Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (66)

  • E.K /
  • 06 January 2022 - 15:55
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (66)

"Unë kam qenë edhe më i keq, Ashlyn. Nuk isha aty dhe ndieja një mungesë të madhe", tha ai duke ulur kokën. "Ku do të shkojmë nga këtu"? "Nuk e di. Por, vetëm ta kalojmë këtë natë". E mora çajin dhe e piva një gllënjkë. "Oh, e paska shijen e shurrës së drerit"! Henry qeshi dhe ngriti njërën vetull. "E, si e di ti çfarë shije ka shurra e drerit"? Ia bëra me dorë kah filxhani i tij. "Provoje! Nuk ke pse të më besosh"! Pasi që ai shijoi çajin, e pështyu përsëri në filxhan. "Po, kjo pa dyshim se është shura e Rudolph-it". "Vërtetë? E, unë mendova mos është shurra e Comet-it". Ai qeshi, unë qesha, ne qeshëm. Jo një qeshje sa për sy e faqe, jo një qeshje formale babë e bijë, por një qeshje të vërtetë. E para që patëm për... vite të tëra.

"Mendoj të shkoj ta shoh atë, të rri me të për festa. Nëse nuk ke asgjë kundër, atëherë ka të ngjarë që të shkoj nesër". Ai bëri një grimasë. "Do të kthehem, Henry", i premtova. "Asaj do t'i pëlqente kjo, Ashlyn. Ajo është shumë më mirë…". Ai iu afrua bredhit të kërshëndellave në kënd dhe mori një kuti dhurate. "Urdhëro"! E hoqa letrën mbështjellëse. E pashë emrin tim të shkruar mbi dhuratë dhe kjo më preku në zemër. "Ti gjithmonë na dhuron kartolina", pëshpërita. "Epo, mirë atëherë! Mendova që të provoj diçka tjetër këtë vit. Hape"! Isha e ngathët në hapjen e dhuratës, meqë më dukej sikur isha në një ëndërr nga e cila do të zgjohesha çdo çast. Ngreha përpjetë frymën nga befasia, kur pashë CD-në në duart e mia, me mbishkrimin "Romeo's Quest"'.

Henry pastroi fytin. "E di se mund të jetë e çuditshme, meqë ky është bendi i profesorit tënd. Por, i kam parë ata duke performuar një javë më parë. Ata këndojnë mirë, Ashlyn". Ai pauzoi, duke iu dridhur buza e poshtme. "Dani" - tha ai, duke pauzuar përsëri - "Z. Daniels më tregoi se çdo këngë e kishin bërë duke u bazuar në shfaqjet e Shakespeare-it. Ti e njeh Shakespeare-in, apo jo? Por, nëse nuk të pëlqen, atëherë mund të blejmë diçka tjetër. Do të të dërgoj në shoping..." Ofshava. E përqafova Henryn dhe e mbajta afër vetes. "Faleminderit, Henry. Kjo është një dhuratë perfekte". Më pas shkova te çaji, e piva edhe një gllënjkë, duke sharë dhe mallkuar rreth shijes së tij. "Pse e pi këtë gjë të pështirë"?, më pyeti Henry, duke bërë me dorë kah çaji.

"Nuk është edhe aq i pështirë", thashë. "Përpos kësaj, Gabbyt i pëlqente çaji. Për këtë shkak edhe fillova ta pi atë". Atij iu ulën vetullat. "Ça thua, a mund të më tregosh diçka më shumë rreth Gabbyt?" U ndjeva disi çuditshëm, meqë këtë pyetje ma bënte njeriu i cili do të duhej ta kishte njohur Gabbyn edhe vetë. "Çka dëshiron të dish?" Zëri i tij ishte i ulët, mezi i dëgjueshëm. "Çdo gjë". Pas orëve të tëra të bisedës me Henryn rreth Gabbyt, shkova në banjë, u futa në vaskë dhe fillova të flisja në telefon me Danielin. Ishte ora tre e natës, por atij as që i shkonte mendja ta ndërpriste bisedën.

"Më fal që të thirra kaq vonë", i thash. "Mos u mërzit. Edhe ashtu vetëm rrija shtrirë. Kisha përqafuar jastëkun dhe isha duke menduar për ty". Qesha me komentin e tij. "Nesër do ta vizitoj nënën…" "Njëmend? Kjo është shumë ide e mirë". "Jam nervoz… Çka nëse vizita nuk shkon si duhet? Çka nëse ajo nuk dëshiron të më shohë? Çka nëse, kur të arrij atje, do të jem ende e zemëruar me të? Meqë… ende nuk më është larguar zemërimi ndaj saj". Dëgjova ofshamën e tij në telefon, por edhe kjo mjaftoi që të jepte kurajë. "Në jetë më kanë ndodhur shumë gjëra të tmerrshme. Dhe, ajo që kam mësuar është se, nëse nuk e thua atë që ke për ta thënë, kur të jepet rasti... më vonë do të pendohesh. Edhe nëse je i zemëruar, thuaje atë. Bërtiti botës derisa ende e ke mundësinë ta bësh atë. Meqë, pasi që jeta të shkelë njëherë, e pati puna jote. Fjalët do të mbesin të pathëna". (vijon)

(Kosova Sot Online)