Roman dashurie: Si u dashurova në ty (67)

  • G.G /
  • 24 September 2021 - 09:28
Roman dashurie: Si u dashurova në ty (67)

"Je duke më turpëruar tmerrësisht shumë, Nelly", më thotë Colton derisa i lidhë duart rreth meje, duke më tërheqë me të shpejtë kah gjoksi i tij. "Por, të faleminderit që ma thua këtë. Kjo ka një domethënie më të madhe sesa... e di? Jam mërzitur duke diskutuar rreth vështirësive të mia". Unë e mbaj letrën prapa shpinës së tij, duke e lexuar me shikimin që e hedh prapa supeve të tij. "Po, më pranuan". "As që dyshoja se do të të pranonin, e dashur.

Jam krenar me ty", tha ai. Unë buzëqesh, duke thithur aromën e trupit të tij. * * * Përpihem me vështirësi. Nuk jam e sigurt se mund ta bëj këtë. E kap dorëzën e kitarës dhe mundohem që të mos më kaplojë paniku. "Gati?", zëri i Coltonit më vjen nga afër. Gjunjët e tij preken me ata të mitë. Unë pohoj me kokë. "Po, po! Unë mund ta bëj këtë". "Ti mund ta bësh këtë. Vetëm më përcill dhe këndo në harmoni me mua, në rregull? Vetëm ndiqe ritmin sikur që ushtruam dhe lejo që të gjithë ta dëgjojnë atë zë prej engjëlli që e ke, OK?" Përsëri pohoj me kokë, por i kërcas edhe gishtat. Kurrë nuk kisha performuar në publik deri atëherë. Dua të them, kam kënduar disa herë me Coltonin, por kjo është ndryshe.

Kjo... kjo është e tmerrshme. Ne gjendemi në një skenë të kafenesë dhe aty gjenden rreth 100 njerëz që na shikojnë, duke pritur që ne të fillonim. Ata e njohin Coltonin dhe kanë ardhur këtu për të, por janë intriguar nga ajo se kush jam unë. "Përshëndetje të gjithëve. Unë jam Colt, e kjo këtu është Nell. Nëse nuk keni asgjë kundër, atëherë do të bëjmë pak muzikë për ju". Dëgjohen duartrokitje, por edhe disa ngacmime meshkujsh, drejtuar kah unë. Colton më shikon dhe më pas kthehet kah publiku: "Djema, e di se është e mrekullueshme, por është e zënë. Do të bëjmë muzikë të "Avett Brothers" në fillim.

Do të jetë kënga 'I Would Be Sad'". Ai ia fillon për merak, derisa unë ia filloj me turp, duke pritur që zërat tanë të harmonizohen. Ritmi është i lehtë dhe unë e kisha praktikuar atë aq shumë herë, saqë as nuk më duhet të mendoj për të, kështu që nuk has në asnjë problem. Zëri im krijon një baraspeshë të përkryer me zërin e Coltonit, zëri im i kthjelltë kristal, me zërin e tij të çjerrë. Duket se edhe të pranishmëve iu pëlqen ky kombinim. Unë e përshtati ritmin derisa kalojmë te kënga tjetër, të cilën e paraqet Colton. "Ka ndokush që pëlqen 'City and Colour'"? Kjo pyetje shkakton një duartrokitje miratimi. "Mirë! Atëherë shpresoj se do t'ju pëlqejë performimi ynë i 'Hello, I'm Delaware'".

Unë vazhdoj ta shoqëroj atë duke kënduar, por mendjen e kam gjetiu, te fillimi, kur ai iu tregoi se unë isha e tij dhe kur më quajti të mrekullueshme. Kjo më pëlqeu pa masë. Me të vërtetë u përfshiva nga performimi i këngës 'City and Colour'. E lë zërin tim që të shkojë, duke mos e frenuar. Këndoj dhe i lë fjalët që të rrjedhin përmes meje. Tani më është larguar e tërë trema dhe e tëra që ndjej është muzika duke qarkulluar nëpër venat e mia, bukuria e plotë e këngës dhe adrenalina e cila më rritet nga fakti se ia dal që të këndoj për merak. Kënga tjetër është e tëra e Coltonit.

Unë e kam dëgjuar atë duke e praktikuar, kështu që mezi pres ta shoh atë duke e performuar "live". Kitarat tona heshtin për një moment, derisa Colton përshtatë tonin me këngën e ardhshme. "OK, kësaj here do të shkoj solo. Me gjasë këtë këngë e keni dëgjuar edhe më parë, por jo në këtë formë. Është kënga "99 Problems", e këngëtarit më të mirë, të vetmit Jay-Z. Ky aranzhim që kam bërë unë, është përgatitur nga një artist i quajtur Hugo. Me të vërtetë do të doja ta kisha unë meritën për këtë, meqë ai ka bërë një punë me të vërtetë të madhe. Shpresoj se do t'iu pëlqejë". (vijon)

(Kosova Sot Online)