Ngjarje e vërtetë: E prishi fejesën për faj të prindërve të tij (4)

  • 18 qershor 2020 - 15:32
Ngjarje e vërtetë: E prishi fejesën për faj të prindërve të tij (4)

Kur përfundimisht e mora lidhjen, vetëm më njoftoi: - Blerina, më fal, kam probleme të mëdha. Vëllai është në spital, i kanë zbuluar diçka në zemër. Një të metë, po thonë dhe i duhet të bëhet operacion - zëri i tij dukej i shqetësuar, prandaj harrova t'i tregoja se e kisha dhënë provimin e fundit. - Më lajmëro kur të mundesh. Nëse të duhet ndonjë ndihmë për vëllain. Dua të them, nëse keni nevojë për para, për shërim... - Jo, jo. Assesi. Gjithçka është në rregull - refuzoi paksa me një ftohtësi. Përfundimisht, pas dy javësh arritëm që të takoheshim. Doli që ajo të ishte hera e fundit. - Çka ndodhi? Si e ke vëllain? - menjëherë hetova se diçka nuk ishte në rregull. Bardhi dukej tepër keq. Sikur të mos kishte fjetur me ditë të tëra. Nuk ishte rruar. Më kaploi një parandjenjë e keqe, meqë pashë se nuk bëhej fjalë vetëm për vëllain e tij. - Më mirë është. Por, do ta operojnë - më tha, e më pas menjëherë vazhdoi diçka tjetër, duke mos më lënë që të flisja: - Blerina, kam menduar. Lidhja jonë nuk ka të ardhme. Unë kam shumë probleme. Ti së shpejti do të bëhesh doktoreshë. Do të shkosh në specializim - më tha, duke mos më shikuar. Fjalët e tij nuk kishin asnjë kuptim për mua. Asnjëherë deri tani nuk kishte manifestuar pakënaqësi me faktin që do të bëhesha mjeke, e ai punon si automekanik.

- Për çka e ke fjalën, ore? Paj këtë e kemi ditur që nga fillimi. A nuk më do më, a? - as vetë nuk e di pse ia bëra këtë pyetje, por ajo sikur ishte e mirëseardhur për të: - Nuk qëndron problemi këtu, Blerina. Por, nga dashuria nuk mund të jetohet. Që të dy jemi të ri dhe nuk e kemi kohën që të martohemi. Unë thjesht nuk kam kohë për tërë këtë. - Për tërë këtë? Dëshiron të thuash, për mua? - isha në të njëjtën kohë edhe e tronditur, e edhe e zhgënjyer. Më kaploi një mërzi tepër e madhe, meqë arrita deri te përfundimi se nuk më donte më. - Nuk desha të them ashtu. Por, ka ardhur koha që të ndahemi. Nuk e paskemi pasur të shkruar. - Ti nuk mendon me të vërtetë kështu, apo jo? Më trego, çka ka ndodhur? - ndjeja se ai ishte duke më fshehur diçka, por këtë e lidhja me problemet në familjen e tij. - Asgjë nuk ka ndodhur. Blerina, mos i bëj gjërat edhe më të vështira. Këtë që e them, e mendoj seriozisht - më tha ai. Kur vërejti lotët e mi, më tha me padurim: - Do të të çoj në shtëpi. Më vjen keq. - Jo, jo! Vetë do të shkoj - në mua u paraqit krenaria, prandaj e hapa derën e automobilit të tij të vjetër. Ishim para fakultetit, ku ai rëndom më priste, por kësaj here çdo gjë ishte ndryshe. - Mund të të dërgoj - përsëriti, tani sikur duke mu lutur. Më as që mund ta shikoja. Isha e dërmuar nga dhembja, por përpiqesha që të mos e shfaqja sesa më kishte lënduar. Më linte pa ma dhënë një shpjegim të qëndrueshëm. Në vetvete mendoja, mos e ka gjetur një tjetër. - Me të vërtetë më vjen keq që po ndahemi kështu. Më lër që të të çoj unë - më tha, sikur të donte të ndaheshim miqësisht. Por, mua as që më shkonte ndërmend një gjë e tillë.

- Në rregull është. As unë nuk kam më çka të të them ty - thashë me ftohtësi dhe dola jashtë. Para se ta rrapëllija derën, dëgjova sesi më thërriste në emër. Por, pak më vonë isha e sigurt se një gjë e tillë vetëm më ishte shtirë. Prita derisa u largua automobili i tij. Më pas ia krisa vajit, e arriti të më qetësonte vetëm Ganimetja. Pasi që përfundimisht, atë ditë të tmerrshme, arrita në shtëpi, prindërit i evitova, e për habinë time, ata as që më pyetën se ku isha, përkundër asaj se mund të shihnin sa e trishtuar që isha. Vetëm disa ditë më vonë iu tregova pa emocione, se unë dhe Bardhi ishim ndarë. (vijon)

(Kosova Sot Online)