Ngjarje e vërtetë: E prishi fejesën për faj të prindërve të tij (8)

  • 21 qershor 2020 - 14:59
Ngjarje e vërtetë: E prishi fejesën për faj të prindërve të tij (8)

Pas disa javësh përsëri isha femër e lirë. Prindërit u shqetësuan kur iu thashë se do të shkurorëzohesha, por shumë shpejt u largova nga shtëpia e tyre, duke thënë se isha për ngutë. Nuk guxova t'i pyesja rreth të së kaluarës, e bindur se edhe ashtu nuk do të merrja një përgjigje të sinqertë. Kur e thirra Ganimeten, ajo ishte për ngutë, por hetova se donte të më thoshte diçka. - Më vjen keq, Blerina, nuk mundem sot, kam mbledhje të prindërve. Djali ka filluar ta lërë mësimin pas dore. Por, më duhet të të them diçka. - Çka? - Isha dje me djalin te fotografi. I duhet një fotografi për një dokument. Dhe, paramendo kë e pash në njërën nga fotot? Bardhin. - Çfarë fotosh? - e pyeta. Ganimetes ende nuk i kisha treguar asgjë rreth dyshimeve që të mitë janë të përzier në ndarjen tonë. - Në mesin e shumë fotografive që ishin të ekspozuara aty nën xham, ishte edhe një foto e tij. Një fotografi nga një festë ditëlindjeje. Ende ishte i njëjti, një bukurosh i vërtetë. - Foto ditëlindjeje? Të fëmijës së tij? - e pyeta e kapluar nga mërzia. - Nuk do të thosha. Më shumë dukej sikur fëmijën e kishte diçka të afërt. Beben në krahë e mbante motra e tij. Monika, nëse nuk gaboj.

- Po - pohova unë dhe e pyeta se për cilin lokal të fotografimit ishte fjala. Nuk kaloi as një orë dhe unë dola duke vrapuar nga banesa. E dija se ajo që bëja nuk kishte kuptim, por më duhej ta shihja, të paktën në fotografi. Mora me vete edhe një punim, të cilin kisha ndërmend ta lidhja, meqë aty bënin edhe punë të tilla. Derisa vajza e re e lidhte librin tim, sytë e mi shëtisnin nëpër fotografitë e shumta të ekspozuara aty. Dhe, e gjeta atë që kërkoja. Ishte ai Bardhi, me flokë paksa më të shkurtra, por nuk kishte ndryshuar, sikur që më kishte thënë edhe Ganimetja. Fotografia ishte bërë në një lokal, e Bardhi qëndronte afër motrës së tij, e cila në krahë e mbante beben. Ai buzëqeshte dhe dukej i kënaqur. - Më falni, a e dini kush e ka sjellë për ta zhvilluar këtë foto? - e pyeta vajzën, duke bërë me gisht kah fotografia. Pyetja e habiti, e më pas rrudhi krahët: - Nuk e di. Por, edhe sikur ta dija, ne nuk japim informata të tilla. - Desha të them, a keni farë kontakti me këtë njeri. Ai është një mik imi i vjetër nga ditët e shkollës. Por, më ka humbur adresa e tij - provova edhe njëherë, por më kot. Vajza mohoi me kokë dhe më tregoi sa duhej të paguaja për lidhjen e librit. Dola në rrugë e dëshpëruar. Kurrë më nuk do ta shoh Bardhin. Nuk ishim takuar as deri më tani, prandaj me gjasë nuk do të takohemi as në të ardhmen. Kuptova se jeta ime ishte realitet, e jo ndonjë film romantik, në të cilin Bardhi do të hynte në dyqanin e fotografive sapo të hyja edhe unë. Kur pas disa ditësh u takova me Ganimeten dhe i tregova gjithçka rreth dyshimeve të mia, se për ndarjen tonë fajin e kishin prindërit e mi, në fytyrë i shihej zemërimi: - Këtë do të duhej ta dinim që më parë, nuk do të të linte ai ty vetëm ashtu. Prindërit e kanë fajin. Por, jo prindërit tu, por prindërit e tij - Prindërit e tij? E pyeta e habitur. Kjo kurrë nuk do të më shkonte ndërmend. Ganimetja se nga kush kishte marrë vesh për këtë, por e dinte situatën në detaje të tilla, saqë nuk linte asnjë dyshim në vërtetësinë e saj. - E, tani çka?! - Kjo nuk do të duhej të ishte problem.

Do ta kërkojmë në internet, në rrjetet sociale - më tha me ngazëllim Ganimetja, e cila sikur donte të shpaguhej për lajmin e keq që ma kishte dhënë. - Duket sikur nuk gjendet askund. Prit të provoj edhe një herë - tha Ganimetja, derisa unë rrija e qetë dhe shikoja rezultatet e kërkimit në celularin e saj. Dhe, përfundimisht emri i tij u paraqit. - Çka është kjo? Çka po shkruan këtu? - pyeta me padurim. - Prit. Janë disa informata. Shkruan se është pronar i një servisi të automekanikëve. - Ku? A ka ndonjë adresë? - Ja ku është - bërtiti me kënaqësi. Mezi arrita të flija atë natë. E kisha adresën e servisit të tij dhe kisha vendosur që ta kërkoja. Një Zot e dinte se çka më priste! (vijon) 

(Kosova Sot Online)