Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet (25)

  • E.K /
  • 18 July 2020 - 15:46
Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet (25)

Bëhesha sikur nuk isha e vetëdijshme për këtë, bile insistoja në bindjen se dashuria ime ishte e kthyer. Ikja nga e vërteta, meqë nuk isha mjaft e guximshme që të ballafaqohesha me të. As tani nuk jam, por më nuk kam arsyetim që të nguli këmbë në bindjet e gabueshme. E vërteta më ka dalë lakuriq para syve dhe unë jam e gatshme ta pranoj. Pa marrë parasysh sa mund të më dhemb kjo... - Mashtrohesh Laura, nëse mendon se ti nuk ke asnjë rëndësi për mua... - Po, po! - tha ajo duke e përqeshur veten. - Për ty kam pasur rëndësi aq sa ka thënë Doruntina në librin e saj! - Aty gjithçka thuhet në mënyrë të ashpër dhe... - Realiteti ynë është edhe më i ashpër! - përsëri nuk e la që të shpjegohej deri në fund. 

Duket se që të dyve na konvenonte që ta mbajmë si të tillë. tani është bërë e pakuptimtë që të insistojmë në lidhjen tonë sipërfaqësore, Redon. Më ndihmo që sa më me pak dhembje ta shkëpusim. - Nuk dua të të humbas... - A je i sigurt në këtë që thua? Meqë Redoni heshtte me hezitim, Laura bëri me kokë e pikëlluar. - E dija se do të vinte deri te kjo. Dyshoj që ndarja jonë ka mundur të pengohej. Më vjen keq që kjo ndodhi në këtë mënyrë të shëmtuar. - Ajo bisedë me Luanin... - Kot është, Redon! Mos u mundo që të arsyetohesh! Më nuk ka rëndësi çka i ke thënë atij. Rëndësi ka çka mendon, respektivisht çka ndjenë! Sido që të jetë, më së shumti rëndësi ka që nuk ma kthen dashurinë, që nuk je në gjendje të më duash!

Me këtë nuk dua më të pajtohem! Dua ta gjej një mashkull i cili do të jetë në gjendje të më dojë, kështu budallaqe dhe të pashkollë, sikur që jam! Ajo ishte e lënduar dhe plot dhembje. Megjithatë, ia doli t'ia thoshte krejt çka kishte pasur ndërmend. Kishte vendosur që të mos qante derisa të shkonte Redoni. E shikonte atë me një shikim të kthjellët, duke demonstruar vendosmëri. Redoni hetonte vendosmërinë e Laurës, e dinte se vetëm sa do ta ofendonte edhe më shumë duke tentuar që t'i jepte shpjegime dhe duke i kërkuar falje. Mendonte se e kishte borxh ta linte të ikte, që t'ia mundësonte kërkimin dhe gjetjen e mashkullit i cili do ta donte. Meqë ai, nuk ishte në gjendje që ta bënte një gjë të tillë. Redoni ndoshta më nuk e donte Laurën, por nuk donte as të ndahej nga ajo. e dinte se, në rast të vazhdimit të lidhjes së tyre, do të ishte i detyruar që asaj t'i ofronte shumëçka më shumë, nga ndejat e mërzitshme të mbrëmjes, deri te netët e gjata.

(Kosova Sot Online)