Ngjarje e vërtetë: Si i tregova burrit se djalin nuk e kisha me të (1)

  • 29 June 2020 - 15:30
Ngjarje e vërtetë: Si i tregova burrit se djalin nuk e kisha me të (1)

Prej se jemi të martuar, burri im Agimi dhe unë çdo vit, kah fundi i qershorit shkojmë në bregdet. Por, këtë vit ai më befasoi për të keq. - E dashur, muajin e ardhshëm nuk mund ta marr pushimin vjetor. Pse nuk shkon me Lumin te vëllai, në bregdet? Do të kaloni mirë edhe pa mua, e te Hektori nuk ke qenë tash e dhjetë vjet – më tha. - Pse më tregon tani, në maj? A nuk e ke ditur më parë, a? – u zemërova unë. - Nuk e kisha ditur se do të komplikohej doktorata ime. E di se sa shumë jam duke punuar në të dhe sa shumë rëndësi ka ajo për mua. Më duhet ta mbaroj, e besoj se më kupton që nuk mund të vij në pushime. Fundja, edhe Hektori zemërohet pse nuk e vizitojmë thuajse kurrë. Nuk më vinte mirë që i dëgjoja këto fjalë, por për Agimin doktorata me të vërtetë ishte para të gjithave. Gjatë ditës punonte dhe luante me djalin tonë, Lumin, e deri vonë natën rrinte duke shkruar. E dija se nuk kishte kuptim që të mundohesha t’ia ndryshoja mendjen. Për këtë shkak, e dëgjova për atë që më tha dhe e thirra vëllain tim të madh. - Sa mirë më vjen që do të vini. Nuk ke nevojë të më tregosh më parë. Dera jonë është gjithmonë e hapur për ju – më tha Hektori, i gëzuar tej mase. Kështu, dhjetë vjet pasi që u martova, u ktheva në qytetin e lindjes, nga ku isha larguar menjëherë pasi që isha martuar. Hektori, gruaja e tij Meri dhe Diana e tyre e vogël, mbesa ime, na pritën në stacion. Kur pashë se sa iu gëzuan shkuarjes sonë, më erdhi keq që nuk i kisha vizituar tash e dhjetë vjet. Diana menjëherë e kapi Lumin për dore dhe filluan që të loznin rrugës për në shtëpi. Unë e arsyetoja burrin, pse nuk kishte ardhur edhe ai.

Qyteti më dukej shumë më i madh sesa kur jetoja aty. Ishin ndërtuar lagje të reja, parqe fëmijësh, shëtitorja rrëzë detit ishte rinovuar, por qendra e vjetër e qytetit kishte mbetur e njëjta. Tërë ditën e nesërme e kaluam në plazh dhe, në fund të ditës, hetova se më digjte lëkura. Nuk isha lyer, prandaj lëkura ime e bardhë tani ishte bërë e kuqe. Frikohesha nga djegiet, prandaj të nesërmen e luta Dianën që të shkonin me Lumin në plazh, e unë e shfrytëzova pasditen për t’u shëtitur në qytet. Çdo rrugë, çdo skutë dhe cep ma kujtonin të kaluarën. Në atë qytet, si arsimtare e shkollës fillore, kisha filluar punën time të parë. Sikur të mos ishte Hektori dhe Meri, me gjasë do të më dërgonin për të punuar në periferi të vendit, diku. Pas vdekjes së prindërve, Hektori dhe unë kishim mbetur të jetonim në një shtëpi të madhe, e cila më mirë do të ishte të quhej vilë.

Afër detit, me kopsht të madh dhe me shpenzime edhe më të mëdha. Me rrogën time të arsimtares do të detyrohesha ta shisja. Por, me vëllain u mora vesh që unë ta paguaja një pjesë të shpenzimeve, e ai do të përkujdesej për mirëmbajtjen e shtëpisë. Kështu e ruajtëm trashëgiminë e prindërve tanë. - Gjeje një burrë që ka shtëpi. E sheh se sa mirë jam martuar unë – më thoshte vëllai me shaka, duke përqafuar Merin e vet. - Do të isha e lumtur ta gjeja një burrë edhe me banesë njëdhomëshe. Por, për fat të keq, vajzat më të reja tanimë i kanë marrë ata burra. Të gjithë më të mirët tanimë janë të zënë – thosha unë po ashtu duke bërë shaka. (vijon) 

(Kosova Sot Online)