Roman dashurie: Sharmant apo romantik (37)

  • 07 June 2020 - 15:16
Roman dashurie: Sharmant apo romantik (37)

Me dorë ia lëmoi faqen. - Atëherë, pse nuk më thirre? - Pse nuk më thirre ti mua? - Nuk e di. Mendoja se ti duhej të më thërrisje mua. - E unë e prisja thirrjen tënde. Si fëmijë shpresoja, çdo thirrje do të ishte shpresë për mua që ndoshta ishe duke më thirrur ti, të paktën të më pyesje sesi jam. - Mirlind, nuk e dija se çka doje. - Mendoja se këtë ta kisha bërë të qartë kur ishim poshtë, në hotel. Mendoja se kishe kuptuar se të dua ty. U puthën. Çdo gjë që kishte shtyrë nga vetvetja, tani i ishte kthyer si bumerang. Iu dorëzua duke e dëgjuar se çka i pëshpëriste. Tavolina e tij shumë shpejt u shndërrua në shtratin e tyre. Në një moment mendoi për Petritin, por shumë shpejt e harroi atë dhe për të nuk ekzistonte askush tjetër, pos Mirlindit.

KAPITULLI I NJËZETEPESTË

E parkoi veturën para ndërtesës. Ende ishte duke buzëqeshur, sikur që mund të buzëqeshë vetëm një femër e kënaqur dhe e lumtur. Automatikisht i ledhatoi flokët me dorë. E dinte se buzët i kishte të skuqura, kurse rrobat e rrudhura, se trupin e kishte të nxehtë. Mirlindi e kishte puthur gjatë, i thoshte se e donte vetëm për veten e tij, se kishte kohë që nuk e kishte dëshiruar dikë sikur që e dëshironte atë tani. Kur u ndanë, midis tyre u arrit marrëveshja e heshtur që më nuk do të ndahen kurrë për kaq shumë kohë. Doli nga vetura duke e kënduar njëfarë melodie, duke mos iu kushtuar vëmendje njerëzve që e shikonin me habi.

E më pas u ndal, e tronditur nga pamja e një të riu i cili ishte mbështetur në një automobil të kaltër. Ai e priste atë. Derisa i afrohej, duke tentuar që sa më mirë ta aktronte befasinë e këndshme, e dinte se si dukej dhe ishte e vetëdijshme se do ta kishte vështirë ta fshihte mëkatin që sapo e kishte bërë. Tani filloi me të vërtetë t'i vinte turp, sepse vetëm tani u bë e vetëdijshme se çka kishte bërë. - Prej nga dole ti? A ma ke zënë pritën, a? Zakonisht Petriti buzëqeshte kur ajo i afrohej, por tani në fytyrën e tij ishte një maskë e ftohtë, kurse shkëlqimi në sytë e tij nuk ishte sharmant, por agresiv, i çmendur. I qëndronte mjaft afër, saqë të mos mendonte se ajo kishte diçka kundër saj, por edhe mjaft larg, saqë ai të mos mund ta lëndonte. 

Ka dy orë që të thërras në telefon. U brengosa, nuk e dija ku ishe. - Isha në takim. Ai e mati me shikim, nga koka e deri te thembrat. - Këtë e shoh. Me gjasë takimi ka qenë shumë i suksesshëm. E dinte se ai ishte sarkastik, por nuk kishte mbrojtje më të mirë nga ajo që të shtirej sikur këtë sarkazëm as që e vërente. - Nuk ishte aq i suksesshëm. E humba atë punën në të cilën kam punuar këto ditë. Ai e ngriti vetullën. - E humbe? - Po, për fat të keq. - Atëherë me gjasë nuk i ke manifestuar të gjitha aktivitetet tua të shtratit.

(Kosova Sot Online)