Çfarë shkruante Enver Hoxha për oborrin e fshatarit, bagëtitë dhe pulat

  • 03 November 2017 - 21:47
Çfarë shkruante Enver Hoxha për oborrin e fshatarit, bagëtitë dhe pulat

Ish- kreu i Arkivit në ministrinë e Brendshme, Kastriot Dervishi publikon pjesë nga ditari i Enver Hoxhës në vitet 1980.

Më 8.3.1980 kryesia e Këshillit të Ministrave, paraqiti një studim për çështjen e tufëzimit dhe shkurtimit të oborrit kooperativist. 

Ky material do paraqitej në mbledhjen e Byrosë Politike të datës 22.4.1980. Nga frika e tufëzimit, fshatarët kishin therur 525 mijë bagëti të imëta.

Diktatori ka shënuar porisitë e tij në këtë material. Të habit fakti se me çfarë merreshin këta njerëz për t'i bërë keq këtij populli. 

Enver Hoxha, pasi lexon propozimet, më 14.4.1980 dhe vendos këtë shënim:

a-Për oborrin kooperativist.

Ndarjes së oborrit kooperativist duhet t’i caktojmë një kufi: babai a ndajë kopshtin vetëm me djalin e parë. Djemtë e tjerë nuk do të kenë tokë, do të jenë kooperativistë pa oborr. Pastaj kur babai do të vdesë, toka e tij i kalon kooperativës, kështu ikën ½ e oborrit e kur të vdesë edhe djali i parë, oborri likuidohet.

b-Bagëtia.

Bagëtia shkon bashkë me tokën, ndryshe ajo s’ka ku kullot. Prandaj kurora e parë e fëmijëve djem, të marrë nga babai edhe 10 kokë bagëti. 

Djemtë e tjerë që nuk do të kenë tokë, t’u lejojë statuti të blejnë 5 (jo 10) kokë dele dhe t’i tufëzojnë ato. (Në malësi që tani u kemi lënë më shumë dele dhe 1 lopë, të veprojmë me mënyra të tjera, por të ndiqet e njëjta rrugë si edhe në fshat.

Pulat dhe shpendët të qëndrojnë sikurse është paraqitur në materialin që po shqyrtojmë.

(Kosova Sot)