Si dështoi Musolini në Luftën Italo-Greke, të vrarët në Shqipëri

  • 09 February 2018 - 12:17
Si dështoi Musolini në Luftën Italo-Greke, të vrarët në Shqipëri

 

INDRO MONTANELLI/ MARIO CERVI

BOMBAT PRANË MUSSOLINI-T NË FRONT

Sulmi i pranverës – në të vërtetë ai u zhvillua në gjysmën e dytë të marsit – pritej të ishte një nder, siç qe vendosur me praninë e Duces. Më 2 mars, Mussolini fluturon nga Bari për në Tiranë “duke pilotuar vetë avionin”, një tremotorësh S 79, i shoqëruar prej dy të tjerëve të këtij tipi, si dhe të dy hidrovolantëve Cant Z 50-6, por dhe nga dymbëdhjetë gjuajtës Maçhi 200. Përshëndetjet në mbërritje ishin të menjëhershme, por disi sipërfaqësore.

Mbasi korteu i makinave – natyrisht, së bashku me Mussolini-n në Shqipëri ishin edhe Ciano, Starace, Farinaçi dhe jerarkë të tjerë, të mërzitur ngaqë po iu përvetësohej prej të tjerëve, ora e lavdisë, nëse vërtet do të kishte një të tillë, si dhe ndonjë medalje – mbërrin kështu në Rehovë, ku ishte komanda e gjeneralit me aftësi modeste, Gastone Gambara, ndonëse ishte shquar në Spanjë dhe kishte drejtuar sulmin. I tregohet ndërkaq Duce-s plani i sulmit: një sulm i caktuar për deri në Valdesnicë, në frontin e XI-tës: ose drejt luginës që mbyllej në Këlcyrë.

Aksioni i Cavallero-s nuk kishte një mundësi zhvillimi pa rimarrjen e Këlcyrës, dhe nuk mund të lidhej me ndë- rhyrjen e afërme gjermane. Por Cavallero ishte i fiksuar – mbas përvojave pasuese të muajve të mëparshëm – prej shqetësimit të një kundërsulmi grek. Më shumë se për të fituar, ai mendonte për të mos humbur. Duke paraqitur propozimet e tij, Gambara kërkonte edhe ndonjë ditë më tepër për përgatitje, dhe Mussolini, nën kapotën grijeshil dhe me gradat e Mareshallit të parë të Perandorisë, qe drejtuar ndërkaq, në një si lloj shëtitjeje në prapavija, për të inspektuar batalionet, për të marrë pjesë në manovrat e qitjes, ku do të lidhej edhe me gjeneralët.

Kështu, më së fundi mbërrin agimi i 9 marsit, takimi me sulmin e pranverës. Duce ndodhet në postin vëzhgues në Komarit, në tetë- qind metra lartësi, ku sundonte një panoramë me plot të thepisura dhe male, të ngjashme pak a shumë me Carson tragjike. Pika e vëzhgimit përqendrohej në një lloj bunkeri në lartësi, nën praninë e gjithë atyre gjeneralëve. Kthjelltësia e pamjes mëngjesore ishte e shkëlqyeshme, nën një të ftohtë të një mjedisi krejt të tejdukshëm.

Zjarri i përgatitjes së artilerisë ishte i fortë: njëqindmijë goditje brenda disa orëve. Një kodër jo uniforme në duart e grekëve rivlonte prej shpërthimeve: në harta ishte treguar si një lokalitet i quajtur Monastir, për shkak të ndërtesave fetare, të shndërruara në gërmadha, që shfaqeshin të pleksura me të tjera shtëpiza kësisoj; dhe që përbënin njërin prej synimeve më të parë të sulmit. Gjithnjë e më i dërmuar, Mussolini është i pranishëm në një replikë të lodhshme “me ngritje supesh” të Cadorna-s, i cili më 11 mars do të përjetonte “qetësisht” një rutinë të përgjakshme.

Sulmi nuk ia arrin. Sidoqoftë, më 13 dhe 14 kjo kuotë e Monastirit qe fituar dhe dorëzuar, e ndërkaq, një mitralim i avionëve grekë bie mbi prapavijat italiane jo larg pikës vëzhguese të Komarit (Mussolini nga ana e tij nuk dha asnjë shéj frike), dhe më së fundi Cavallero detyrohet të pranojë se trupat italiane nuk i kishin “më aftësitë për të thyer frontin e armikut, i cili kishte ditur të shfrytëzonte kohën, teksa ne jemi zënë me formimin e frontit për të bërë të mundur një sistemim mbrojtës tejet efikas”. Humbjet ishin të idhta: pesëmijë njerëz jashtë luftimit në Korparmatën VIII, pesëmijë të tjerë në atë XXV, 1800 në atë V. Përfundimi zero. Mussolini i shfryn Pricolo-s” “Më vjen me vjellë prej këtij mjedisi. Nuk kemi bërë as edhe një hap përpara. Deri më sot më kanë rréjtë. I përçmoj të gjithë këta njerëz.”

PUSHTIMI GJERMAN I GREQISË

Ngjarjet do të shkonin për mirë megjithatë, por duke e hequr iniciativën – siç duhet pranuar – prej duarve Mussoloni-t, për ta kaluar krejtësisht në duart e Gjermanisë, e cila ishte e gatshme të vepronte në Ballkan: dhe me këtë synim kishte vënë në rrethim trupat e saj nga 1 marsi në Bullgari, me pëlqimin e plotë të Mbretit Boris dhe të qeverisë, që i kishin mbledhë ushtritë e tyre. Por Hitlerit i duhej t’i shpejtonte kohët dhe të ndryshonte planet e tij për të realizuar një përmbysje të plotë në Jugosllavi…

Në mëngjesin e 6 prillit, ditë e diel – po ditën e diel ushtritë e Hitlerit kishin pushtuar Poloninë, Norvegjinë, Francën – Greqia dhe Jugosllavia pushtohen prej gjermanëve. Nuk ka asnjë deklaratë të shpalljes së luftës për Jugosllavinë. Kryeministrit grek Korizis, princi gjerman Erbach, ministër gjerman në Athinë, i dorëzon një dokument të shkurtër, përmes së cilit akuzon qeverinë helene se ishte bërë shërbëtore e anglezëve, dhe se ishte e pazonja të qeverisej në mënyrë të pavarur.

Shpërbërja e forcave jugosllave, ndërkohë që trupat tankiste gjermane i thyejnë, ndërsa trupat italiane nën komandën e Ambrosio-s, afrohen në kufi, ishte vërtet e rrufeshme. Nga ana tjetër, kur më 7 prill, Ante Pavelic iu bën thirrje kroatëve për krijimin e Shtetit të pavarur, më 12 bie Beogradi, më 18 firmoset marrëveshja dhe dorëzimi i forcave të Aksit të 344.000 të burgosurve, ndërsa Petri II dhe qeveria e tij, për çastin strehohen në Greqi, prej ku mandej do të kalonin në Londër.

Edhe në Greqi penetrimi i gjermanëve ishte përmbysës. Më 9 prill ata hyjnë në Selanik, duke ndërmarrë një kthesë për në Follorinë, Kostur, Kalabaka, për t’i dalë kështu mbrapa krahëve ushtrive në Shqipëri. Në mëngjesin e 12 prillit, Papagos urdhëron divizionet greke të Epirit dhe të Maqedonisë perëndimore të kthehen, për t’i ikur morsës italo-gjermane. Ishte një urdhër i vonuar, por i domosdoshëm, që megjithatë shkaktoi zemërim dhe frikë midis komandave dhe trupave. Më 13 prill nis tërheqja dhe rreshtat italiane përparojnë, ndërsa ato greke zmbrapsen.

Më së fundi, disa gjeneralë grekë të gradave më të larta vendosin, duke e kapërcyer autoritetin e Mbretit dhe të Papagos-it, që t’u kërkojnë armëpushimin gjermanëve. Kërkesa e tyre u pranua më 20 prill prej komandantit SS të Adolf Hitlerit, gjeneralit Dietrich. Gjenerali Halden shënon në ditarin e tij: “Fuhreri ka urdhëruar që armëpushimi të mos pranohet pa pëlqimin e tij. E bën këtë për t’iu dhënë në kohë italianëve një rrugëdalje. Por kjo zgjidhje, në një farë mënyre, e përqesh marshallin komandant të armatës XII, ndonëse nga ana tjetër, kërkon të krijojë mitin se janë italianët ata që po i detyrojnë grekët të dorëzohen. Në thelb, çasti i armëpushimit nuk pati asnjë lidhje midis grekëve dhe italianëve.”

Epilogu tragjik: 13.755 të vrarë, 37.000 të humbur, 50.000 të plagosur! Ndërkaq, von Rintelen, atasheu ushtarak gjerman në Romë, përpiqet që të qetësojë Mussolini-n e tërbuar, që mëtonte një poshtërim të rëndë të grekëve, dhe që kurrsesi nuk dëshironte që ushtarët e shpërbërë të ktheheshin në shtëpitë e tyre, dhe që oficerët t’i linin pistoletat e tyre. Në njëmbëdhjetë të mbrëmjes së 23 prillit, nga gjenerali Ferrero në praninë e Cavallero-s (për gjermanët ishte Jodl, për grekët gjenerali Tsolakoglu) u firmos armëpushimi përfundimtar.

Image

 

Vetë Tsolakoglu formoi mandej një qeveri kolaboracioniste në Athinë dhe mbas mbarimit të luftës, do të vdesë në burg ku qe mbyllur për tradhti. Fushata e Greqisë përfundoi kështu, në atë mënyrë poshtëruese, siç dhe kishte filluar. Buletini italian i luftës, me numër 323 i 24 prillit, shënon megjithatë me kënaqësi se “deri më 18 të ditës së djeshme, orë në të cilët kanë pushuar aksionet e luftës, përparimi në territorin grek ka vazhduar pa ndalesë. Në luftimet e ditëve të fundit kemi pasur rreth gjashtëmijë ushtarë jashtë luftimit, ndërmjet të cilëve të vdekur dhe të plagosur, rreth 400 oficerë.

Ushtritë italiane nga Shqipëria përmbanin në çastin “e ndalimit të zjarrit”, 31.000 oficerë, gjysmë milioni nënoficerë dhe ushtarë, 63 mijë kuaj, 13 mijë automjete. Lufta e panevojshme kishte kushtuar 13.755 të vdekur, 50.000 të plagosur, 12.000 të ngrirë, 25.000 të humbur, të konsideruar në pjesën më të madhe të rënë në betejë. 13.000 grekë të vrarë, 42.000 të plagosur. Humbjet gjermane, për sulmin në vijën Metaxâs, ishin modeste: 263 oficerë të vrarë ose të plagosur, 1160 nënoficerë dhe ushtarë të vrarë.

Përzgjedhur për botim dhe përkthyer nga BESNIK DIZDARI 

Ditari i Giuseppe Bottai-t/ “Shërbimi në Tiranë dhe takimet me Koliqin”

6 DHJETOR 1940. Mëngjes i së mërkurës. Ndërsa po udhëtoj drejt Firences, Regjimi po bën provat e përgjithshme të një krize dramatike. Më jep arsye Galeazzo. Ende jetohet në besueshmërinë e lajmeve më të mira, që i mbërrijnë nga Shqipëria. Bie telefoni drejtpërdrejt nga Duce. Edhe ai ka marrë një telegram dhe e thërret të vijë urgjentisht në Palazzo Venezzia, ku e gjen tejet të shqetësuar.

Një atmosfere e ngjashme me atë që ka përshkruar Malmaisoni, kur abdikonte Napoleoni. Guzzoni i drejtohet Galeazzo-s: “Ushtarakët nuk mund të bëjnë më asgjë. Vetëm politika mund të bëjë atë që duhet.” Ndërkaq, Duce, në dhomën e tij, është në kurthin e tërbimit dhe të çoroditjes. “Duhet t’i telefonojmë Hitlerit ose Ribentropit. Duhet të kërkojmë ndërhyrjen e tyre te qeveria greke, për një ndërprerje të këtyre veprimeve ushtarake.” Galeazzo është kundër. Mbi të gjitha thotë se duhet vazhduar deri në fund, më mirë humbja, që i lë llogaritë e hapura, se sa një tërheqje, që grekët do ta dëshironin, natyrisht, e garantuar nga Gjermania. Kërkohet në telefon Jacomoni.

Ai e injoron telegramin e ardhur nga Soddu, që thotë se situata po rrëshqet. Situata mbetet e tillë. Fjala shkon për te Pogradeci, si një pozicion vendimtar në rrugën drejt Elbasanit. Po tashmâ, thuhet se ka rënë në duart e grekëve. Elbasani është në rrezik. Në Gjirokastër rezistohet… Cavallero merr funksionet e tij të reja dhe menjëherë turret për në Shqipëri. Një letër e Hitlerit jep një vlerë të re për një ndryshim shqiptar, duke krijuar parashikime befasuese, për t’i dhënë tonalitet dhe fuqi Mussolini-t.

Borgjezia është shêji i tij. “Nëse tridhjetë vjet më parë do ta kisha njohur borgjezinë italiane, siç e njoha në këto vite, do të kisha bërë një revolucion, përballë të cilit ajo e shokut Lenin do të ishte dukur një shaka.” Ndërkaq, edhe Ciano përfshihet në kundërborgjezizmin dhe ma pohon këtë në mirëbesim.

7 DHJETOR 1940.

Mussolini në Palazzo Venezzia, me fytyrën e mplakur dhe të konsumuar, me mjekrën e parruar dhe veshjen e pakujdesshme. Harta të mëdha të Shqipërisë të të gjitha llojeve. Asnjë fjalë për situatën. Por unë, duke i folur për gjendjen shpirtërore të të rinjve të klasave të mesme, për studentët, gjej mënyrën për t’i thënë se edhe ata janë “refleks i një situate, të cilën është domosdoshëm ta shohim në thellësi.”

12 DHJETOR 1940.

Në Quirinale, për një firmë. Mbreti do të dëshironte të ishte disi rastësor. Por dhe gjuha e tij shkon aty ku dhemb dhëmbi. Jam vetëm me te. Buzëqesh, përmes një rrezeje optimizmi. “Gjatë ditëve të Caporetto-s, më kujton, – pata kaluar kah Praglia. Nuk e kisha parë kurrë abacinë. Hyra në të. Dhe menjëherë vështrimi më shkon në sallën e korit. Aty lart ishte shkruar “Meliora sequentur” (“Ndiqni më të mirën”). Dhe të gjithë rreth meje uronin kështu.” Mandej hesht. Dhe përsëri buzëqesh duke thënë: “Siç thuhet mirë në latinisht, kështu duhet: “Ndiqni më të mirën!”.

13 DHJETOR 1940.

Cavallero telefonon nga Tirana. Konfirmon besim. Çka u jep një përshpejtim punëve të Galeazzo-s: Do të shkojë në Shqipëri për t’u hakmarrë për Libinë. Ai nuk di të sprapset për shkaqe personale. Mbas pak telefonon nga Berlini, Alfiero. Galeazzo më thotë se është fjala për Fyhrerin; dhe më konfirmon bisedën me Hitlerin, Alfieri me iniciativën e tij u ka kërkuar ndihmë gjermanëve. Ndërkaq, për asosacion, mua më vjen në mend një frazë e Fyhrerit, e treguar pardje nga Grandi: “Midis nesh, Itali dhe Gjermani, duhet të sundojnë sinqeriteti dhe miqësia absolute”. Aludohet për ndë- rhyrjen tonë Shqiptare, bërë pa konsultim paraprak me ta.

16 DHJETOR 1940.

Te Galeazzo. E gjej të turbulluar për shkak “të zërave” aktuale në lidhje me të: sidomos për atë që thotë se është dashnori i gruas së Jacomoni-t.

4 JANAR 1941.

Nga situata në Shqipëri asgjë të re. Soddu është thirrur për shkak të pazotësisë së tij për t’i kuptuar gjërat në kompleksitetin e tyre, shto këtu dhe ndryshimet e përditshme nga optimizmi në pesimizëm. Cavallero ka tani një forcë prej rreth njëzet divizionesh. Gjermanët, me rreth dhjetëmijë njerëz përgatiten në Bullgarinë jugore duke hapur rrugë dhe ngritur kampe furnizimi, ndërkohë që dy ura janë gati të vendosen mbi Danub. Ushtria greke do të goditet nga mbrapa. Më mirë se sa më pare, trysnia jonë do të ketë mundësi të shpërthejë nga ana e Shqipërisë. Ndonëse aludohet, për një sabotazh tjetër nga ana shqiptare në mbrapavijat tona.

9 JANAR 1941.

Thuhet se Ciano, Riçi, Cianetti, po nisen për në Shqipëri. Në mbrëmje kjo konfirmohet nga Palazzo Venezzia, prej Galeazzo-s, i cili më thotë se Duce ka vendosur që të nisem edhe unë. E dëgjoj me indiferencë, duke pritur që të marr konfirmimin e drejtpërdrejtë. 17 JANAR 1941. Jam në zyrën time. Në orën 8 e 5 minuta më thërret në telefon Duce. Një zë metalik, i papërcaktuar. “Kur duhet të nisesh për në Gjermani?

“Të hënën”, i përgjigjem. “Mund t’i telefonosh kolegut tënd, se udhëtimi yt është shtyrë për mbas luftës”. “Në rregull, Duce”. “Do të veprosh ashtu si dhe Riçi” .”Në rregull, Duce”. Ai ul receptorin mekanikisht. Ndërsa mua, Lufta ime e katërt më mbërrin kështu, aspak njerëzore prej Udhëheqësit tim. Një vetmi e frikshme. Ajo që prej më se njëzet vjetësh më rrah në zemër, më pushon menjëherë; një dashuri, një besnikëri, një përkushtim. Tani jam vetëm, pa Udhëheqësin tim.

18 JANAR 1941.

Përsëri Duce, në telefon. Më thotë: “Çka është ky udhëtimi tjetër për në Hungari?” I referohet një lajmi në gazeta, të cilin unë nuk e kam lexuar. I përgjigjem se i kam thenë Homan-it se nuk do të shkoj; dhe se më 25 do të nisem për në Shqipëri, i caktuar në Regjimentin 9 të Alpinëve. Dëgjoj zërin e tij, disi më të ngrohtë: “Shumë mirë”.

21 JANAR 1941.

Mendimi më shkon disi larg. Dhe u kthehemi fakteve. Të mira për trajtimin e sjellshëm të miqve, të takimit të Mussolini-t me Hitlerin në Berchtesgaden. Nga mesi i marsit, jo më parë, gjermanët do të marshojnë për në Selanik, dhe siç premtojnë, nderin për pushtimin e Greqisë, do të na e lejnë ne.

27 JANAR 1941.

Tiranë. Jemi nisur nga Foggia në orën 10. Eshtë një fluturim i ultë, qetë-qetë, mbi një det të shqetësuar, midis një rrotullimi të paqartë, imagjinar. Në 11 e 30 kemi zbritur. Më kanë pritur Jacomoni, Parini, presidenti Vërlaci, kolegu im Koliqi, Morandi dhe dashamiri Agostino (Nani) … Menjëherë përjetohet një atmosferë e kthjelltë dhe fort miqësore. Aksioni i Këlcyrës shkon mirë.

30 JANAR 1941.

Në Tiranë, ora 7. (Ditarin ia drejton gruas së vet). Qysh nesër në mëngjes do të largohem prej këtu dhe shumë gjëra më presin. Divizioni im është përqendruar në luginën e Shushicës, në lokalitetin Mavrovë. Vendi është shumë i bukur. Nesër në orën 9 me Riçi-n dhe Cianetti-n nisemi për në Fier, ku është vendqëndrimi i Korparmatës sonë.

5 SHKURT 1941.

Ora 10. Fronti grek. Puna ime lehtësohet mjaft, falë shpirtit shumë të lartë dhe traditat e mëdha të Batalionit ku militojnë Cesare Battisti e Fabio Filzi, të medaljeve të arta.

7 SHKURT 1941.

Mavrovë. Alpinët janë të lumtur që më kanë mes tyre. Nuk gabohen. Unë jam thjesht një kolonel.

12 SHKURT 1941.

Tiranë. E dashur Ninetta, kam mbërritur këtu para një ore, me një koleg tjetër të regjimentit tim, të dërguar këtu për disa furnizime, sigurimi i të cilëve mund të lehtësohet prej pranisë sime.

20 SHKURT 1941.

Mavrovë. Lëvizja jonë u bë pak më përpara parashikimit dhe ka ndryshuar krejtësisht pamjen në vijën tonë. Midis Këlcyrës dhe Tepelenës, armiku ka formuar një rreth të madh, çka për ne ishte një befasi, që na detyroi të bëjmë ndryshime. Dje, në vendqëndrimin tonë taktik, n.22 të Komandës eprore, në Llakatund, pashë përveç Cavallero-s dhe Jacomonin-n (ky i fundit shumë i dashur dhe i përkujdesshëm ndaj meje), Farinaçi-n e Starace-n. Ciano nuk mundi të vinte për shkak të kohës së keqe.

10 MARS 1941.

Ora 18., Zona e operacioneve. Kemi luftuar ashpërsisht nga ora 12 deri në 17. Në mes të dëborës dhe zjarrit. Ata nuk kanë arritur të kalojnë. Dhe nuk do të kalojnë. Gjakftohtë- sia, krenaria, besimi i pastër i alpinëve të mi, ishin për mua një spektakël marramendës…

11 MARS 1941.

Dje një radio angleze ose greke, nuk e di mirë, ka dhënë lajmin (fals) për rënien time në fushën e betejës. Komandat kanë shpejtuat për ta siguruar Romën. Dje ishte një ditë e bukur lufte. Mjerisht radhët tona janë rralluar. Nder shokëve tonë të rënë!

11 MARS 1941.

Ora 9. Tiranë. Pak ditë më parë jam ftuar nga Gjenerali i Divizionit për t’i paraqitur në mënyrë konfidenciale situatën e repartit tonë, të rreshtuar në Golik dhe Shendeli. Në dyzet ditë që ishte në vijën e frontit, Divizioni ka humbur: 181 oficerë dhe 6327 ushtarë të vrarë, të plagosur dhe disa të zhdukur.

7 PRILL 1941.

Kjo që po më ndodh është paradoksalisht dëfryese. Po bëhem shef në Tiranë, ku po më përgatisin një apartament në një vilë të vogël. Qysh nesër do të bëj takime në këtë apo atë rajon për të marrë kontakte dhe për të dhënë direktiva. Gjithnjë kam pranë ndihmësin tim të drejtpërdrejtë. Eshtë Koliqi, kolegu im. Në mëngjes jam i ftuar në Luogotenencë me Galeazzo Ciano-n, Dino Grandi-n, Roberto Farinaçin, Renato Riçi-n, Achile Starace-n. Detyra ime e re vazhdon me ritëm të shpejtë. Edhe sot mbledhje me krerët. Komanda ime përqendrohet në Krujë…

9 PRILL 1941.

Dje, vonë në mbrëmje, kanë ardhur edhe Galeazzo Ciano e Sandro Pavolini, Renato Riçi është nisur për t’u bashkuar me regjimentin e tij dhe do të jetë këtu mbas disa ditëve. Dino Grandi është në pritje për të zotëruar territore për të qeverisur. Sot do të shkoj në Shkodër. Do të kaloj nga Kruja, vendi i Skënderbeut, pra, Meka shqiptare…

16 PRILL 1941.

Ora 8. Tiranë. Pardje më duhej të ndodhesha në Shkodër… Skena që s’mund t’i marrësh me mend, piktoreske dhe mallëngjyese. Luftëtarë të vjetër që puthin armët, që më përqafojnë; diç- ka primitive dhe e egër, por e veshur me një shije të romantizmit rilindës..

14 MAJ 1941.

Mussolini-n e kam takuar më pesë maj. E ndjej hidhërimin e këtyre takimeve të mbasluftës dhe shkova i përgatitur. Në të vërtetë, një vizitë banale, e radhës. Nuk dukej se lufta kishte hyrë midis nesh dhe aspak vdekja. Pak shêja rreth ngjarjeve të maji në Shqipëri, që atij i japin shkak për të manifestuar përvojën e tij ushtarake. “Kam dalë me një përfundim, – më thotë – ushtarakëve iu mungon fantazia, imagjinata. Ende nuk e kanë kuptuar se lufta bëhet me topat. Duhen Divizionet e artilerisë dhe jo këmbësoria. Duhen përmbysur termat e këtij problemi.

Dy, tre batalione këmbësorie mjaftojnë për çdo divizion artilerie”. Ai flet për ngjarjet shqiptare si për fakte personale, pa asnjë sforco objektiviteti. Merret me demonstrimin dhe mbrojtjen e tezave të tij, jo me paraqitjen e fakteve. Kur dëshiron të flasë për opinionet e tij kundërshtuese në punët ushtarake, fryn gjoksin, rrotullon sytë, lëkundet majtas e djathtas në kolltuk. Dhe thotë: “Gjeneralët e mi”!… Duke u përshkuar kështu prej përuljes ndaj thënies napoleniane…

(Kosova Sot)