Ngjarje e vërtetë: E prishi fejesën për faj të prindërve të tij (9)

  • 23 qershor 2020 - 15:28
Ngjarje e vërtetë: E prishi fejesën për faj të prindërve të tij (9)

- Puna më shkonte, ia dola që ta mbaroja edhe kursin për automekanik. Sot elektronika është e rëndësishme te veturat, kërkohen njohuri dhe aftësi të reja. Puna shkon disi. Kredinë jam duke e kthyer, kam edhe një punëtor. Ai është i vyeshëm, e punëtoria është në gjendje të mirë – më thoshte ai, e mua më së shumti më bëri përshtypje fjalia e tij, se ende nuk ishte martuar. Fakti që ishte i lirë më jepte guxim, prandaj përfundimisht e pyeta: - Bardh, atëherë kur u ndamë, më the se nuk mund të jetohet nga dashuria. A mendon edhe sot njësoj? – edhe pse fytyra mu skuq, shikimin nuk e ula. Ai nuk u përgjigj menjëherë: - As atëherë nuk mendoja kështu – tha me zë të ulët, e më pas më pyeti: - Pse më kërkove, Blerina? Pse tani? - Sepse më duhet ta di të vërtetën. Gjashtë vjet kam jetuar me mendimin se nuk më do. E, unë të kam dashur ty.

Vetëm ty. U martova me tjetrin vetëm që të të harroja ty – ia pranova të gjitha, duke ndier sesi në fyt më bëhej një duq i madh. - Të lutem, më trego! – nuk u durova pa i thënë, meqë ai vetëm heshtte. - Çka? – në zërin e tij hetohej hamendja. - A më ke dashur? Pse më ke braktisur? A nuk kemi mundur të ishim bashkë? A shumë rëndësi ka që unë shëroj njerëzit, e ti i ndreqë veturat, a? – unë vazhdoja t’i rendisja pyetjet. - Të kam dashur, Blerina. Gjatë tërë këtyre viteve kam menduar për ty. Nuk dua të të rrej, kam pasur edhe dashnore të tjera, por me asnjërën nga to nuk kam mundur të martohesha. Por... - Çka, por? Meqë përsëri pasoi heshtja, ia ktheva disi me nervozizëm: - Pse nuk ma thua të vërtetën? A e kanë fajin prindërit e tu apo jo? Ta kishin ndaluar që të shiheshim? Bardhi dukej nervoz dhe sikur hamendej, por më pas ofshau dhe foli: - Në rregull. Do të të tregoj. Nuk desha t’ua prishja, sepse i kisha prindër. I kam, dua të them. Nuk është se ua kisha frikën edhe pse më kërcënuan rëndë... - Të kanë kërcënuar? Qysh? - Nuk mund të të them krejt çka më kanë thënë, sidomos babai. Por, më së shumti më kishin bërë përshtypje fjalët e nënës. Ajo ishte e bindur se, si mjeke që ishe, ti kurrë nuk do të mund të më doje në tërësi. Se, herët apo vonë, do të mërziteshe me mua dhe do ta kërkoje dikë tjetër. Nuk është se i besoja, por mendja disi më thoshte se duhej ta dëgjoja. Nuk kisha kurrfarë dileme se të doja. Për këtë isha i sigurt. Por, ndoshta mu për shkak se të doja aq tepër, vendosa të të lija, meqë nuk doja që ti, një mjeke dhe specialiste e ardhshme, të jetoje me një njeri... të thjeshtë, sikur puna ime. Me një automekanik. Pasi që ai përfundoi, unë nuk mund ta merrja veten nga tronditja. Ishte e vështirë të përshkruhej me fjalë ajo që ndjeja ndaj prindërve të tij. Por, meqë djalin e tyre e doja me gjithë zemër, disi ndjeja se edhe atyre do të mund t’ua falja disi. Heshtjen time Bardhi e interpretoi gabimisht: - E di që mund të jesh e zemëruar me mua, për shkak se isha qyqar. - Jo, jo, jo. Nuk ta shoh për të madhe, Bardh. Ti i ke prindër ata dhe, përkundër të gjithave, nga kjo që më tregove, është evidente se ata edhe pse gabimisht, janë munduar vetëm për të mirën tënde – këtë që e thashë edhe e mendova.

Nuk u munda të mos ia krisja vajit. - Të lutem më fal që të kam zhgënjyer, Blerina! Nuk kam dashur kurrë të të lija – filloi të më ngushëllonte ai. Në shikimin e tij hetova atë shikimin e njohur të tij, plot dashuri dhe respekt. - Nuk po qaj për ata, për askënd tjetër. Po qaj për ne. Nuk kanë bërë mirë që na kanë ndarë – thash, disi në kundërshtim me atë që kisha thënë pak më parë. Bardhin e thirri punëtori i tij dhe na u desh që të përshëndeteshim. Por, kësaj here që të dy e dinim se kjo ndarje ishte vetëm një ndarje e shkurtër dhe se më askënd nuk do ta lejonim që të hynte midis nesh.  

(Kosova Sot Online)