Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet (23)

  • A.P /
  • 16 July 2020 - 15:30
Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet (23)

- Më vjen keq, por Redoni u pajtua me tërë atë që gruaja ime ka shkruar në libër! Bile edhe me pjesën më të dhembshme, se ju të dy jeni në një lidhje seksuale dhe se nuk e ka ndërmend të martohet me ty! - E sheh?! - Doruntina filloi të bënte grimasa të kënaqësisë para Laurës, e cila gjendej pak para se t'ia kriste vajit. - Tërë kjo është e vërtetë dhe është koha që të pajtohesh me faktet! Me një ulërimë të dhembjes dhe zemërimit, Laura në mënyrë të pakontrolluar u hodh mbi Doruntinën. Redoni me shpejtësi të dritës arriti deri te ajo, por prapëseprapë nuk mundi ta pengonte atë që t'ia jepte Doruntinës disa goditje në fytyrë. Duke mos dashur t'i mbetej borxh, Doruntina e kapi për flokësh, duke ia ngrehur fort. Mysafirët e tubuar filluan të mbanin anë, kurse blicet e fotoaparateve shkëlqenin nga të gjitha anët.

Bile edhe Gjoni ishte i kënaqur për këtë skandal, i cili zhvillohej nën kulmin e tij. Ai mendonte se kjo do të ishte një reklamë e mirë për lokalin e tij. Nuk bënte asgjë për ta ndalur grindjen midis dy rivaleve të zemëruara. Vetëm Luani dhe Redoni mundoheshin t'i ndanin Doruntinën dhe Laurën. Përkundër fuqisë së tyre, dy femrat disi ia dilnin që të iknin nga duart e partnerëve të tyre, duke iu vërsulur njëra-tjetrës. Në fund, Redoni filloi ta ndiqte një taktikë të rastit të fundit. E ngriti Laurën lart, me qëllim që ta nxirrte atë jashtë klubit. Ajo luftonte me duar dhe me këmbë, si dhe kundërshtonte me fjalë, por Redoni nuk donte t'ia ndiente. Duke e mbajtur fort, ai kaloi nëpër turmën e kureshtarëve, duke u munduar që t'i injoronte fjalët e tyre provokuese, të cilat i përcollën deri në dalje të klubit. - Nuk dua që të hyj në veturën tënde! - filloi të kundërshtonte Laura, në momentin kur Redoni e lëshoi para veturës së tij. - Aktualisht, nuk je në gjendje që të marrësh vendime racionale! - ia ktheu me arrogancë dhe pa butësi ia bëri me dorë që të ulej në vendin e udhëtarit të përparmë. - Aktualisht?! - bërtiti Laura dhe filloi të qante.

- A nuk mendon për mua se jam një budallaqe kronike, a?! Ai e injoroi pyetjen e saj, edhe pse ajo e shqetësoi tej mase. Doli në anën tjetër të automobilit dhe hyri brenda. Në të njëjtin moment Laura filloi ta godiste me grushte gjithandej, nëpër qafë, gjoks, supe. - Mallkuar qofsh! Më ke rrejt! Më ke tradhtuar! Më ke bërë budalla! Të urrej! Ai nuk mbrohej, priste derisa Laura ta humbte fuqinë. Goditjet e saj me të vërtetë u dobësuan tepër shumë. E lënduar nga dëshpërimi, ajo u lëshua poshtë dhe filloi të dëneste. (vijon)

(Kosova Sot Online)