Ngjarje e vërtetë: Pas pesëmbëdhjetë vjet martese, e kuptova se burri kurrë nuk më ka dashur (2)

  • A.P /
  • 25 June 2020 - 15:30
Ngjarje e vërtetë: Pas pesëmbëdhjetë vjet martese, e kuptova se burri kurrë nuk më ka dashur (2)

Gjunjët edhe sot e kësaj dite më dridhen kur më kujtohet se si më shikonte me vëmendje, me ata sytë e saj të bukur, të kaltër. Qëndronte dhe priste që t'i tregoja se çka dëshiroja. Me të gjitha fuqitë u mundova që ta pyesja pa belbëzuar për atë që isha përgatitur dy vjet me radhë - filloi ai. Valentina pranoi të dilte me të, e ai ndihej sikur t'i kishte rënë shtatëshja në lotari. Sikur të mos ishte aq marrëzisht i dashuruar në të dhe të mos e luante rolin e palaços para shokëve, me gjasë, mendonte, edhe sot e kësaj dite do të ishin bashkë. Por, Valentina nuk donte të bënte dashuri me të, prandaj Dritoni, me qëllim që të mos bëhej objekt i talljeve të shokëve të tij, e la atë. - Asgjë nuk i kam sqaruar. Mendimet e shokëve kishin më shumë rëndësi për mua.

Më thoshin që ta ndërprisja atë lidhjen tonë të kotë platonike dhe unë i dëgjova. E shikova se si shkonte dhe kuptova se kisha gabuar, por ishte vonë t'i tërhiqja fjalët e rënda. Kur më pas përsëri një herë u gjeta me të rastësisht sy më sy, tentova të kërkoja falje, por Valentina nuk donte të më dëgjonte. - Gjithçka kuptoj dhe nuk ke nevojë të kërkosh falje - i tha para se ta puthte edhe një herë. Egos së tij sapo të zgjuar mashkullore i preferonte të mendonte se si edhe ajo ishte dashuruar. Kështu, në sytë e shokëve të tij ishte edhe më i madh. U thoshte sesi Valentina ishte e gatshme të vdiste për të, por ai nuk pranonte një lidhje platonike. I kishte rrejtur se, sipas insistimeve të saj, kishin provuar edhe dy herë, por përsëri e kishte lënë, meqë shëtitjet e gjata dhe ndonjë puthje tek e tuk nuk i mjaftonin. E vërteta ishte ndryshe. Dritoni e luste atë sa herë që dilnin, për çdo shëtitje. Valentina i thoshte se nuk ishte e gatshme që të bënin dashuri, Dritoni nuk kishte tentuar që t'ia ndryshonte mendjen, por e kishte lënë. - Nuk kam më ndërmend ta lexoj një libër me një fund kaq të njohur - i kishte thënë ajo, kur ai, kushedi për të satën herë, kishte tentuar përsëri. Për Valentinën ky ishte fundi, kurse për Dritonin vetëm fillimi i një vuajtjeje e cila as me kalimin e viteve nuk ishte shuar. Nuk e kisha ditur se edhe si i martuar, ai e kishte fajësuar veten për shkak të sjelljes ndaj asaj. Më pas, me vite të tëra ishte penduar. Kishte menduar se ku ishte ajo, se a ndiente ende ndonjë gjë për të. Malli për Valentinën me kalimin e viteve bëhej gjithnjë e më i madh, në mënyrë që në fund, të kalonte në obsesion. Ai në fakt e kërkonte atë në lidhjet e tij me të tjerat, me lidhjet të cilat, sado pak, ia largonin mendjen nga vajza të cilën e kishte dashur dhe e kishte humbur. As që më kishte shkuar ndërmend që ne ishim martuar për shkak se unë jam e kundërta e saj. Ai donte një femër të ndryshme nga ajo për të cilën vuante. Kur ishim njoftuar, kishte shpresuar se jeta e përbashkët me një femër të rëndomtë, gati të padukshme, do t'i ndihmonte që ta harronte Valentinën. - Shpesh e pyesja veten me çka Valentina aq fort e kishte damkosur jetën time. Midis nesh nuk kishte pasur asgjë më tepër sesa disa puthjeve të pasherre.

Dhe, më vjen keq që i more vesh të gjitha në një mënyrë kaq të vrazhdët. Do të duhej t'i tregoja unë të gjitha - më tha ai me pendim. - E pse nuk m'i tregove? - Adelina, secili prej nesh e ka sekretin e vet. Edhe ndonjë pjesë e zemrës tënde i takon dikujt tjetër. Nuk doja që të të ngarkoja me të kaluarën - më tha me zë të ulët . - Por, sikur Valentina të pranonte ta përtërinte lidhjen me ty, ti do të më lije pa menduar dy herë, apo jo? Edhe mua, e edhe fëmijët tanë - e pyeta unë. (vijon)

(Kosova Sot Online)