Komunikimi politik i Sali Berishës dhe ‘sekretet’ e liderit, Mustafaj rrëfen vitet ‘90

  • 25 January 2018 - 10:18
Komunikimi politik i Sali Berishës dhe ‘sekretet’ e liderit, Mustafaj rrëfen vitet ‘90

“Kultura e tij e përgjithshme shumë e gjerë. Qysh në fundin e viteve ’70 të shekullit të kaluar, Sali Berisha, profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës, kardiolog me një nam të mirë në ngjitje, po shihej gjithnjë e më me respekt në rrethet intelektuale të Tiranës…Nuk kam njohur asokohe njeri që të lexonte aq shumë sa Sali Berisha”.

Kështu shrehet një nga njerëzit që ka qenë më afër Ish kryeministrit dhe ish Presidentit Sali Berisha, Besnik Mustafaj.

Alfred Lela prezanton librin “Fjalori politik i Sali Berishës ’90-’92″. “Studimi i thelluar i Lelës më dha shkas për të kujtuar si e ‘shpikëm’ në ligjërimin tonë publik në atë periudhë të vrullshme”

BESNIK MUSTAFAJ NJË FTESË PËR LEXIM
Libri “Fjalori politik i Sali Berishës ’90-’92″ ka rigorozitetin e shkencëtarit në kërkimin e fakteve, që do të analizohen, ka metodologjinë e qartë për parashtrimin e lëndës, ka rrjedhimisht edhe neutralitetin e dobishëm në nxjerrjen e përfundimeve. Në këtë punim shqyrtohet komunikimi politik i Sali Berishës në periudhën 1990-1992.

Për nga zhvillimet, kjo periudhë është nga më intensivet në historinë e Shqipërisë së shekullit XX. Ajo përfshin muajt e fundit të regjimit stalinist dhe muajt e parë (më pak se dy vjet) të lindjes së demokracisë dhe të pluralizmit politik, tashmë, jo vetëm si aspiratë e ngjizur e shoqërisë, por edhe si realitet politik, kushtetues dhe institucional në Shqipëri. Sado që Alfred Lela bën në këtë rast objekt studimi vetëm një aspekt të historisë që po zhvillohej, parë kjo përmes shpalosjes së personalitetit të Sali Berishës, që ishte padyshim protagonisti me ndikimin më të fuqishëm mbi ortekun e ngjarjeve, ai në të vërtetë jep shkas për të rindërtuar aposteriori krejt historinë e asaj periudhe me të mirat dhe dobësitë e veta, por ku në fjalë të fundit kryhet përmbysja, shënohet kthesa e mrekullueshme në fatin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Pas leximit të këtij punimi, unë jam plot admirim për Alfred Lelën. E marr me mend sa mundim i është dashur për ta kaluar imtësisht nëpër duar vëllimin jashtëzakonisht të madh të ligjërimit politik të Sali Berishës gjatë asaj periudhe, për të qëmtuar pastaj shembujt më domethënës, ku leader-i i ri i demokratëve, i dalë nga askund, përsa i përket përvojës politike, siç ishim edhe të gjithë ne që e rrethonim, e shpreh veten më qartë e më në dinamikën e rritjes, për t’u bërë brenda një kohe të pabesueshme ai që u bë: strumbullari mishërues i kësaj historie.

Përkitazi me lëndën e shqyrtuar në këtë punim, unë jam krejt e kundërta e Alfred Lelës: nuk kam as rigorozitetin e tij shkencor, as metodologjinë dhe as neutralitetin në nxjerrjen e përfundimeve. Por jam një dëshmitar i brendshëm në historinë e zhvilluar tashmë, njohës i afërt i Sali Berishës, kohë para se të fillonte përmbysja, me të qysh në ditën e parë të historisë e në vazhdim dhe për më tepër shkrimtar, pra, njeri i prirur natyrshëm për të mbajtur shënime në fund të ditës. Me këto kushte, dashje pa dashje, unë jam një lexues i veçantë i këtij punimi dhe mund të shërbej, në njëfarë mënyre, si një pasqyrë konkave për projeksionin e autorit, ku ne, në sjelljen dhe në komunikimin tonë publik, një çerek shekulli më vonë, dukemi më të mirë nga ç’kemi qenë, në kuptimin që ngjajmë shumë më të qartë për rrugën që po ndiqnim për arritjen e qëllimit tonë politik dhe më të strukturuar në ligjërimin tonë publik. Në të vërtetë, e them pa modesti, sidomos në fillim, ne ishim shumë më intuitivë në reagimet tona se sa logjikë. Por, me sa duket, teoritë moderne të komunikimit, të cilat Alfred Lela dallohet që i njeh mirë, nuk marrin parasysh intuitën si udhërrëfyese të elitave në situata të ndërlikuara e që nuk presin. Ne ishim amatorë. Ama, amatorë me sinqeritet të shqetësuar dhe jashtëzakonisht të zellshëm për të mësuar. Po përmend një rast, që lidhet me mua. Alfred Lela sjell në punimin e tij një shembull nga libri im “Midis krimeve dhe mirazheve”. Ky libër u shkrua në periudhën prill- tetor 1991 dhe, me sa di unë, është i pari i këtij lloji. Veçantia e tij kryesore është se shkruhej pak a shumë në të njëjtën kohë kur zhvilloheshin ngjarjet. Në shembullin, që zgjedh autori për të mbështetur analizën e vet, unë shpreh frikën tonë nga shfaqja e mundshme e ekstremizmit të djathtë, ndërkohë që ishim nën një presion të dhunshëm të enveristëve, të cilët kishin vërshuar rrugëve të qyteteve e të fshatrave të Shqipërisë me bustet e idhullit të tyre në krahë. Në përputhje me premisat teorike, studiuesi kërkon në këtë rast në skenën politike të kohës partinë ose partitë që duhej ta mishëronin ekstremin e djathtë dhe, me të drejtë, nuk i gjen. Sepse nuk kishte të tilla. Kapitujt kryesorë të librit tim u botuan me vazhdime në gazetën “Zëri i Rinisë” në gusht e në fillim të shtatorit (1991). Pra, edhe ky tekst është pjesë integrale e ligjërimit publik të kohës dhe i shërben Alfred Lelës për ta vendosur komunikimin protagonist të Berishës në kontekst. Për t’u mbajtur parasysh është se unë, që shprehesha aty, nuk kisha marrë kurrë ndonjë mësim për shkencën politike apo atë të komunikimit dhe nuk kisha lexuar ende ndonjë fjalor të politikës. Unë thjesht përshkruaja pothuajse në mënyrë sinkrone frikën që ndjeja e që nuk ishte vetëm frika ime përballë asaj që shihja: individë të ndryshëm e merrnin fjalën në mitingjet tona ende pa asnjë protokoll dhe kërkonin hakmarrje radikale. I tillë ishte, për shembull, Edi Rama, i cili në një miting para stadiumit “Qemal Stafa”, kërkoi që komunistët të vareshin nëpër degët e pemëve të qytetit. “Duke filluar nga babai im”, tha ai dhe u brohorit nga turma. Në barasvlerë me historinë e enveristëve, ky lloj revanshi kundër tyre, në perceptimin tim empirik ishte ekstremi i djathtë. Në rrethanat e acaruara në kulm, ai nuk kishte nevojë doemos për organizim politik për të bërë dëmin e madh. Kështu, kërcënimi që shihnim ne për një përplasje civile ishte i përligjur. Studimi i thelluar i Alfred Lelës më dha shkas për të kujtuar si e “shpikëm” ne ligjërimin tonë publik në atë periudhë të vrullshme. Jo vetëm me standardet e gjuhës politike, por as midis nesh ai ligjërim nuk ishte i unifikuar. Ne po e mësonim atë gjuhë ditë pas dite dhe në mënyrë autodidakte. Studiuesit e brezit të Lelës, akoma më shumë ata të brezave të ardhshëm, brenda seriozitetit të tyre shkencor, me plot të drejtë do të çuditen, ndoshta edhe do të nënqeshin kur të shqyrtojnë rezultatin tonë. Bie fjala, Alfred Lela nxjerr në pah eklektizmin në ligjërimin e Sali Berishës gjatë asaj periudhe dhe përpiqet, me një skrupulozitet prej shkencëtari, të qëmtojë arterien që e ushqenim tek ideologjia e djathtë. Në të vërtetë, Sali Berisha ndjehej shpirtërisht dhe me arsye i djathtë, jo doemos si rrjedhim i formimit kulturor dhe ideologjik gradual, por si rrjedhim i qëllimit që i kishte vënë vetes dhe misionit të madh, që kishte marrë përsipër, në përgjigje të nevojës urgjente, që kishte shoqëria shqiptare dhe kombi për çmontimin e sistemit stalinist, sistem ky që përfaqësohej nga e majta e strehuar ende te Partia e Punës, më pas te Partia Socialiste. Kodi i komunikimit për ta shprehur këtë qëllim, në mënyrë që të sigurohej sa më gjerësisht mbështetja e opinionit publik, siç edhe kërkon jeta në demokraci, do të mësohej e kthjellohej gjatë rrugës. Studimi i Alfred Lelës mbi ligjërimin politik të Sali Berishës në vitet 1990-1992 pasqyron pikërisht këtë rrugë në kompleksitetin e saj. Pavarësisht se pa asnjë përvojë politike drejtuese, pa dyshim që Sali Berisha nuk doli në krye të kësaj rruge rastësisht, dhe as i sponsorizuar nga jashtë radhëve të lëvizjes për liri e demokraci, siç përpiqen me cinizëm ta paraqesin kundërshtarët e tij sot. Sali Berisha e mori shumë shpejt drejtimin e lëvizjes së re, thjesht, sepse ishte dukshëm më i zoti ndër të gjithë ne dhe më i përshtatshmi për të udhëhequr në ato rrethana të jashtëzakonshme për vendin. Komunikimi publik ishte pjesë e rëndësishme e përparësisë që kishte ai mbi të tjerët. Alfred Lela në këtë punim i ka bërë një analizë të thelluar retorikës së Berishës, parë kjo në tekstin dhe në kontekstin e vet, dhe verifikuar në laboratorin e teorive bashkëkohore mbi diskursin, ndër të cilat autori ka përzgjedhur dy: teorinë e James Paul Gee, sipas së cilës me anë të gjuhëve ndërtojmë gjëra dhe atë të Norman Fairclough për gjuhën që interpreton.

Fondi retorik i Sali Berishës, siç del nga studimi, merr një vlerësim përgjithësisht të qëndrueshëm edhe me kriteret e këtyre teorive. Parë si histori, ky studim vetëm e përforcon bindjen se Berisha si kryetar i opozitës së parë dhe mandej si President i parë i Republikës, i zgjedhur demokratikisht, ishte në vendin, që i takonte. Qysh në fillim, Sali Berisha e ka përfshirë retorikën me arsenalin e mjeteve të veta për të arritur qëllimet politike. Kjo nxjerr në pah orientimin e tij të shpejtë e të drejtë në profesionin që sapo kishte filluar. Ai mishëronte në personalitetin e vet disa cilësi shumë të zhvilluara, të cilat, besoj unë, e ndihmuan për ta gjetur këtë orientim pa humbur kohë. Ndër këto cilësi, unë do të veçoja me këtë rast tri si përcaktueset për stilin e komunikimit të tij politik.

Së pari, kultura e tij e përgjithshme shumë e gjerë. Qysh në fundin e viteve ’70 të shekullit të kaluar, Sali Berisha, profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës, kardiolog me një nam të mirë në ngjitje, po shihej gjithnjë e më me respekt në rrethet intelektuale të Tiranës. Kjo në sajë një kulture humaniste të pasur, që i jepte atij më së paku një vend të barabartë në biseda edhe me ata që vinin nga fushat e shkencave shoqërore apo të artit. Nuk kam njohur asokohe njeri që të lexonte aq shumë sa Sali Berisha. I pasionuar veçanërisht pas historisë dhe artit, ai në të vërtetë linte përshtypjen se lexonte gjithçka. Jashtë mjediseve të spitalit apo të shtëpisë së vet, ai shihej shumë rrallë në shoqëri me mjekë. Dallohej që mjedisi profesional nuk i mjaftonte më. Kafja e tij rituale, zakonisht në barin e Hotel Tiranës, ishte me shkrimtarë (përfshi këtu dhe Ismail Kadarenë), me gazetarë, me kompozitorë, me diplomatë. Kultura e tij u zgjerua ndjeshëm pasi nisën udhëtimet jashtë. Fillimisht, një specializim njëvjeçar në Paris e më pas, kur u zgjodh anëtar i Këshillit Shkencor të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, udhëtimet e tij ishin më të shpeshta, kryesisht në Europë. Lexonte tashmë lirshëm dhe shprehej mjaftueshëm në katër gjuhë të huaja: rusisht, frëngjisht, anglisht dhe italisht. Së dyti, aftësia e tij e spikatur për ta përdorur gjuhën. Askush, besoj unë, nuk e mban mend Sali Berishën ndonjëherë të heshtur në një tavolinë. Pajtimin apo mospajtimin e vet lidhur me çfarë flitej, ai e ka shprehur gjithmonë, madje duke u shkuar me pasion dhe këmbëngulje argumenteve të tij deri në fund dhe sipas mënyrës së tij, domethënë imponuese. I ndihmuar edhe nga zëri bubullues, ai i detyronte miqtë e tij ta dëgjonin pa e ndërprerë. Studentët e tij, që më ka qëlluar të njoh, tregonin se “leksionet e Doktor Berishës ishin shumë të bukura”. Që unë e kuptoj se gjuha e tij ishte aq interpretuese, sa i bënte shumë tërheqëse edhe dijet mjekësore, të cilat presupozohet të jenë pa ndonjë poezi në përmbajtjen e tyre. Kjo lloj oratorie, e zhvilluar në mjedise të ngushta, informale, si edhe në mjedise universitare, siç ishin auditoret e Fakultetit të Mjekësisë, me sa duket, si ushtrim për t’i hequr atij ndrojtjen dhe ngurrimet e natyrshme të fillestarit kur të hidhej në skenën e madhe e të përndezur publike si protagonist politik. Së treti, energjia e tij. Unë nuk e kam parë Sali Berishën kurrë të mundur nga lodhja. Nuk e kam parë kurrë t’i shmanget një pune apo ta shtyjë për më vonë për shkak të zgjatjes së orarit apo të angazhimit të tepruar në një punë të mëparshme. Sali Berisha ka pasur gjithmonë dhe vazhdon të ketë një aftësi të pashoqe për rigjenerimin e energjisë fizike të trupit të vet. Pikërisht energjia i ka dhënë ligjërimit të tij një dinamikë të lartë, e ka bërë fjalën e tij më ndikuese. Kjo energji kishte një rëndësi të jashtëzakonshme, sidomos në periudhën 1990-1992, kur publikut nuk i mjaftonte vetëm semantika e ligjërimit për të besuar se frika po vritej e liria po lindte triumfalisht. Pasioni i deklamimit përcillte te dëgjuesi bindjen e vetë Sali Berishës se ai besonte thellësisht tek ato që thoshte. Nëpërmjet kësaj energjie të pashtershme, retorika e tij arrinte të bëhej ndërtuese. Siç edhe e paralajmërova lexuesin, përkitazi me lëndën e shqyrtuar në këtë punim, unë jam krejt e kundërta e Alfred Edi Rama gjatë një mitingu para stadiumit “Qemal Stafa” Lelës: nuk kam as rigorozitetin e tij shkencor, as metodologjinë e as neutralitetin në nxjerrjen e përfundimeve. Sado që komunikimi nuk është shkencë ekzakte, këto shënime nuk do të mund t’i shërbenin Alfred Lelës për studimin e tij doktoral. Rrjedhimisht, mua më lejohet të pohoj se pikërisht ky studim, duke qenë thellësisht doktoral, domethënë, analizë e ftohtë e neutrale, më nxiti për këto shënime, të cilat e kanë, me shpresë, një dobi. Për lexuesit si unë, që nuk jemi doktorë në asgjë, por që kemi nga pak kureshtje për shumë gjëra, këto shënime janë një ftesë entuziaste drejt këtij botimi. Do të ishte e padrejtë që kjo punë të mbetej midis profesionistëve të komunikimit.

(Kosova Sot)