Roman dashurie: Sharmant apo romantik (47)

  • 17 June 2020 - 15:30
Roman dashurie: Sharmant apo romantik (47)

 Unë të jem e dashura jote? Kurrë nuk e kam menduar ndonjëherë se dikush mund të jetë e dashura jote. - Pse? - Pasi që je shumë jo serioz për diçka të tillë. Nuk lajmërohesh për disa ditë rresht, e kur lajmërohesh, ky është vetëm seks dhe asgjë më shumë. - Kjo të ka penguar? - Po. Nganjëherë. - Pse kurrë nuk ma ke thënë një gjë të tillë? - Pse a do të ndryshonte vallë kjo diçka? Nuk po buzëqeshte më, ishte shumë serioz. - Natyrisht se do të ndryshonte! Edhe unë kam dëshiruar të shihemi më shpejt, por ti nuk e ke dhënë asnjë shenjë të mundshme se diçka e tillë do të shkonte për shtati. Gjithçka pranoje ashtu si ishte. Dhe, nuk më ke thirrur. - Çfarë budallaqe e vogël qe je! Po m'i prekte flokët dhe po më ledhatonte në kokë si të isha një fëmijë i vogël dhe më puthi në hundë. - Një femër kaq e suksesshme, por në fakt kaq qyqare, kush do të thoshte kështu.

Kapitulli i tridhjetekatërtë

Petriti me të vërtetë kishte të dashur, kështu po sillej ndaj Sheqeres në muajin që ka vijuar. Nuk kishte më ndonjë pauzë në takimet midis tyre, ishin një çift i vërtetë, ditë dhe natë, e ajo posedonte fuqinë që ta merrte edhe nga miqtë e tij kur dëshironte. Në mbrëmje ekskluzivisht dilnin vetëm ata dy, kështu që nuk mendonte më për vajzat e tjera. Edhe pse nganjëherë ishte shumë interesant dhe aspak serioz, do të mund të thuhej se ajo ia kishte dalë që ta ndryshojë atë, të jetë ai Petriti që asaj i nevojitej. Ishte shumë e lumtur dhe për këtë fakt edhe ajo ishte e vetëdijshme. Për një kohë Mirlindi ishte kthyer në mendjen e saj, por vetëm si një mashkull i bukur, të cilit nuk ia kishte plotësuar lutjen dhe e kishte larguar nga vetja e saj. Po e zemëronte fakti se pse derisa ishte me Petritin nuk po mund ta largonte Mirlindin nga koka.

Shoqja e saj e kishte festuar ditëlindjen dhe e kishte ftuar të shkonte për tortë. - Nuk do të organizoj kurrfarë ndeje, vetëm disa njerëz do të vijnë. - Në rregull, do të vij. - Por, të lutem mos eja me Petritin. Shoqes së saj, Meritës, nuk i kishte shkuar mirë me Petritin, prandaj si të uleshin që të tre në një tavolinë. Sheqerja e dinte se shoqja e saj kishte të drejtë. - Mos u brengos, do të vij vetëm. Petriti e kishte kuptuar fare mirë situatën dhe kishte shkuar diku tjetër. Kur kishte shkuar atje, Sheqerja kishte takuar vetëm edhe Meritën dhe dy shoqe të tjera. Kishte hyrë në një bisedë të panevojshme, të përbashkët me to. Për një moment, njëra e kishte pyetur Meritën se ku banon, e kur e kishte marrë përgjigjen, befasisht kishte thënë se i dashuri i saj me të cilin ishte njoftuar jo moti po jetonte në atë hapësirë. (VIJON)

(Kosova Sot Online)