Roman dashurie: Sharmant apo romantik (35)

  • 05 June 2020 - 15:30
Roman dashurie: Sharmant apo romantik (35)

Megjithatë, kur të nesërmen u gjet para dyerve të kompanisë, me dosjen plot dokumente, filloi të dridhej. Sikur e kishte kapur njëfarë rryme e rrezikshme. Donte të ikte, të shpëtonte nga sytë e Mirlindit. I ra interfonit, e dyert më pas u hapën vetë. Zyrat ishin boshe dhe dukeshin edhe më keq sesa kur ishin plot me njerëz. Nuk ishte askush, e hetohej se orari i punës kishte kaluar dhe se ajo ishte aty vetëm me Mirlindin. Sa e vështirë ishte ajo situatë për të. Trokiti në derën e tij, duke mbledhur atomin e fundit të energjisë. E, pasi që e dëgjoi zërin e tij që i thoshte të hynte, iu duk se i humbi tërë fuqia. Iu deshën disa sekonda që ta kapte bravën e derës. Ai rrinte ulur pranë tavolinës së tij, derisa kishte veshur një këmishë të zezë. Nën sy i shiheshin qeskat e zeza. Në buzë i shihej buzëqeshja pasi që e pa, por vetëm ia zgjati dorën. - Më vjen mirë që të shoh, Sheqere. Ajo u ul, duke lëshuar rastin që t'i përgjigjej në një mënyrë të njëjtë. - Si je? - Mirë jam, e ti? - I lodhur, i shkatërruar, buzë çmendjes. Por, i këtillë jam tash e një kohë të gjatë. Ndonjëherë më ndodhë diçka që ma kujton se, megjithatë, ende jam njeri, e jo robot, sikur që ishte ajo që përjetova me ty. Ajo e përkuli kokën. Kjo bisedë nuk duhej ta merrte këtë drejtim.

- Mirlind, i kam bërë skicat dhe regjistrin e materialit. - E di, Blerimi më ka njoftuar për gjithçka. - Ja, mund të shikosh. Ai bëri me dorë kah dosja, të cilën ia ofroi ajo. - Nuk ka nevojë. Ajo ishte e hutuar. E tëra që ajo kishte në mendje, ishte puna, për çka edhe kishte ardhur, e ai sillej krejt i painteresuar. - Por, duhet t'i shikosh, mendoj se ka ardhur koha që ta ndërmarrim hapin tjetër. Njëfarë shprehje e padurueshme në fytyrën e tij e bëri të heshtte. Ndjeu se diçka nuk ishte në rregull. - Sheqere, më duhet të ta them. Më vjen keq, por nga kjo punë nuk do të ketë asgjë.

Ajo mbeti gojëhapur nga habia. I ra ndërmend paradhënia të cilën e kishte marrë dhe që tani i duhej ta kthente edhe pse tanimë kishte blerë disa gjëra të bukura. Dhe jo vetëm kjo. Iu kujtuan edhe netët gjatë të cilave kishte vizatuar, shkruar dhe fshirë, duke dashur që atë detyrë ta bënte sa më mirë që të ishte e mundur. Mirlindi ofshau dhe u zhyt në kolltukun e tij. Në fytyrë i shihej sesi mundohej t'i gjente fjalët adekuate. - Shiko, unë e kam lënë atë punë, atë hotel. Kanë ndodhur disa gjëra midis nesh pronarëve, që ishin tepër të këqija dhe të cilat nuk do t'i rikujtoja, përpos nëse insiston t'i dish. (vijon)

(Kosova Sot Online)