gjë ishte e paplanifikuar, tani për tani. - Lëri këto llafe të rënda. Mendoj se asnjërit nga ne nuk i pëlqejnë premtimet e mëdha dhe mendimet se çka do të bëhet nesër. Pse nuk ma sjell një gotë të re, që t’i mbledh forcat për një sulm të ri? Ajo buzëqeshi dhe u ngrit, e vetëdijshme se Petriti ishte duke e përpirë me sy trupin e saj lakuriq. (vijon) 

(Kosova Sot Online)