Roman dashurie: Sharmant apo romantik (43)

  • 13 June 2020 - 16:04
Roman dashurie: Sharmant apo romantik (43)

KAPITULLI I TRIDHJETË Kur Mirlindi ishte kthyer, u duk tepër i lumtur. Menjëherë kishte ardhur tek ajo dhe i kishte treguar se si kishte përfunduar shumë punë me rëndësi, madje më lehtë sesa që kishte menduar. Ajo po e dëgjonte me ëndje, por në kokë po i sillej Petriti, me të cilin nuk ishte dëgjuar që nga ajo mbrëmje. - Vetëm ti më ke munguar. Prekja e tij në dorën e saj ishte e njëjta, si gjithmonë, por ishte indiferente. Thuajse diçka nga takimi me Petritin e kishte lënë të zbraztë, magjia ishte zhdukur dhe Mirlindi nuk e kishte atë shkëlqimin që e kishte dikur. - A po më dëgjon ti mua? E dashur, diçka po më rri në mendime, a është gjithçka në rregull? - Po, vetëm jam paksa e lodhur. Puna në filmin e ri kishte një ritëm të shpejtë.

Më vjen keq. - Që tani ne të dy do të futemi në xhakuzi dhe do të relaksohemi përderisa problemet le të mbeten diku larg, përderisa ti dhe unë do të jemi përsëri bashkë, me jetët tona, në botën tonë. Më pëlqen kjo botë me ty. Është aq e qetë, e bukur dhe e butë. "E unë po filloj të iki nga ajo botë vetëm për faktin se është aq e qetë, e butë dhe e relaksuar", po mendonte me hidhërim, duke ia hedhur vetvetes së saj. Kishin shkuar tek ai. Mirlindi në fakt ishte një njeri i butë, por atë mbrëmje me të vërtetë ishte mashkulli më i dashuruar në planet. Po i pëlqente nga koka e deri te thembrat dhe po kënaqej me secilën pjesë të trupit të saj dhe të shpirtit të saj. Po dëshironte që edhe ajo ta dashuronte, që t'i hakmerrej një bukuroshi të rrugëve dhe të përcaktohej për këtë mburrë të bukur, që aventurën ta zëvendësojë me siguri.

Telefoni ishte tepër i zhurmshëm që të mos i zgjonte. Sytë e përgjumur të Mirlindit u takuan me sytë e Sheqeres. - Po cingëron telefoni yt? Ora skaj shtratit po tregonte rreth pesë në mëngjes. Kishte kërcyer nga shtrati dhe e kishte marrë telefonin nga çanta, e me tmerrim po e shihte se nga kush po vinte porosia. Ishte e vetëdijshme se po e përcillte shikimi i Mirlindit, se po e pret hapin e ardhshëm. U lajmërua. Zëri i Petritit ishte turbulluar nga alkooli, dhe madje siç po dukej nga një sasi e madhe. Në prapavijë po dëgjohej edhe zhurma se si ishte ulur në ndonjë kafene, i mbështetur në qoshen e një karrigeje, me këmbë të kryqëzuara, i rrethuar me shokë dhe ndonjë shoqe aty rrugës. - A të kam zgjuar? - Po, më ke zgjuar... Pse po më thërret në këtë kohë? - Të them diçka... në fakt, dua të këndoj diçka për ty.

Jo unë, por dikush që këtë e bën më mirë sesa unë. Po dëgjohej se si po thërriste një djalosh, e më pas përmes telefonit ia kishte kënduar këngën e tyre të preferuar, këngën popullore "Unë të thërras me këngë". Iu desh ta dëgjonte të tërën, nuk e dinte si ta ndërpriste lidhjen, e që Petriti këtë të mos e kuptonte. Kur kishte përfunduar fjala e fundit e këngës, përsëri e kishte dëgjuar zërin e turbulluar me plot alkool. /vijon/

(Kosova Sot Online)