Ngjarje e vërtetë: E prishi fejesën për faj të prindërve të tij (5)

  • A.P /
  • 19 June 2020 - 15:33
Ngjarje e vërtetë: E prishi fejesën për faj të prindërve të tij (5)

- Kështu është më së miri, shpirt. Do të shohësh – më tha nëna, derisa babai nuk bëri asnjë koment, gjë që më habiti, për shkak se kisha pritur që të dy do ta shfaqnin entuziazmin e tyre më shumë. Sikur ta dinin se Bardhi dhe unë nuk kishim një të ardhme të përbashkët, mendova derisa kujtoja ato ditë të tmerrshme nga të cilat kishin kaluar më shumë se gjashtë vjet. Dardani hapi derën dhe hyri në dhomën e ditës: - Pse po rri në terr? – tha duke ndezur dritën. E përgatita darkën dhe, derisa hanim në qetësi, mendoja rreth dy viteve të fundit të martesës me Dardanin. Tani kuptova se me të isha martuar pasi që më kishin bindur prindërit. Kisha lejuar që të manipulonin me mua dhe të më bindnin se Dardani ishte “ai i vërteti” dhe se duhej të martohesha me të.

Përpos kësaj, besoja se, me të, do t’ia dilja ta harroja Bardhin. Por, kjo nuk ndodhi. Gjatë muajve të parë mendoja se do të isha e lumtur me Dardanin, por më vonë, gjithnjë e më shumë, mendoja për ish të dashurin. A ishte martuar, a kishte fëmijë? Prej se ishim ndarë, nuk dija asgjë për të. Dardani donte të kishim fëmijë, por unë nuk mund të ngelesha shtatzënë, e më pas prindërit më bindën që të mos e “zgjeroja” familjen derisa Dardani të diplomonte dhe të punësohej. Kisha filluar të përdorja tableta të kontracepsionit, e kur kuptova se nuk isha e kënaqur me martesën, më përshtatej që nuk kisha fëmijë. Gjatë muajve të fundit ishim larguar krejtësisht dhe, duke e shikuar tani, pasi që ishim pajtuar se shkurorëzimi ishte zgjidhja e vetme, më ra ndërmend që ai kishte një tjetër. - Ke gjetur një tjetër? – e pyeta papritmas. Ai më shikoi i hutuar: - Prej kah të erdhi kjo pyetje? - Nuk e di. Më ra ndërmend. Edhe ashtu jemi duke u ndarë. Nuk do të ta shihja për të madhe – i thash me sinqeritet. Ai heshti për disa minuta, e më pas në vend të përgjigjes, ma ktheu me pyetje: - A ke qenë ndonjëherë e dashuruar në mua? - Nuk e di – thash sinqerisht, e më pas vazhdova, më shumë për vete. – Kisha menduar se isha, por që nga fillimi çdo gjë shkoi disi keq. - Po, sidomos prindërit e tu. Ata vendosnin për gjithçka – tha ai, duke akuzuar prindërit e mi, të cilët deri atëherë, para tij i mbroja. Por, jo edhe kësaj here. - E di se me ta nuk është lehtë. Mendonin se ishin duke punuar për të mirën time. - Por, kjo nuk ishte e vërtetë. Në fillim ta mbushën mendjen për këtë martesë, duke më ngritur mua në qiell, për të më përplasur më pas përtokë, sapo hoqa dorë nga studimet – tha me një ton akuzues, duke vazhduar më pas sikur të ishte duke u shfryrë: - Kishin planifikuar që dhëndri i tyre ta kishte një ordinancë stomatologjike, e pasi që u punësova si përkthyes në një kompani të vogël, më nuk isha i mirë për ta. Për shkak të tyre nuk doje të ngelje shtatzënë, apo jo? – më tha pas disa momentesh. - Ndoshta. Por, tani asgjë më nuk ka rëndësi. Fundja, kështu do ta kesh më lehtë që të më heqësh qafe – u mundova të bëja shaka, por Dardani vazhdoi të ishte serioz. Vazhdoi me akuzat kundër prindërve të mi: - Ata vendosën për të gjitha: ku do ta blinim banesën, kur do të shkonim në bregdet, cilën fundjavë do të drekonim te ta.

Gjithçka duhej të bëhej sikur thoshin ata. Bile edhe dhomën e gjumit ti e bleve bashkë me nënën tënde. Gjatë vitit të fundit më injoruan thuajse në tërësi. Ndonjëherë më bëhej sikur të kisha motër, e jo grua – më tha ai, duke më lënduar. Ishte evidente se as ai kishte kohë që nuk ishte i dashuruar në mua. - Nuk mu përgjigje? – ia rikujtova unë. - Çka? - A ke dikë tjetër? - A do të ishte për t’u çuditur edhe sikur ta kem?! - Nuk ke nevojë të jesh i pacipë – i thash unë pasi që u ofendova. - Më fal. (vijon)

(Kosova Sot Online)