Ngjarje e vërtetë: E prishi fejesën për faj të prindërve të tij (8)

  • A.P /
  • 22 qershor 2020 - 15:29
Ngjarje e vërtetë: E prishi fejesën për faj të prindërve të tij (8)

Unë kisha frikë nga takimi ynë, por unë thellë në zemër dëshiroja ta shihja dhe ta takoja, së paku ta kuptoj si është. Isha e gatshme edhe ta pranoj faktin se tashmë ishte i martuar dhe kishte familje. Shpresoja se nuk do të zemërohej se e kam kërkuar. Por, prapëseprapë ne kemi kaluar një vit të mirë së bashku. Isha e bindur se edhe atij kjo i kishte lënë përshtypje, pa marrë parasysh se ishte pikërisht ai që më kishte braktisur mua. Kur të nesërmen e kam parkuar makinën time para lokalit të tij, ku punonte si automekanik, zemra ime po rrihte si e çmendur.

Ndoshta edhe nuk do ta takoj në vendin e punës, po mendoja ta kaloja rrugën. Aty pranë një makine po qëndronte një djalosh, i veshur me rroba të punës dhe plot me vaj. - A keni termin të rezervuar, zonjushë - më pyeti ashtu me qetësi. - Unë, jo, nuk kam. - Ajo atje është makina juaj - më bëri me kokë në drejtim të veturës sime dhe vazhdoi. - Sot nuk kemi shumë punë, nëse do të prisni vetëm pak - ai po mendonte se e kam sjellë veturën time për ta rregulluar. - Unë në fakt nuk kam ardhur... - Blerina - kam dëgjuar zërin prapa shpinës sime dhe jam kthyer. Fytyrë me fytyrë u takova me Bardhin. Po shpejtoja në drejtimin e tij e paaftë të them edhe një fjalë të vetme. Por, ai ia filloi i pari. - Të kam vërejtur nga brenda, derisa po e kaloje rrugën - po ma tregonte me dorë zyrën e tij. Unë edhe më tutje po qëndroja përballë tij. - Menjëherë të kam njohur. Nuk e ke ditur se jam këtu? E ke sjellë veturën për ta rregulluar, po ma merr mendja - edhe ai e kishte këtë qëndrim. - Jo, kam ardhur për të takuar. Si pas gjithë këtyre viteve? Ditë më parë e kam parë foton tënde. Në foto ishte edhe Monika - këto ishin fjalët e mia që i thashë pas një kohe të gjatë dhe pothuajse më nuk po mund të ndaloja. - Ah, atë foto. Monika e ka tash fëmijën e dytë. Para dy javësh. Vallë e paskan ekspozuar foton. - Bardhi i thjeshtë po e vazhdonte bisedën, si gjithmonë që e bënte një gjë të tillë. Njëjtë ishte po aq i bukur si dikur, pos se dikur kishte flokët e gjatë e tani i kishte shkurtuar. - Si je ti? Nuk paske ndryshuar aspak - po komente me buzëqeshje, e më pas pa e pritur përgjigjen më tha: - A je për një kafe? Mund ta ziej vetë, por nëse dëshiron mund të shkojmë edhe në kafene. Është afër këtu. Nëse nuk je për ngut. - Natyrisht, me gjithë dëshirë - pranova dhe më në fund fillova që të relaksohem paksa. Shkuam dhe jemi ulur në kafenenë më të afërt.

- Ende nuk ma the si je? Shpeshherë e kam pyetur veten time nëse je mirë, apo si je. Njëherë më duket se të kam vërejtur prej autobusit. Por, nuk isha i sigurt nëse ishe ti ajo - po fliste dhe po buzëqeshte. Vërehej qartë se po vinte mirë që po më shihte. Po e shikoja pa thënë asnjë fjalë të vetme, e prekur thellë në zemër nga takimi ynë. - Mirë jam unë. Po punoj në spital. - Dermatologe, apo jo? - Po, këtë edhe e kam specializuar. Prindërit gjithmonë kishin dashur ta marr neurologjinë, por ia dola të luftoj për fushën që e pëlqej - duke folur unë, nga fytyra e tij u zhduk buzëqeshja përderisa diçka më dhembi edhe mua në zemër. Vetëm përmendja e prindërve të mi midis nesh po krijonte pengesa. Për një kohë që të dy kemi heshtur, e më pas vendosa që ashtu haptas ta pyes: - A je martuar? Me siguri se po - po thosha unë, përderisa zemra ime gjithnjë e më shpejt po rrihte. - Pse je e sigurt se jam martuar - po më shikonte në sy? - Ashtu po mendoja… - nuk e dita se çfarë të them, e më pas, në vend se të përgjigjej më pyeti mua: - E ti? A je martuar ti? - Isha e martuar për dy vite. Deri para disa javëve. Jemi shkurorëzuar - po i shpjegoja atij dhe menjëherë i tregova se nuk kishim as fëmijë. - Sa keq. Ti me të vërtetë do të ishte një nënë e mirë - m'u përgjigj. - E ti? A ke fëmijë - po shtroja pyetje pa e ditur nëse ishte apo nuk ishte i martuar. - Nuk jam i martuar. E, ma merr mendja se as fëmijë nuk kam - tha duke buzëqeshur, kështu që të dy ia plasëm së qeshuri. Më tha se që para një viti ia kishte dalë ta hapte dyqanin e tij. (VIJON)

(Kosova Sot Online)