Ngjarje e vërtetë: Pas pesëmbëdhjetë vjet martese, e kuptova se burri kurrë nuk më ka dashur (3)

  • 26 June 2020 - 15:31
Ngjarje e vërtetë: Pas pesëmbëdhjetë vjet martese, e kuptova se burri kurrë nuk më ka dashur (3)

Heshtja e Dritonit ishte e dhembshme. Më mirë do të ndihesha sikur të ma copëtonte zemrën me thikë. Ai më lëndoi edhe pse këtë nuk e meritova me asgjë. - Ju të dyja jeni krejtësisht të ndryshme. Ti je praktike. Çdo ndryshim nga rutina e përjeton si të ishte bërë kiameti. Valentinën, përpos bukurisë, e karakterizon edhe shpirti aventurier. Ndoshta mu për këtë shkak më ka mbetur në kujtim si e paprekshme dhe e veçantë. Edhe pse isha nervozuar për shkak të refuzimit të saj që të më lejonte diçka më shumë sesa puthjet, mu ajo ishte arsyeja pse e vlerësoja më shumë se femrat e tjera. Kisha një dëshirë të zjarrtë që të isha më intim me të, e në vend që t'ia dëshmoja se isha i gatshëm që të prisja, unë e lash atë. Shpresoja se, me kalimin e kohës, ajo do të lëshonte pe dhe do të ma mbaronte qejfin. Dashuria që ndiente ndaj meje megjithatë nuk ishte më e fortë se pikëllimi të cilin ia shkaktova duke e lënduar - thoshte ai.

Nuk iu besoja veshëve të mi. Tregimet e tyre ishin kaq të ndryshme. Burri im ende e idealizonte dashurinë e tij rinore, e ajo te ai shihte një njeri të çuditshëm, i cili sapo ajo të bëjë me sy, është i gatshëm t'i shkatërrojë të gjitha që i ka arritur në jetë. Derisa ma tregonte atë byzylyk, në fytyrë i shihej një buzëqeshje përqeshëse. Vetëm sa s'më thoshte se e konsideronte burrin tim maniak, i cili e ndiqte tërë jetën. Burri im ende ishte i verbër edhe pse kishte dy sy krejtësisht të shëndoshë. - Dhe unë u mërzita, humba në peshë, u ndava nga shokët. Me buzëqeshje dhe argëtim më pas tentoja t'i largoja mendimet rreth marrëzisë sime. Por, nuk mund ta fshihja pikëllimin dhe të shtiresha kinse isha i lumtur në lidhjet kalimtare, kur në fytyrë më shihej se sa vuaja. Prindërit dhe motra ishin të shqetësuar, më kishin detyruar të shkoja te psikologu, por nuk ia kishin dalë. - Jam i vetëdijshëm për problemet e mia dhe vet do t'i zgjidhi ato - i thosha nënës me këmbëngulje. Daljet në mbrëmje, të dashurat e reja, miqtë e ri, regjistrimi në studime dukej se e kishin nxjerrë nga depresioni. Të gjithë rreth Dritonit kishin ofsharë të lehtësuar, meqë përfundimisht ai kishte filluar të sillej normalisht, por burri im vetëm ishte mësuar ta fshehte pikëllimin dhe mallin e tij. Përshtypja që ai linte te të afërmit e tij, ishte vetëm mashtrim dhe mbrojtje nga emocionet që vazhdonte t'i kishte ndaj Valentinës. - Për atë vragë të mëdha në zemër, vet e kisha fajin. Me kalimin e kohës ato u mbyllën, por kurrë nuk u zhdukën në tërësi. Bile as pas martesës tonë, pas lindjes së fëmijëve. Thënë sinqerisht, martesa më mbushi paksa mend, prandaj planet rreth dashurisë së shkollës së mesme ranë në rend të dytë. Megjithatë, as tridhjetë vjet më vonë, nuk ka ndodhur asnjë natë që të më marrë gjumi pa menduar rreth kësaj dashurie të parealizuar. Ndoshta do të duhej të t'i thosha të gjitha, por mendoja se ti e kishe ndier që zemra ime i takonte dikujt tjetër. Se ishe mjaft e mençur, sa që nuk doje t'i trazoje plagët e vjetra - më tha dhe ma theu zemrën.

Natyrisht se e ndjeja mungesën e burrit tim. E doja dhe shpresoja se, me kalimin e kohës, edhe ai do të më donte mua. Mendoja se fëmijët tanë do ta forconin raportin midis nesh. Shtiresha sikur nuk e vëreja indiferencën e tij. Mbi vete i kisha marrë të gjitha obligimet familjare. Përkujdesesha që fëmijëve tanë të mos iu mungonte asgjë, mbaja mend datat e rëndësishme. Me gjasë, sikur të pyetej burri im, asnjëherë nuk do ta festonim asnjë përvjetor të martesës, e as ditëlindjet e fëmijëve. Se ishte duke u afruar ditëlindja e ndonjërit prej fëmijëve tanë, ai e kuptonte nga sasia e ëmbëlsirave që përgatisja dhe që i fshihja nga fëmijët. Martesa jonë nuk ishte e mbushur me pasion, por megjithatë funksiononte. (vijon) 

(Kosova Sot Online)