Roman dashurie: Sharmant apo romantik (51)

  • A.P /
  • 21 qershor 2020 - 15:01
Roman dashurie: Sharmant apo romantik (51)

- Çka të shtyri që, në fund, të përcaktoheshe për mua? - Ndodhi diçka e vërtetë, duhej që të isha e lënduar, por unë isha e zemëruar dhe e lënduar nga vetvetja që kisha menduar se gjërat e njohura, të përditshme, do të më bënin më të lumtur sesa që isha e lumtur me ty. - Dhe, tani e di se çka do? E shikoi dhe vendosi që midis tyre kurrë më të mos kishte rrena. - Jo, nuk e di. Ai e shikoi në mënyrë enigmatike, i gatshëm që të dëgjonte diçka që nuk do t'i pëlqente. - Tani e di se çka nuk dua. E, ajo që dua është këtu. Midis këtyre mureve, por vetëm derisa ti je këtu. Do ta gjej, por duhet të më ndihmosh edhe ti. Ai ia lëmonte lëkurën. - Do të të ndihmoj, e dashur.

E dinte se do të ishte kështu. Mirlindi i kishte plotësuar premtimet e veta. Ai kurrë nuk do të ndalej në rrugë për t'iu vardisur ndonjë femre, vetëm pse një gjë e tillë ishte argëtuese. Mirlindi nuk bënte dashuri sa për t'u mburrur më pas, e as nuk e kishte mësuar romantikën nga shakatë e miqve të tij. Mirlindi të gjitha këto i kishte brenda, fisnik, i sinqertë, njeri i vetvetes, që nuk e kishte problem të donte dhe ta manifestonte këtë. E Sheqerja në vete ishte betuar se do t'ia kompensonte tërë atë që nuk kishte bërë për të deri tani.

KAPITULLI I TRIDHJETETETË

E shikonte se si zgjohej. Ia puthte fytyrën e përgjumur dhe e ledhatonte. Pasi që ai i hapi sytë dhe, pasi që e njohu buzëqeshi, ajo i pëshpëriti: - Zgjohu, i dashur. E priti që të zgjohej nga shtrati. Duke e mbajtur për dore, i ndihmoi që të ngrihej. Ai ishte pak i hutuar, por edhe si i tillë, qëndroi pranë shtratit. Ajo mori një kuti nga tavolina e vogël dhe i ra në gjunjë, para këmbëve. - Kjo është dita kur unë jam në gjunjë. Në vend të dhuratës ta ofroj një unazë, në vend të vetmisë ta dhuroj jetën time, e në vend të dashurisë deri në fund të jetës, ta ofroj përjetësinë. Urime ditëlindjen, i vetmi im! Ajo nxori unazën nga kutia dhe ia vuri atij në gisht. Ai e shikonte si i magjepsur e, më pas, e ngriti nga dyshemeja, duke i thënë: - Kur kam qenë më i ri, kam ëndërruar që, një ditë, do të më propozonte martesë një femër e bukur. Ma plotësove dëshirën. Por, të lutem, në dasmë më lejo mua që ta vesh kostumin, e ti vishe fustanin e nusërisë. Qeshën dhe u puthën. (Fund) 


(Kosova Sot Online)