Ngjarje e vërtetë: Donte ta blinte dashurinë time me para (5)

  • A.P /
  • 17 July 2020 - 15:40
Ngjarje e vërtetë: Donte ta blinte dashurinë time me para (5)

Qëllimi im ishte të të magjepsja, por ja që u duka si një budalla - e pranoi me sinqeritet. - Mënyrë e çuditshme e vardisjes - i thashë me gjakftohtësi. - Nuk është, më beso. Ky është vetëm një gabim në hapat që mora. A mundem disi t'i kompensoj - po tingëllonte sikurse një djalosh i vogël, të cilit i ishin djegur gishtat me gjalpë. - Mundesh, natyrisht - përnjëherë m'u duk shumë simpatik. E kam ftuar për në kafe dhe kështu ia kemi zgjatur njëri-tjetrën dorën e pajtimit. Naimi tashmë kishte arritur në kafene, kur unë shkova më pas aty. Pa smoking, pa kravatë dhe pa këpucë të shtrenjta, mezi e kam njohur. Ishte veshur në tuta dhe një bluzë sportive, dukej sikurse një mashkull, i cili do të mund të më pëlqente. Si dikush në të cilin edhe do të mund të dashurohesha. Atë kafe, si edhe shumë pije të tjera, i kemi radhitur deri në mesnatë. E para e shikova orën dhe i thashë se të nesërmen do të mund të vonohej për në punë. - Pse ky reagim kështu?

Kjo vetëm e vërteton se shoqëria jonë ishte shumë e mirë dhe e kënaqshme - më tha. - Kjo do të thotë se unë nuk do të mund të fle para orës një pas mesnatës, dhe se nuk do të mund të zgjohem me kohë, dhe në rastin më të mirë, do të dremtien në orët e punës në vendin e punës - ia thashë. - Nuk ke nevojë të brengosesh kaq shumë. Sot kam biseduar me drejtoreshën tënde dhe nuk do të ketë telashe nëse nesër vonohesh. Edhe ashtu kemi shumë punë për të bërë, kështu që do të themi se që herët në mëngjes ia kemi filluar punës - dëshironte të më qetësonte. - Çfarë saktë nënkupton puna jonë - e pyeta pa menduar fare. - Do të thotë se mund të flesh më shumë e unë them se tashmë kemi filluar të punojmë në projekte të reja. Ashtu si të ka paralajmëruar drejtori, ftesat e mia duhet t'i shqyrtosh me kujdes - më tha duke buzëqeshur. - Është pak si vonë dhe nuk po arrij ta kuptoj atë që po ma thua. A mund të jesh më i drejtpërdrejtë? - Dua që sonte ta kalosh natën te unë. Në mëngjes do të dërgoj në shtëpi që të kthjellesh e më pas unë do të dërgoj në punë - më tha drejt. - Të faleminderit, por më me dëshirë do të fle në shtëpinë time - e refuzova. - Si të duash, por kafenë e mëngjesit me mua nuk do të mund ta shmangësh. Dhe më të vërtetë, porsa jam ulur në tavolinën time të punës më ka thirrur. Ende as që e kisha kyçur kompjuterin tim, e telefoni im cingëroi. Ishte disi i relaksuar dhe i buzëqeshur. Asnjë shenjë të atij mashkullit i cili një ditë më parë po qëndronte ulur në zyrën e drejtorit tim. Që nga ajo kafe e mëngjesit pothuajse unë dhe Naimi nuk jemi ndarë kurrë. Pas një muaji unë jam bartur për të jetuar me të. Pas dy muajve të jetës së përbashkët më ka bindur ta jap dorëheqjen. Askush me këtë hap nuk ishte befasuar, pos motrës sime. Vetëm ajo nuk po mund të pajtohej me faktin se si i kisha harruar të gjitha tregimet për barazinë në martesë, krijimit të familjes dhe ngjashëm.

- Të kam thënë se është mirë që pranë vetes të kesh një mashkull të pasur. Tashmë je e bindur edhe ti në këtë fakt, në një jetë pa brenga - më tha ajo. - Unë hoqa dorë nga principet e mija në mënyrë t'i përshtatesha Naimit. Po provoja t'ia shpjegoja asaj se këtë e bëjnë njerëzit, të cilët dashurohen mes vetes sepse përshtatja për një mashkull nuk mund të ishte e vështirë. - Një mashkullit të tillë edhe unë do t'i përshtatesha - tha motra ime. Jeta ime ishte në nivelin më të lartë, të cilin ma kishte mundësuar Naimi, ishte ashtu siç e kisha paramenduar më herët. Kokteje, dalje, ngjarje të ndryshme humanitare, veshje të shtrenjta, të gjitha këto e përbënin një ditë timen. Nuk duhej të brengosesha për asnjë gjë të vetme, sepse Naimi përkujdesej për të gjitha, të gjitha dëshirat e mia i shndërronte në realitet. Shumë shpejt e harrova nxitimin që bëja për të shkuar në punë, klientët me shumë kërkesa, faturat e grumbulluara që më prisnin për çdo muaj, thirrjet e mërzitshme telefonike, pagën mujore e cila vonohej gjithmonë. Të gjitha këto tashmë i takonin të kaluarës time. Pranë Naimit kisha gjithçka dhe nuk kisha pse të brengosem për asnjë gjë të vetme. (vijon) 

(Kosova Sot Online)