Ngjarje e vërtetë: Pas pesëmbëdhjetë vjet martese, e kuptova se burri kurrë nuk më ka dashur (1)

  • A.P /
  • 24 June 2020 - 15:30
Ngjarje e vërtetë: Pas pesëmbëdhjetë vjet martese, e kuptova se burri kurrë nuk më ka dashur (1)

'Byzylykun, i cili do të duhej të ishte imi, më zbuloi se burri im, Dritoni ende është i dhënë pas një dashurie, që i ngjasonte një adoleshenti. As që më ka shkuar mendja se megjithëse u martuam, isha krejt e kundërta e tij'. Lëmshi filloi të zbulohej, kur kolegia Valentina në punë erdhi me një byzylyk të artë në dorë. Për një kohë të gjatë e kisha shikuar në reklamën te artari, e kur Dritoni një natë erdhi në shtëpi dhe me të kishte dashur të më gëzonte, unë kërkova që ta kthente atje ku e kishte blerë. Jo për faktin se nuk e dëshiroja apo nuk e pëlqeja, por nga ana financiare nuk mund të lëshohesha në një luks të tillë. Për te Dritoni kishte ndarë gjysmën e pagës.

- E di se nuk kemi të holla, por dua që ti ta mbash atë. Do të kursejmë në diçka tjetër - më tha atëherë burri im. Nuk pranova që të kursej në ushqim dhe fëmijë, prandaj për këtë arsye edhe kam insistuar që ta kthejë. Dritoni nuk më kishte dëgjuar. Kur tri vite pas kësaj ngjarjeje, Valentina hyri në vendin e punës, menjëherë ia kam vërejtur byzylykun e ri. - Është e bukur, me vite po e shikoj, por gjithmonë ishte e shtrenjtë për mua. Je me fat që e ke - ia thashë me plot sinqeritet. - As unë nuk do të mund ta kisha sikurse të mos takoja sërish dashurinë nga shkolla e mesme. I mjeri ai, ma pranoi se kurrë nuk kishte ndaluar së dashuruari edhe pse është i martuar dhe ka një martesë të rehatshme. Ka edhe dy fëmijë. E mjera ajo gruaja e tij, nuk e ka as idenë më të vogël se bashkëshorti i saj, për më gjatë se njëzet vite dashuron tjetrën - buzëqeshi - Si quhet ajo dashuria e shkollës së mesme - m'u ndizën dritat mua. - Driton - m'u përgjigj ajo, e mua po më shkatërrohej bota. Kur atë ditë erdha në shtëpi, e pyeta bashkëshortin tim nëse e kishte kthyer atë byzylykun, të cilin mua ma kishte dhuruar para tri viteve. Dritoni nuk u ndie rehat pse pikërisht tani po e pyesja, kështu që kishte filluar të sillej poshtë dhe lart. - Ku ka përfunduar ai byzylyk - e ngrita zërin tim. - E kam humbur - më gënjeu. - Ndërsa Valentina e paska gjetur krejt rastësisht? Burrit tim po i ndryshonin ngjyrat në fytyrë sikur të ishte ylber.

E kam ditur se kurrë nuk më kishte dashuruar aq shumë, por kam besuar se respektohemi dhe duhemi ndryshe, në mënyrë më të ndryshme. Jemi njohur kur që të dy kishim nga tridhjetë vjet, e kjo nënkupton lënia e dashurisë pa fat pas shpinës. Ishim njerëz të pjekur, kemi dëshiruar familje dhe e kemi krijuar atë. Kam menduar se kishim një martesë të rehatshme, e iluzionet e mia tani u shkatërruan. Burri im kurrë nuk paska ndaluar së menduari për një grua tjetër. - Si e ke kuptuar? - më pyeti kur erdhi pak në vete. - Jeta është e çuditshme, kurrë nuk mund ta dish kur të befason. Dashuria jote e shkollës së mesme punon me mua, jemi të ulura në të njëjtën zyrë - m'u përgjigj. Më nuk kishte rrugëdalje, Dritoni nuk e dinte se çfarë më kishte thënë mua Valentina. Kështu që më shpjegoi gjithçka, që kishte ndodhur mes atyre të dyve. Në asnjë moment nuk i thashë se zemra po më dilte vendit pse më kishte tradhtuar.

E vërteta është se fizikisht nuk më kishte tradhtuar kurrë, por çdo natë, ishte shtrirë pranë meje duke menduar tjetrën. E kjo po më dhimbske më shumë se sa një aventurë. - Për Valentinën isha i çmendur, që nga viti i parë i shkollës së mesme. Dy vite më ishin dashur të mbledh guximin dhe t'i them të dalë me mua. Kam pyetur për të, rreth asaj se çfarë i pëlqen, e çfarë e nervozon dhe kur i jam ofruar biseda kishte rrjedhur ngadalë. Mendova se për të parën herë jam i gatshëm ta pushtoj një vajzë, por kur e kam shikuar në sy, më nuk isha i sigurt në veten time. Nga koka deri te këmbët më kapluan djersët. (VIJON)

(Kosova Sot Online)