Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet (22)

  • A.P /
  • 15 korrik 2020 - 15:25
Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet (22)

Ia doli ta pinte vetëm një gllënjkë, kur vërejti se, në fund të klubit, ishte krijuar një tollovi. Njerëzit vlonin dhe ftonin njëri-tjetrin që të merrnin pjesë në ngjarje. Për një moment, muzikën e mundi një bërtitje e gruas. I kapluar nga një parandjenjë e keqe, Redoni u nis për të parë se çka kishte ndodhur. Një ndjenjë e pashpjegueshme i thoshte se mu Laura e kishte shkaktuar atë tollovi. E përshpejtoi hapin, të gjithë mysafirët po ashtu u nisën në atë drejtim, nga u nis edhe ai. Të udhëhequr nga kureshtja, ata i dolën në rrugë, duke e penguar që të arrinte deri në vendin e ngjarjes. - Po rren! - ai u shtang pasi që njohu zërin e Laurës - Redoni kurrë nuk do ta thoshte një gjë të tillë! Për një moment, tmerri e paralizoi të tërin.

A ishte e mundur që Laura, në gjysmëterrin e klubit të porsahapur të Gjonit, ta kishte takuar Doruntinën?! Dhe që ajo t'i kishte treguar detaje nga biseda me Luanin?! Filloi që t'i shtynte të tjerët me ashpërsi, i udhëhequr nga dëshira e zjarrtë që sa më parë të arrinte te Laura. Pasi që u pashit muzika, ai e dëgjoi qartazi zërin e saj. - Të gjitha këto i ke shpikur vetë, mori e përdalë! Redoni më tregoi se Luani i kishte kërkuar falje dhe se kishte kërkuar falje edhe nga unë! - Të ka rrejt! Fute këtë në atë kokën tënde të drunjtë, e cila si duket të shërben vetëm për të vënë grim! - kumboi zëri i Doruntinës. Redoni filloi të bëhej qull nga djersët. U ngrit në maje të gishtave dhe pa momentin kur Laura ia derdhi pijen e saj Doruntinës drejt e në fytyrë. - Për dallim nga ti, unë nuk kam nevojë të grimosem. Jam e bukur edhe pa preparate kozmetike. Duket se ti je më se e vetëdijshme për këtë gjë dhe se kjo është arsyeja pse më je turrë dhe më ke nxirë në atë të ashtuquajturin librin tënd. - Budallaqe! - Doruntina fshinte e zemëruar shampanjën e derdhur në fytyrën e saj.

- Nuk mund të zemërohem me ty, meqë sinqerisht më vjen keq për naivitetin që ke! Sikur të ishe pak më e mençur, do të shihje se edhe Redoni është i vetëdijshëm rreth të metave tua! - Nuk kam unë çka të shoh! E di se Redoni më respekton dhe më do! - E shkreta! - zëri i Doruntinës me të vërtetë tingëllonte me keqardhje. - I dashuri yt personalisht i tha Luanit se pajtohet me tërë atë që kam shkruar në libër dhe se me ty rri në lidhje vetëm për shkak të seksit! - Gënjen, shtrigë! - Jo, Doruntina nuk rren! - tha papritmas Luani, i cili doli nga turma, e cila me kureshtje shikonte grindjen midis dy manekineve. (vijon) 

(Kosova Sot Online)