Nipi i Zogut kundër Pezës: E vërteta e lidhjeve të familjes mbretërore me Hoxhën

  • 20 October 2017 - 11:02
Nipi i Zogut kundër Pezës: E vërteta e lidhjeve të familjes mbretërore me Hoxhën

Nipi i Ahmet Zogut, Skënder Zogu, tregon se nuk ka pasur asnjë bisedë në familjen mbretërore për fejesë të Princeshës Maxhide me Enver Hoxhën. Nga Parisi ku jeton, Skënder Zogu, i vetmi dëshmitar i gjallë i të vetmes familje mbretërore shqiptare, tregon për gazetën “Panorama” se mes Enver Hoxhës dhe pjesëtarëve të familjes së tij nuk ka pasur asnjë komunikim.

Ai e sheh këtë skenar të trajtuar dhe më parë në mediat shqiptare, por shprehet me siguri se nuk ka pasur asnjë të vërtetë për një marrëdhënie të tillë. Sipas tij, mes princeshës Maxhide dhe Enver Hoxhës ka pasur edhe mospërputhje moshe, pasi ajo ka qenë më e madhe se Hoxha, ndërsa tregon dhe një detaj tjetër nga familja mbretërore. Sipas dëshmitarit të fundit të familjes mbretërore shqiptare, i cili shprehet se ka jetuar gjatë bashkë me hallat e tij, motrat e Mbretit Zog, një tjetër personazh ka qenë i interesuar për Princeshën Maxhide.

“Ajo që ne në familje kemi dëgjuar për kandidat për t’u fejuar me Princeshën Maxhide ka qenë Muharrem Bajraktari, i cili i ka kërkuar dorën princeshës dhe kjo fejesë nuk u realizua sepse familja mbretërore u largua nga Shqipëria. Tjetër rast nuk di të ketë pasur dhe princesha ka vdekur e pamartuar”, shprehet për “Panorama” Skënder Zogu. Sipas tij, e vetmja lidhje që Enver Hoxha kishte me familjen mbretërore ishte nëna e mbretit, Sadije Toptani. Ajo, sipas tij, merrej me mbështetjen me bursa të studentëve shqiptarë për të studiuar në kryeqytetet më të njohura europiane.

“Nëna Mbretëreshë ka qenë iniciatorja e mbështetjes së studentëve shqiptarë për të studiuar në vendet perëndimore. Me sa di unë, kanë qenë mbi 130 studentë që studiuan në Francë, Itali dhe Austri. Prandaj po ju them se Enver Hoxha nuk ka pasur lidhje me këtë histori fejesash”, u shpreh Skënder Zogu për gazetën “Panorama”.

Skënder Zogu

Në romanin e tij “Sarah”, gazetari Alfred Peza ka trajtuar historitë e personazheve reale të historisë së Shqipërisë, siç është Ahmet Zogu, Faik Konica (Fuad beu), Gjergj Fishta, e sigurisht Sara Blloshmi, siç e quan ai, mbretëresha e zemrës së Mbretit Zog, nga ka marrë edhe titullin romani. Ai flet për një fejesë, të pamundur apo të dështuar për shkak të largimit nga Shqipëria të familjes mbretërore, mes motrës së Ahmet Zogut, Maxhides dhe Enver Hoxhës.

Ish-deputeti dhe gazetari Alfred Peza në librin e tij “Sarah” shkruan për një fejesë të dështuar të Enver Hoxhës me motrën e Mbretit Zog, Maxhiden. Keni dijeni ju për këtë fakt si pjesë e familjes mbretërore?

Këtë histori e kam dëgjuar edhe më parë nga studiues të ndryshëm. Por kjo nuk ka qenë e vërtetë. Ne kemi jetuar bashkë me Princeshën Maxhide, por ajo nuk ka pasur ndonjë lidhje me Enver Hoxhën. Unë kam jetuar me hallat, princeshat dhe asnjëherë nuk është përmendur një gjë e tillë. Princesha Maxhide nuk u martua asnjëherë dhe nuk e di se nga ka dalë kjo histori për fejesën e saj me Enver Hoxhën.

A ka pasur ndonjë letërkëmbim të Enver Hoxhës me princeshat?

Jo, jo, nuk ka pasur. Enver Hoxha ka pasur vetëm një lidhje kur ka qenë i ri me familjen mbretërore. Ajo ka qenë Nana Mbretëreshë, domethënë nëna e Ahmet Zogut, Sadije Toptani. Sepse ajo merrej me bursat e studentëve që studionin jashtë shtetit me paratë e mbretërisë.

Ka qenë nëna e Ahmet Zogut që ka bërë të mundur dërgimin në Francë të Enver Hoxhës për të studiuar?

Po, po, ajo merrej me bursat e studentëve.

Nuk ka ardhur Enver Hoxha për ta falënderuar për bursën apo ndonjë letërkëmbim?

Jo, jo, ajo vdiq herët, në vitin 1934. Nëna Mbretëreshë ka qenë iniciatorja e mbështetjes së studentëve shqiptarë për të studiuar në vendet perëndimore. Me sa di unë, kanë qenë mbi 130 studentë që studiuan në Francë, Itali dhe Austri. Prandaj po ju them se Enver Hoxha nuk ka pasur lidhje me këtë histori fejesash.

Madje Princesha Maxhide ka qenë më e madhe në moshë se Enver Hoxha. Ajo që ne në familje kemi dëgjuar për kandidat për t’u fejuar me Princeshën Maxhide ka qenë Muharrem Bajraktari, i cili i ka kërkuar dorën princeshës dhe kjo fejesë nuk u realizua sepse familja mbretërore u largua nga Shqipëria. Tjetër rast nuk di të ketë pasur dhe princesha ka vdekur e pamartuar.

 (Kosova Sot)