Intervista e Petro Markos me komunistin jugosllav, çfarë mendonte për Enverin

  • 30 October 2017 - 11:21
Intervista e Petro Markos me komunistin jugosllav, çfarë mendonte për Enverin

NGA BESNIK DIZDARI

MILOVAN GJILAS I VITIT 1945…

Vizita informale e Milovan Gjilasit shndërrohet krejtë- sisht në një vizitë formale, si të thuash, edhe zyrtare. I vë vulën gazeta “Bashkimi”, e cila në numrin e saj të 29 majit 1945 boton intervistën e tij “gjigante”: nga faqja e parë me vijim të gjatë në të tretën. Nga ana e gjeopolitikës së profesionit, them pra se kjo është intervista e parë e një personaliteti të lartë të huaj të një shteti komunist që botohet në një gazetë shqiptare. Dhe ja emri i shquar i gazetarit që e interviston. As më pak e as më shumë, por veç Petro Marko. Është vërtet e çuditshme, por jugosllavizimi i Shqipërisë komuniste thuajse po shpërthente edhe në faqet e “Bashkimit”.

Më 27 maj, “Bashkimi” kishte njoftuar me bujë në krye të vendit për mbërritjen në Tiranë të “Ministrit të Jugosllavisë Federative në Shqipëri, Z.Velimir Stojniç”, i famshmi Velo – shoqëruar prej kryetarit të Misionit Ushtarak Shqiptar në Beograd, major Vasil Konomi – i cili për vokacionin tim profesional, të anës tjetër të medaljes, kujtoj se jo fort larg, por vetëm 7 vjet më parë, më 1938, Vasil Konomi kishte marrë pjesë si atlet i Shqipërisë në Kampionatin Ballkanik të Atletikës së Lehtë mû në Beogradin e Stojniçit. Ndërsa më mbas, si partizan i orëve të para, do të zhvishte kostumin ushtarak për t’u bërë nja 12 vjet më vonë drejtuesi i nderuar i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, pikërisht në ditët e rithemelimit të tij.

Image

Velimir Stojniçin ndërkaq, e presin në aeroport një tufë drejtuesish të Shqipërisë së Re me në krye ministrin e Punëve të Jashtme, Dr. Omer Nishanin, i cili mban dhe një fjalim të shkurtër me ditirambe për heroizmin gjatë luftës së “Popullit Shqiptar dhe popujve të Jugosllavisë së Mareshalit Tito”. Dihej ndërkaq se Stojniçi kishte qenë i dërguar i Titos gjatë luftës në Shqipëri dhe ishte një ndër figurat më të shquara të Partisë Komuniste: mësues, gazetar, luftëtar, udhëheqës i formacioneve partizane në Bosnje – përveç të tjerave pjesë e një familjeje të tanë partizane me në krye të jatin e tij – rënë në luftë.

Vite më vonë do të jetë gjithashtu njëri prej “personazheve negativë” të “romanit” të Enver Hoxhës “Titistët” ose “Titoistët”, si do ta shkruante shtypi jugosllav, ndoshta më saktë nga ne nga ana gjuhësore. Ndërkohë, një ditë para mbërritjes së Stojniçit, Enver Hoxha kishte pritë Milovan Gjilasin në një bisedë që zgjat më se një orë. Dhe 48 orë më vonë intervista e tij në “Bashkimi” me titullin disi të çuditshëm, sa të një diplomacie të një niveli gjerësisht ndërkombëtar, por aq dhe disi paternaliste: “Jugosllavia dëshiron që Shqipëria të konsolidojë pozitën e saj ndërkombëtare”.

Gjilas do të shpërthejë që në përgjigjen e pyetjes së parë të Petro Markos se: “Cilat qenë arsyet që Jugosllavia Federative njohu e para qeverinë tonë?”. Përgjigjja natyrisht është e mbushur me sloganet e një politike “solidariteti” të rrallë, çka shfaqet në këto përcaktime të Milovan Gjilasit: “Qeveria jonë, – thotë Gjilas, – beson se Qeveria e sotme e Shqipërisë që doli nga lufta e popullit kundra okupatorit, është përfaqësonjësja legale e Shtetit Shqiptar dhe prandaj e quan të nevojshme ta njohë këtë Qeveri. … Qeveria Jugosllave me këte hap kërkon që të ndihmojë Shqipërinë në konsolidimin e marrëdhënieve të saja me Aleatët e Mëdhej dhe të japë iniciativën në këte drejtim…

Jugosllavia e sotme dëshiron që Shqipëria të jetë një shtet i pavarur dhe të vendoset në marrëdhëniet ndërkombëtare sovraniteti i saj shtetëror… Por Jugosllavia përveç kësaj, ka dhe interes të veçantë në marrëdhëniet e saj me Shqipërinë… Jugosllavia dëshëron që Shqipëria, si fqinja e saj më e afërme dhe si shok besnik i luftës, të konsolidojë sa më parë pozitën e saj ndërkombëtare, ashtu siç ngjau edhe me te. Jugosllavia e sotme nuk ka kundrejt Shqipërisë asnjë interes tjetër përveç atij që Shqipëria të jetë shtet me të vërtetë i pavarur…”. Fjalë e “pavarësi”, si të ishim më 1912.

Sepse duhej të themelohej një Shqipëri tjetër, Shqipëria komuniste. E ndërkaq, Petro Marko, i cili vazhdon duke pyetur për “gjurmët që lanë njisitë e ushtrisë s’onë që lëftuan krah për krah me ushtrinë t’Uaj në tokat e Jugosllavisë”, çka merret me mend se Gjilas nuk do të kishte përgjigje tjetër përveçse kësaj: “Ata janë sjellë në një mënyrë jashtëzakonisht të mirë me popullatën civile, dhe kudo ku kanë kaluar kanë lënë kujtimet më të bukura ndër shtresat më të gjëra të popullit”…

Por “…dhe kanë treguar iniciativë dhe vetëmohim në luftë për çlirimin e Jugosllavisë, si të lëftonin për çlirimin e vendit të tyre”. Kur kalon mandej te përshtypje të tjera, Milovan Gjilas të duket sikur kërkon të portretizojë rrufeshëm, qysh në këto ditë maji 1945, udhëheqësit shqiptarë që i gjen në personalitetet simbas tij, të Dr. Omer Nishanit dhe Enver Hoxhës. E ndërsa të parin ai e përcakton “si personalitet fisnik dhe inteligjent”, duke e konsideruar “si një nga patriotët e mëdhej të Europës së robëruar që kanë dalë në këte luftë… e “me një zemër të madhe fisnike”, kur mbërrin tek Enver Hoxha, kalon në superlativ: “Besoj, – thotë Gjilas, – se ky është i vetmi personalitet që mund të bashkojë të tëra përpjekjet nacionale në luftë për përkëmbjen dhe rilindjen e Shqipërisë. Historia më moderne e Shqipërisë nuk ka dhënë figurë më të madhe.

Nga përshtypja që më ka lënë një bisedim i shkurtër me te, unë besoj se ky ka talent dhe energji të mjaftueshme që të justifikojë këte besim të historisë dhe të popullit. Jam shumë i kënaqur që konstatova në të një mik të vërtetë të Jugosllavisë së re, i cili përpiqet që në marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy popujve, të ndiqet udha e bashkëpunimit dhe e afrimit më të sinqertë dhe të shlyhen të tëra ato që i prishnin marrëdhëniet në të kaluarën. Z. Hoxha është i ri si burrë Shteti dhe jam i bindur se do të bëhet personaliteti më i lartë dhe se do të bëjë vepra më të mëdha për të mirën e vendit dhe të popullit të tij, vepra me rëndësi edhe për popujt e tjerë të Ballkanit”.

Marrëdhënie të reja, pra, jo të Mbretërisë Jugosllave e asaj shqiptare, por të Jugosllavisë komuniste dhe të Shqipërisë po komuniste. Asesi të një kohe, por të një kohe tjetër për “të shlyer të tëra ato që i prishnin marrëdhëniet në të kaluarën”, siç thotë Gjilas. Dhe garanci për këte ai thotë se ishte edhe vetë Enver Hoxha, “një mik i vërtetë i Jugosllavisë së re”. Duket që, në euforinë e partizanërisë komuniste jugosllavo-shqiptare, kur e thekson disi edhe epërsinë rinore të Enver Hoxhës, Gjilas harron se për vete është plot tre vjet më i ri. Por kjo është diçka e dorës së dytë.

Na duhet të futemi në shpirtin dhe thelbin e kohës së vitit 1945, kur euforia e fitores mbi fashizmin dhe ditëve të vendosjes së komunizmit gati në gjysmën e Europës sundonte mendjet, zemrat dhe shtatin e gjithë udhëheqësve komunistë, të cilët ende nuk e kishin ndërruar kostumin e partizanit. E pra, asisoji, kemi ende të bëjmë me Milovan Gjilasin besnik të palëkundur të idesë komuniste të Jugosllavisë së Titos. Ndonëse nuk do të vononte dhe hap mbas hapi gjithçka te ky personalitet do të ndryshohej kryekëput, duke e shndërruar në disidentin ndër më të parët e shoqërive komuniste të Europës.

Në këtë kontekst, duhet kuptuar dhe euforia e tij e majit të vitit 1945 për udhëheqësit ende partizanë të Shqipërisë komuniste që sapo lindte. Rreth 35 vjet më vonë, kur tash disidenti Milovan Gjilas do të shkruante kujtimet e tij me të cilat po merremi ne në këtë dossier të sotëm të “Panoramës”, ai është një tjetër. Ose është ky i këtij kapitulli tjetër të kujtimeve të tij:

Image

Enver Hoxha dhe Josif Broz Tito

 

MILOVAN GJILAS I VITIT 1980…

Në të vërtetë, mbas gjithë atyre gati 40 vjetëve larg 1945-s të Tiranës që kishte vizituar, tash, në fillim të viteve ’80, Milovan Gjilas ishte pra krejt tjetër. Nuk ishte më pjesë e katërshes drejtuese komuniste Tito – Kardel – Gjilas – Rankoviç (Tito Sekretar i Përgjithshëm i Partisë, e Gjilas sekretar i Partisë). Tash ai ishte revizionisti Milovan Gjilas i vitit 1954, i përjashtuari prej Komitetit Qendror; ishte i arrestuari i vitit 1956, i riarrestuari i vitit 1957, i dënuari edhe për shkak të librit “Klasa e re”; mandej i arrestuari i vitit 1962 edhe për librin “Bashkëbisedime me Stalinin”.

Natyrisht (meqë jemi në Jugosllavinë e Titos dhe jo në Shqipërinë e Enver Hoxhës) i liruar nga burgu më 1966, duke mos i ndryshuar asnjë pikë disidencës së tij, teksa shëtiste në rrugët e Beogradit si një qytetar i lirë”… Ky Milovan Gjilas pra, i vitit 1980 apo 1985, ka gjykim tjetër të tij edhe për marrëdhëniet jugosllavo – shqiptare dhe për udhëheqësit shqiptarë. Dhe ja si shkruan pra, mbas 35 vjetëve, Milovan Gjilas: “… Në këtë kohë (1945) Enver Hoxha ishte kreu i konfirmuar i Shqipërisë. Tridhjetë e pesë vjeç, trupmadh, me sjellje modeste, me një padurim të madh për të mësuar. Mbrapa dukjes së tij europiane dhe të një thjeshtësie, kuptohej megjithatë se kishim të bënim me një personalitet kryefortë, i mbyllur dhe i pakapshëm.

Fliste saktë frëngjisht. Ishte gjithnjë i përqendruar te problemet e brendshme të lidhura – nëse jo krejtësisht, të paktën pjesërisht – me natyrën e rolit të tij ashtu siç e konceptonte ai. Herë-herë shprehja e tij shndërrohej papritmas në një buzëqeshje çuditërisht mizore. Gruaja e tij ishte e re dhe e bukur, me një lëkurë brune, sy të mëdhenj dhe me qerpikë të gjatë. Jetonin në një vilë, por për ta po bëhej gati rezidenca mbretërore në një kodër në Durrës. Kam mësuar se më vonë Hoxha është bërë më i matur dhe me më pak synime në këtë anë. Përjashto çështjet e qenësishme të pushtetit dhe të ideologjisë. Por këto ishin kohë të tjera…

Ne imitonim rusët në qeveri, shqiptarët na imitonin ne në qeveri dhe në luksin autokratik. Presidenti i Presidiumit, Omer Nishani, ishte i njohur për edukatën dhe kulturën e tij. Atdhetar i çliruar prej paragjykimeve nacionaliste, ai ishte i palëkundur në shpresat e tij për një Shqipëri të re dhe të një ribashkimi ballkanik. Por, edhe pse ishte i respektuar prej të gjithëve dhe ishte një kënaqësi ta takoje e të diskutoje me të, ai nuk kishte as pushtet dhe as ndikim. Nako Spiru bënte pjesë në kreun, edhe sepse nuk mund të thuhej se ishte një eksponent i spikatun.

Dallohej për sinqeritetin dhe inteligjencën e hollë. Me trup të brishtë, thuajse të imtë, ai ishte plot nerv. Thuhej se kishte kaluar një fëmijëri jo të lumtur ose që kishte kaluar një dhimbje të pangushëllueshme. Në atë fillim idilik të marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare, Spiru ishte plot ide të bashkëpunimit ekonomik. Edhe pse nuk dinte shumë nga ekonomia – aq më tepër që unë nuk isha i interesuar për këtë fushë – bëmë së bashku “plane” të vëllazërimit dhe të përparimit. Kur më 1947, u izolua për shkak të kundërshtimit të tij ndaj Jugosllavisë dhe Spiru u vetëvra, unë u trishtova për shkak të një ndjenje të brendshme të pangushëllueshme të këtij veprimi.

Image

 

Pavarësisht nga teza e pranuar përgjithësisht se ai qe lënë të binte në vetminë e një zemërimi nacionalist. Koçi Xoxe ishte numri dy në Shqipëri. Ashtu si Rankoviçi, ishte ministër i Brendshëm dhe sekretar i Komitetit Qendror. Nga paraqitja e jashtme ishte i bëshëm, trupshkurtër e kryefortë. Nuk ishte shumë i shkolluar, por kurajoz, metodik dhe i shijeve të thjeshta.

I ngadalshëm në marrjen e vendimeve, tregohej tejet i vendosur kur e merrte vendimin. Kishte kaluar disa vjet në Maqedoni dhe përmes maqedonishtes ia kishte arritur të përvetësonte mjaft mirë serbo-kroatishten, edhe pse nuk kishte fort dëshirë ta përdorte. Rankoviçi dhe Tito e konsideronin Xoxen njeriun më të vendosur dhe proletarin e Komitetit Qendror shqiptar, në ndryshim nga Hoxha, të cilin e gjykonin inteligjent dhe të denjë për t’u vlerësuar, por të veshur me vlerat e një borgjezi të vogël dhe të njëlloj intelektualizmi. Takimi im me Xoxen në Tiranë ishte më shumë një çështje protokolli të çastit për shkak se operonim në fusha të ndryshme.

Më vonë pata mundësi ta njihja më mirë, ngaqë vinte shpesh në Beograd për punë qeverie ose të partisë, ku takohej rregullisht me Rankoviçin në zyrat e Komitetit Qendror, aty ku punoja edhe unë. Vlerësimi që shprehnim ne për liderët shqiptarë bazohej mbi të gjitha nga raportimet që na vinin nga përfaqësuesit tanë Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha – dy komunistë të cilët gjatë luftës ishin plagosur në Shqipëri mbasi kishin ikur prej një kampi përqendrimi. Roli i tyre, siç e shoh unë, ishte më shumë sesa thjesht ai i ekspertëve revolucionarë; që i përshtateshin një lëvizjeje të re dhe ende të pazhvilluar të një populli fqinj, sesa si përfaqësues zyrtarë të Partisë jugosllave.

Ndihma që ata u jepnin shokëve shqiptarë ishte thelbësore, por në historiografinë jugosllave mbas vitit 1948, kur Shqipëria u bashkua me fushatën sovjetike kundër nesh, roli i tyre u mbivlerësua me synimin se pa Popoviçin dhe Mugoshën, Shqipëria nuk do të kishte pasur as revolucion dhe as edhe një parti. Të përçosh përvojat tuaja te një vend i huaj në fillim kjo shkakton moskuptime dhe kundërshtime, mandej sundim dhe nënshtrim. Është një realitet për të cilin unë isha i përgjegjshëm, por nuk mendoja se kjo mund të ishte e vlefshme edhe për marrëdhëniet midis partive komuniste dhe midis vendeve socialiste.

Image

Më ndodhi gjatë udhëtimit tim në Shqipëri të vija re diçka të papërshtatshme dhe të panatyrshme për sa i përket bartjes, apo më mirë me thënë, ndikimit të përvojës sonë. Besoj se e kisha ngritur këtë çështje në bashkëbisedimet e mia me shqiptarët, kujtoj sidomos diskutimin e thellë me delegatin tonë të Partisë në Shqipëri, Velimir Stojniç. Stojniç ishte një revolucionar i spikatun në zonën e Drvarit, një mësues i shquar dhe një funksionar i përkushtuar i punës së tij: do të kishte qenë një intelektual i një niveli të mirë nëse do të kishte njohur gjuhën shqipe ose franceze. Por këmbëngulja dhe shpirti i iniciativës bëhen pengesë nëse shkojnë kundër rrymës së jetës dhe të krijimit.

Kështu i ndodhi Stojniçit në Shqipëri: ai këmbëngulte me kryefortësi në mënyrat dhe pikëpamjet jugosllave. Natyrisht, këshillat e mia nuk patën asnjë ndikim tek ai. Kur u ktheva në Beograd, ua parashtrova problemin krerëve të tjerë. Përgjigjja e Titos ishte se duhet të veprojmë me maturi dhe kujdes. Rankoviçi dëgjonte me vëmendje, shêjë kjo se e kuptonte që duhej ndërruar mënyra e veprimit, por jo synimet tona. Stojniçi qe pasojë e gjithë kësaj, teksa u thirr në atdhe ku iu besua një detyrë e një përgjegjësie të lartë dhe delikate brenda Komitetit Qendror.

Kur Rankoviçi ra më 1966, Stojniçi nuk nguroi për ta kritikuar politikën e tij të kuadrove, ngaqë ai kishte qenë vetë administratori përgjegjës i drejtpërdrejtë. Njerëzit e braktisin anijen kur ajo po fundoset, me shpresë se do të ngjiten në bordin e një anije më të mirë dhe më të madhe. Para se të largohesha nga Shqipëria, dhashë një intervistë informale në të përditshmen “Bashkimi”.

Ndërsa po fluturoja mbi “Prokletija” (kështu e quajnë malazezët pjesën e tyre lindore, atë të Jugperëndimit të Serbisë dhe të Veriut të Shqipërisë) për në shtëpi, ndieja se më së fundi i kisha kapërcyer barrierat e mëdha personale dhe që më së fundi po hyja në bashkësi me këtë popull me të cilin ekzistonin lidhje të lindura prej luftërave të përgjakshme po dhe të shpresave, por me të cilin na ndanin ndryshime kombëtare të pakalueshme”, e mbyll Milovan Gjilas këtë pjesë të tregimit të tij. Ndërkaq, krejt shpejt do të mbërrinte ndarja e madhe, dhe Gjilas ende do të vazhdojë të jetë protagonist, madje gjithnjë edhe në lidhje me Shqipërinë…

(Kosova Sot)