Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet (32)

  • A.P /
  • 27 July 2020 - 16:01
Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet (32)

- Po, me të vërtetë do të ketë... - u pajtua Redoni me një frymë. - Më vjen mirë që e bëra këtë bisedë me ty, Hashim. Kur u largova nga Laura isha si njeri i humbur. Nuk dija as çka të mendoja, e as çka ndjeja. Mbi të gjitha, nuk dija çka të bëja. Nuk kisha asnjë vizion për planet e mia të ardhshme. Ti më shpëtove. - Më vjen mirë për këtë. A e di, Redon, unë do të doja të të shihja të martuar me Laurën. Ajo të është përkushtuar në tërësi, të do dhe është tepër besnike. Nuk mund ta paramendoj ndonjë grua më besnike për ty. - Me gjasë edhe ti do të pajtohesh se nuk ka logjikë që të martohem me Laurën, nëse zbuloj se nuk jam në gjendje që të ndiej për të atë që ajo ndien për mua. Apo, nëse del se ajo nuk është e gatshme për sakrifica. - Natyrisht se pajtohem me të.

Megjithatë, e kam një përshtypje se gjithçka do të përfundojë në mënyrën më të mirë. Mjafton që plani ynë të ketë sukses, respektivisht që Laura të brengoset për shëndetin tënd dhe të pranojë të të vizitojë. - Të mërkurën, rreth orës nëntë në mëngjes. Përkujdesu që ta shpikësh ndonjë arsye tepër të fortë. - Ma lë këtë mua. Ti përkujdesu që sa më mirë ta luash rolin e të sëmurit nga zemra. Redoni atëherë ngriti lart gotën e tij. - Përshëndes planin tënd, Hashim! Le të mi sjell përgjigjet, çfarëdo qofshin ato! - E, ato do të jenë pozitive, jam i sigurt! – bërtiti Hashimi, duke iu përgjigjur dollisë së Redonit. I mësuar ta shihte mirë të disponuar, të gjallë dhe me fytyrë të kuqe, Hashimi mezi e njohu Laurën ashtu të dëshpëruar, e cila i afrohej kokulur. Dukej e dërmuar dhe e shkatërruar, hapin e kishte të imët, shpinën e kërrusur. Zbehtësia e fytyrës së saj ishte e tmerrshme, sikur edhe sytë e ënjtur, që ishin shenja të padyshimta të netëve të kaluara duke qarë. E veshur me një palë xhinsi të vjetër dhe me një bluzë sportive, ajo dukej më e brishtë se ndonjëherë më parë.

Duke e shikuar të tillë, ku nuk ngjante aspak me vetveten, Hashimi për një moment u hamend rreth planit, të cilin donte ta realizonte Redoni. Nuk i vinte mirë që duhej ta rrente, ta shqetësonte edhe më shumë. Ishte më se evidente se vuante nga ndarja nga Redoni, e tani duhej që të shqetësohej edhe rreth gjoja sëmundjes së tij. Hashimi donte ta kursente nga kjo, por kur më pas iu kujtua se ajo mund të kishte vetëm dobi nga plani i paramenduar, vendosi që ta bënte atë për çka kishte shkuar. Ishte thellë i bindur se, duke qëndruar të vetëm në vilë, Laura dhe Redoni do ta thellojnë lidhjen e tyre, duke e kurorëzuar në fund edhe me martesë. (vijon)

(Kosova Sot Online)