Ngjarje e vërtetë: E donte alkoolin më shumë se familjen (7)

  • E.K /
  • 11 korrik 2020 - 11:52
Ngjarje e vërtetë: E donte alkoolin më shumë se familjen (7)

'Shtëpia, pishina, veshje të shtrenjta, me të gjitha çuditë nuk mund të ma kompensojnë dashurinë të cilën nuk e kam më'. Po ta jap edhe një mundësi. Dhe, mendoje mirë para se ta thuash fjalën tënde të fundit. Sepse prej saj varet jeta jonë, e ardhmja jonë e përbashkët - Naimi po mundohej që të më kuptonte. - Tashmë ta kam thënë që po shkoj. Dhe mos u brengos, kam menduar mjaftueshëm, këtë vendim nuk e kam marrë brenda natës- u përgjigja me gjakftohtësi. -Mendoj se nuk je e vetëdijshme për pasojat shkaku i vendimit tënd. Nuk po pret që vallë do të qëndroj në shtëpi si i çmendur dhe të vajtoj për ty?

Ti e di fare mirë se vetëm më duhet ta marr telefonin dhe do të më krijohet mundësia tjetër. Secila do të jetë e gatshme për një rast të tillë. Dhe, për dallim nga ti, do të jetë falënderuese për të gjitha që do t'ia ofroj. - Në rregull, sille, unë nuk kam asgjë kundër - ia ktheva dhe u ngrita. - Edhe ashtu do të bëj! Nuk dua të pres dhe të shikoj se e përzgjedhura jote nuk më vjen as te gjunjët. Porsa ta ndjesh se si është jeta pa të holla, do të shprehësh dëshirën që të më kthehesh. Po të paralajmëroj, mos llogarit ashtu në keqardhjen time - po bërtiste. - Do ta sjell tjetrën! Madje që sot, pasdite! - po bërtiste derisa unë për të fundit herë po dilja nga shtëpia e tij. Mirë, merri për mua edhe njëqind të tjera, për mua është njëjtë, po mendoja. Dola nga ajo shtëpi për të mos u kthyer kurrë më. Më ra një gur që e kisha në zemër, ngase më në fund hoqa qafe një mashkull, i cili i pushtuar me paranojat e tij nuk më linte të merrja frymë. Me muaj të tërë, në fakt, kam provuar ta largoj atë agoni nga lidhja, por Naimi gjithmonë do të më mbante me lot dhe me premtime se do të ndryshonte. Më në fund e kam bërë atë që është dashur ta bëj shumë kohë më parë.

Naimi ishte njëri ndër meshkujt më të dëshiruar në qytet. Nuk do të më befasonte fakti dhe kërcënimet e tij që do ta sillte tjetrën, sepse do ta bënte, sepse të gjitha femrat ishin të gatshme të kërcenin në gjoksin e tij. Pos se ishte shumë i bukur, Naimi ishte i vetmi fëmijë i prindërve të pasur, të cilët i kishin blerë një veturë të bukur dhe shtëpi të madhe. I kishin ndihmuar edhe në hapjen e një biznesi, i cili po funksiononte për mrekulli, biznes ky në të cilin po punonte edhe motra ime, Iliriana. Ishte një mashkull i edukuar mirë, sharmant dhe orator. Ai organizonte ndejat më të trenta në qytet dhe kishte një shoqëri të madhe, që mezi priste ta merrte ftesën prej tij. Te vajzat ndikonte sikur të ishte magnet, derisa unë për vete time një mashkull si ai nuk e shija si një njeri që mund të lëshohesha në lidhje me të. Një zë nga brenda gjithmonë më paralajmëronte për një mashkull si ky, duke më thënë se pas një fotografie të bukur fshihet një errësirë.

Unë do t'i zgjedhja ata që janë më pak tërheqës, më pak të adhuruar midis femrave, por pas disa lidhje të dështuara, është vërtetuar që mendimet e tilla nuk vlejnë për një lidhje normale. Kur unë dëshiroja që të ikja nga meshkujt e tillë, pikërisht në ato momente u shfaq Naimi. - A dëshiron të vish me mua në ndejë - më pyeti një të shtunë motra ime Iliriana. - Ndejën e kujt? - Nuk e kam idenë. Kam vetëm ftesën të cilën ma dha një kolege imja nga vendi ku punojmë, për dy persona. - Do të thotë, diçka moderne - po mendoja. - Ose eja me mua ose rri në shtëpi dhe, edhe një të shtunë kaloje në shtëpi, derisa në pjesën tjetër të qytetit njerëzit argëtohen mirë - po më përqeshte motra ime më e re. - Po vij. Nuk dëshiroj që të shkosh vetë, kur që të dyja ne e dimë se çfarë ndodh kur ti del e vetme - pranova disi pa vullnetin tim. - Ja pse të adhuroj - e kënaqur po vallëzonte me duar. (vijon)

(Kosova Sot Online)