Raporti i britanikëve: Pse dështoi Gani Kryeziu dhe si u likuidua nga Enveri

  • 19 October 2017 - 09:52
Raporti i britanikëve: Pse dështoi Gani Kryeziu dhe si u likuidua nga Enveri

Në numrin e sotëm, publikohet pjesa e dytë e raportit të majorit britanik Simkos mbi lëvizjen e Gani Kryeziut në veri të Shqipërisë, por edhe nacionalistëve të tjerë si Abaz Kupi dhe Muharrem Bajraktari.

Simkos raportoi arsyet se pse nacionalistët dështuan të bashkohen dhe nëse bashkimi do të ndodhte, ata do mund t’i bënin ballë komunistëve.

Ai rrëfen se si u ndalua misioni i tij nga komunistët e Brigadës së 5-të dhe se si u arrestua Lazar Fundo, i cili vdiq nga torturat e shumta. Ky raport i majorit britanik flet edhe për dështimin e aleatëve, që lanë në baltë një nacionalist të fortë si Gani Kryeziu. 

DOKUMENTI I PLOTË

Dosja HS 5/134

Raport i Majorit A.C. Simkos

Nëntor 1944

Nacionalistët e veriut dhe pikëpyetja e Kosovës Dështimi i nacionalistëve të veriut për të organizuar një lëvizje të bashkuar kundër partizanëve Frika ndaj komunizmit dhe “Pan-Sllavizmit”, frika e një reforme totale, dëshira për të liruar Kosovën, ishin arsyet dhe bindjet kryesore të nacionalistëve të veriut.

Shefat e veriut i përdorën këto ide në programet e tyre për bashkim, por nuk u bashkuan dot dhe nëse do ishin të tillë, atëherë FNÇ do të kishte përballë, në veri, një bllok të fortë, që me siguri do ndalte avancimin e tyre. Duke përmendur emrat, do të theksoj edhe dështimet e tyre kryesore, siç janë përshkruar edhe nga kolegët.

1. Fiqiri Dine.

Një personalitet shumë ambicioz dhe më oportunisti nga shefat e tjerë. Konsiderohej nga Muharrem Bajraktari, si person që ndërronte krahun shpejt, ndonëse kërkonte ta afronte në lëvizjen e tij. Aktualisht është bashkëpunëtor dhe u bë kryeministër nën gjermanët, dhe i pamundur që të bëhej pjesë e një lëvizje, e cila mbështetej nga aleatët. Ishte i papëlqyer nga Ganiu për shkak të politikave të tij ekstremiste.

2. Abaz Kupi

E konsideronte veten si lideri i frontit nacional, ndonëse ishte i pashkollë dhe kishte pak mbështetje jashtë zonës së tij të influencës. Kreu i një lëvizjeje të veçuar, Lëvizja e Zogistëve, dhe pavarësisht kësaj, nuk arriti dot të kishte mbështetje e ta kthente Mbretin Zog. Dyshohej se kishte bashkëpunim me gjermanët dhe refuzoi, një moment, të luftonte gjermanët pa qartësuar qëllimet e tij.

Majori Simkons me kolegun Hibert dhe Selim Noken
Majori Simkons me kolegun Hibert dhe Selim Noken
3. Muharrem Bajraktari

Ka ambicie për të qenë në një pozitë dominuese. Përdor politikën neutrale, “të presim e të shohim”. Dështoi të evidentonte qëllimet e tij të vërteta.

4. Gani Kryeziu

Nuk kuptohej situata e tij para luftës. Po ashtu, edhe refuzimi i tij për të hyrë në një bashkëpunim me Kupin dhe Bajraktarin. Refuzonte të bashkëpunonte me bashkëpunëtorët apo ata që dyshoheshin si bashkëpunëtorë të pushtuesit. Mospërfillja e tij, për ata persona që kishin ambicie politike dhe mungesa e tij e bashkëpunimit, duke pasur si politikë që, “në fillim të fitojmë luftën”. Marrëdhënia e tij në ditët e hershme me KOSMET-in. Këto pika shpjegojnë pamundësinë e tyre për t’u bërë bashkë në një front lufte, ndërsa pikat e përbashkëta që i bashkonin, ishin antikomunizmi, Kosova e pavarur, qëndrimi kundër një reforme totale. Këta shefa nuk mund të prodhonin kurrë një organizatë efektive.

PIKËPYETJA E KOSOVËS

Edhe pse punova në Kosovë dhe takova shumë kosovarë, përgjithësisht, kam shmangur bisedat në lidhje me çështjen e Kosovës. Më shumë i jam përmbajtur propagandës, sipas së cilës, “populli i Kosovës duhet të luftojë përkrah forcave të FNÇ-së dhe Titos, të luftojnë gjermanët dhe të presin nga aleatët vendimin për të ardhmen e Kosovës”. Pikëpamjet në lidhje me këtë politikën tonë ishin të tilla; Kosova ka qenë tradicionalisht pjesë e Shqipërisë, ndaj serbët nuk mund të kenë asnjë të drejtë.

Majori Simkos me Selim Nokën dhe dy shqiptarë të tjerë
Majori Simkos me Selim Nokën dhe dy shqiptarë të tjerë
Ata i bazojnë pretendimet e tyre në toponime, si dhe në vlerën që ka Kosova si zonë e pasur bujqësore. Shumica e popullsisë në Kosovë është shqiptare. Fakti që Kosova është në shumicë shqiptare dhe e vendosur nën regjimin serb, qytetet e Kosovës kanë mbetur shumë mbrapa. Gjakova, që është një ndër më të rëndësishmet, por ka mbetur shumë prapa në 40 vitet e regjimit serb, si në shëndetësi, rrugë, etj ndërkohë që mjaft qytete të tjera shqiptare në liri kanë ecur më shumë. Ky ishte shqetësimi kryesor i Gani Kryeziut.

Personalisht, kjo gjë më dukej, që aleatët ia dhanë Kosovën serbëve, që në fakt, nuk u takon atyre, edhe për faktin se ata nuk ishin impenjuar seriozisht që ta konsideronin mirëqenien e banorëve shqiptarë të Kosovës. Ndaj, sugjerohet që ata ta humbasin Kosovën në të ardhmen dhe duket që nuk janë të interesuar që të fundosin interesat e tyre.

KAPJA E MISIONIT BRITANIK NGA PARTIZANËT. TËRHEQJA NGA TERRENI

Në 17 shtator 1944, pas disa ditëve të gjata betejash me gjermanët në Kepenek, në Zogaj, në Qafën e Prushit dhe në rrethinat e Gjakovës, dhe pasi forcat e tij ishin të lodhura dhe në mungesë të madhe municioni, 1500 forcat e Ganiut u zhvendosën në malet pas Qafës së Prushit për të mbrojtur hyrjen e Malësisë së Gjakovës, si dhe të prisnin ndihmat tona.

Ganiu, me shtabin e tij, u kthye në Vlad për të pritur ndihmat nga ajri, si dhe në të njëjtën kohë, të çlodhte trupat e tij. Misioni ynë u zhvendos në Dobret, më qëllim që të ruhej nga ndonjë sulm i mundshëm, bashkë me Lazar Fundon si përkthyes, me Said Kryeziun si drejtues si dhe nën mbrojtjen e 4 shqiptarëve të tjerë. Ndërsa ne u zhvendosëm, në mëngjesin e datës 19 shtator, forcat e KOSMET-it dhe Brigadës së 5-të, arritën në fshatin e Bites. Ata hynë në kamp dhe ne gjithmonë e kishim për detyrë që t’i ofronim mikpritjen trupave partizane.

Nuk e vumë re numrin e madh të trupave të tyre, të cilët ishin armatosur deri në dhëmbë falë ndihmave tona. Morëm lajmin që partizanët kishin urdhër të sulmonin Gjakovën, Prizrenin dhe Kukësin njëkohësisht, dhe prisnin që të kishin më shumë forca nga ana e KOSMET-it. Forcat partizane, që erdhën, provuan se nuk ishin aspak miqësore dhe as nuk kishin qëllim që të luftonin gjermanët. Këto qëllime u shfaqën nga vetë ata, kur komandanti i Brigadës së 5-të, kërkoi të na takojë dhe të flasë urgjentisht.

Ai nisi bisedën me dy pyetje. Së pari, pyeti, “A e di se ku je?” Iu përgjigja se po dhe i dhashë lokacionin e saktë. Pyetja e dytë ishte, a ke leje të shkruar nga shtabi i Përgjithshëm i FNÇ-së për të punuar si mision ushtarak? Iu përgjigja se nuk kisha dijeni që aleatët kishin njohur qeverinë e tyre dhe se kisha urdhrat e mia nga Bari, ku isha caktuar si mision ushtarak dhe nuk mund të njihja urdhra nga qeveria e tyre apo nga shtabi i FNÇ-së, të cilët nuk ishin në pozita për të vendosur nëse misionet ushtarake aleate do qëndronin në Shqipëri ose jo.

Në çetën e Gani Kryeziut, pjesë edhe Lazar Fundo 
Në çetën e Gani Kryeziut, pjesë edhe Lazar Fundo
Ky “zotëria” besonte se kishte të drejtë të kërkonte informacione të tilla dhe më tha se, përderisa nuk kisha leje të shkruar nga shtabi i tyre, nuk mund të rrija aty. Më tha se menjëherë duhet të merrja misionin tim e të shkoja në jug ku të identifikohesha pranë shtabit të tyre. Iu përgjigja se nuk kam ndërmend të bëj një gjë të tillë, duke vazhduar të shpjegoj se ai nuk ka asnjë autoritet për të kërkuar që të bëja një gjë të tillë. Isha tepër nervoz me këtë lider komunist të paedukuar dhe mizor.

Gjithsesi, ai vazhdoi duke thënë ishte pikërisht aty për të më lëvizur mua nga ky pozicion e që kishte urdhër nga Enver Hoxha për të më shoqëruar në jug të vendit për të marrë “lejen”. Atëherë i thashë, që unë mund të marr urdhra vetëm nga Lt. Kolonel Meklein ose direkte nga Bari dhe përderisa nuk e kam një urdhër të tillë, as nuk do lëvizja nga vendi dhe as nuk doja që ai apo trupat e tij të më shoqëronin.

Kjo situatë e bëri kaq nervoz, sa menjëherë kërcënoi që kisha vetëm dy orë kohë për t’u bërë gati për të lëvizur në jug. Tentova t’i ndryshoja mendjen gjatë atyre dy orëve, duke i thënë që nuk do largohem as me forcë. I kërkova radiolidhësit të nisë menjëherë një njoftim në Bari, por forcat e tij e ndaluan atë të kryente detyrën. Ky komandant komunist më hyri më pas në tendë duke lexuar mesazhet e vjetra që kisha marrë nga komanda. Kur e pa që nuk po lëviznim, e ktheu përmbys tendën time.

Dhe në këtë situatë të tillë, partizanët po hanin edhe ushqimet tona, të tjerët filluan të marrin edhe materialet e tjera. Tentova ta ndaloja këtë sjellje prej gangsterësh, por ishte e pamundur. Ndërkaq, misioni im lëvizi për në jug, sipas urdhrave të Brigadës së 5-të. U kërkova të takoj Fadil Hoxhën e KOSMET-it, por më injoruan dhe kërkuan të vazhdoj. Shkuam më tej dhe u vendosëm në fshatin Berishë, ku u vendos që të qëndrojmë aty pasi edhe Brigada e tyre do qëndronte në atë fshat.

Pranë meje, qëndroi një grup duke më vëzhguar, në rast se unë do doja të largohesha apo të arratisesha. Në këtë situatë, u vendos që të kishte pushim dhe trupat partizane u shtruan për drekë pa u kujtuar për ne. U kërkova diçka për të ngrënë, por nuk na dhanë asgjë. Na dërgoi një person, vetëm për të na thënë që të bëheshim gati të lëviznim. Gjatë mbrëmjes, pashë që 4 nga mushkat tona mungonin dhe më thanë që na i kishin marrë edhe ato. Më urdhëruan të ngarkoj vetëm 3 mushkat e ngelura, duke lënë pas shumë prej pajimeve të domosdoshme.

Po ashtu, u ndërhy edhe në pajisjet tona të ndërlidhjes dhe pashë më vonë se gjysma e tyre na mungonin. Ndërkaq, Brigada e 5-të nisi operacionin për në Gjakovë në bashkëpunim me KOSMET-in, duke u rënë trupave të Gani Kryeziut e madje duke i dhënë atij ultimatum të bashkohej me FNÇ-në, por ai u tha se refuzonte ta bënte një gjë të tillë. KOSMET-i u largua duke refuzuar të luftonte apo të tentonte të burgoste Ganiun dhe u bashkua serish më vonë me Brigadën e 5-të. Lëvizëm më pas në Bicaj, në mungesë të ushqimeve dhe pa ndonjë aksion të rëndësishëm. Mësuam se aty afër kishte një mision tjetër britanik, por nuk u lejuam të komunikojmë me ata, por as me Said Kryeziun, apo me Lazar Fundon, të cilët edhe ata ishin të burgosur.

ARSYET PSE U KËRKUA TË LËVIZË MISIONI YNË

1-Gani Kryeziu kishte luftuar gjermanët, nuk ishte përzier në asnjë bashkëpunim me pushtuesin. Kishte marrë ndihmë nga aleatët dhe për më tej, ai ishte bërë shumë i fuqishëm.

2- Ganiu kishte refuzuar të bashkohej me FNÇ-në

3-Dështuan me çdo tentativë për t’i gjetur prova që mund të kishte bashkëpunuar me pushtuesin.

4-Ndërkohë që misioni britanik ishte dëshmitar i çdo lëvizjeje të Ganiut, ishte e pamundur që partizanët të përdornin metodat, siç kishin bërë me të tjerët, me Muharrem Bajraktarin, duke e sulmuar direkt, ndaj shpikën metodën duke thënë se ata ishin sulmuar nga Ganiu.

5-Ganiu refuzoi të provokonte luftë ndaj partizanëve.

6-Misioni nuk ishte i interesuar të mbështeste politikisht KOSMET-in. Pretendimet për lëvizjen e misionit tonë, me urdhër nga Enver Hoxha, mund të mos pranohet më vonë, sa kohë që misioni të jetë sa më në jug dhe larg çdo tentative për të ndihmuar lëvizjen e Ganiut. Por të njëjtin fat e priste çdo mision tjetër britanik, që kërkonte të bashkonte forcat e nacionalistëve dhe FNÇ-së, duke u kërkuar atyre që të largoheshin menjëherë nga territori.

PËRFUNDIME

Pavarësisht se në të kaluarën formacione të FNÇ-së krijuan një qëndrim të mirë ndaj luftës, qëllimi i organizatës së FNÇ-së është eliminimi dhe shkatërrimi i çdo armiku të mundshëm. Qëllimet e tyre politike janë tepër larg tashmë nga qëllimet për të luftuar gjermanët, dhe duhet të shtoj se këtë po e bëjnë me armët dhe paratë e britanikëve. Në asnjë rrethanë nuk duhet thënë që FNÇ-ja ishte e interesuar vetëm te lufta, ndryshe pse duhej të harxhonin kohën e të merreshin me lëvizjen e Ganiut, kur ai ishte shumë aktiv kundër gjermanëve, ndërkohë që kohën mund ta harxhonin duke prerë linjat e komunikimit të armikut në Kukës apo Prizren.

Sulmet që po bënin ndaj gjermanëve nuk ishin të mëdha, nuk ishin efektive, por vetëm sulme që u shërbenin interesave politike, që të merrnin kontrollin mbi qytetet si dhe të tregonin se janë duke luftuar në mënyrë që ndihmat britanike ndaj tyre të vazhdonin. Kjo politikë e FNÇ-së është duke u përdorur në javët e fundit, pasi nuk kishte sulme ndaj armikut sepse u kuptua që ata po tërhiqeshin drejt Shkodrës, dhe prisnin me trupa pranë Tiranës apo Prizrenit e të hynin në qytete sapo gjermanët të largoheshin. Por duke parë që gjermanët vendosën të qëndrojnë më shumë në qytete, atëherë ata u detyruan të çojnë një Brigadë shtesë në veri.

Nuk mund të provohet nëse kjo brigadë luftoi gjermanët apo likuidoi armiqtë e pretenduar sepse oficerët britanikë ishin milje larg kësaj brigade. Ndërsa ne lamë në baltë nacionalistët e Shqipërisë e në veçanti Gani Kryeziun, i cili luftoi fort e me shumë sakrifica si asnjë komunist, ata po vazhdojnë sulmin mbi mbështetësit e Kupit. Ne duhet ta kishim ndaluar këtë gjë dhe t’u kishim ndaluar ndihmat, vetëm me kushtin që të kishte prova se po luftonin vetëm gjermanët.

Duke i lënë komunistët të sulmojnë, vrasin apo të provokojnë armiqtë e tyre politikë me ndihmat tona ushtarake, nuk kishte si të ishte më keq për ne. Kur Abaz Kupi dhe Muharrem Bajraktari po sulmoheshin, ne vetëm jepnim justifikime për arsyet pse kishim forcuar kaq shumë komunistët. Qorrazi, vazhduam t’u japim ndihmë duke u dhënë më shumë armë, municion dhe para.

Pse Britania duhet t’u jepte kaq shumë, kur ende nuk i kemi njohur si forcë qeverinë komuniste të Shqipërisë, kur na mbetën vetëm justifikimet ndaj këtyre aksioneve? Tani është shumë vonë, por politika jonë duhet të ndalonte ndihmat për FNÇ-në, që në momentin e parë që ata filluan t’i përdorin për luftë politike kundër armiqve të tyre dhe duhej të shtonim ndihmat për njerëzit si Gani Kryeziu.

Do të duhej vetëm pak kohë që nacionalistët e veriut të bashkoheshin pas Ganiut, do të luftonin gjermanët pa qenë nevoja të ishin pjesë e FNÇ-së dhe më pas të pretendonin që të njiheshin si qeveri. Kjo luftë ka ndihmuar shumë komunistët dhe nuk ka më nevojë që të ndihmohen më nga britanikët dhe amerikanët.

(Kosova Sot)