Përplasjet mes Titos dhe Stalinit përçanë Partinë Komuniste në Shqipëri Koçi Xoxe kishte më shumë influencë se Enver Hoxha

  • 20 November 2018 - 13:39
Përplasjet mes Titos dhe Stalinit përçanë Partinë Komuniste në Shqipëri Koçi Xoxe kishte më shumë influencë se Enver Hoxha

A merikanët kanë nxjerrë në dritë detaje se si ndikoi në Shqipëri përplasja mes Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë. Në një dokument të deklasifikuar tregohet se më pas nisën përçarjet dhe në vendin tonë. Për amerikanët Nako Spiru ishte shumë herë më diktator se Enver Hoxha dhe eliminimi i tij erdhi për shkak të prishjes së marrëdhënieve mes Titos dhe Stalinit. Po ashtu jepen detaje se si më pas nisën spastrimet në parti ku e pësuan shumë persona. Situata e brendshme në Shqipëri Sapo erdhën në fuqi, komunistët ndoqën recetën e Moskës duke aplikuar terrorin. Kjo metodë dha rezultate në të gjitha vendet sllave përveç Polonisë katolike. Ndërsa në Shqipëri ndodhi e kundërta. Që në fillim të vitit 1946 një opozitë kundra terrorit dhe metodave të Moskës nisi të marrë formë brenda Partisë Komuniste. Kjo ishte arsyeja për arrestimet dhe dënimin e ministrit të Instruktimit Publik Gjergj Kokoshi, avokatin Suad Asllani dhe shumë të tjerë. Më vonë u zhvillua një gjyq ku u dënuan me vdekje 10 komunistë të tjerë. Një tjetër gjyq u hap për oficerët e lartë dhe një tjetër për inxhinierët e lartë të akuzuar për kabotazh dhe shërbim ndaj imperialistëve anglo-saksonë. Në një takim të ministrave në Tiranë, një prej ministrave vrau ministrin e ekonomisë Nako Spiru. Marrëdhëniet me Titon dhe eliminimet Situata e komunistëve të Shqipërisë u përkeqësua pas konfliktit mes Titos e Moskës. Fakti është se Shqipëria nuk është një satelit i Moskës por një nënsatelit. Shqipëria nuk qeverisej nga Stalini por nga Tito. Drejtimi politik, ushtarak e ekonomik ishte në duart e Titos. Instruktorët e ushtrisë dhe specialistët dërgoheshin nga Jugosllavia dhe portreti i Titos dhe Stalinit ishin të detyrueshëm në çdo zyrë, dhe debati mes Stalinit dhe Titos u ndje shumë në Partinë Komuniste Shqiptare. Partia u nda në dy grupime të kundërta. Prova më e mirë për këtë ishte gjyqi i Koçi Xoxes dhe i shokëve të tij. Ne e dinim se përpara prishjes me Titon, Koçi Xoxe ishte diktatori i vendit dhe influenca e tij shkonte më tej se ajo e Enver Hoxhës. Xoxe ishte një njeri i përgjakshëm që ka pasur funksionet më të larta si ministër i Brendshëm, president i këshillit të ministrave, president i gjykatës së popullit. Ai u dënua me vdekje më 12 të këtij muaji, i akuzuar si agjent i Titos. Pas gjyqit të tij pati një valë arrestimesh dhe arratisje drejt Jugosllavisë. Në Jugosllavi ka tani rreth 2000 emigrantë nga Shqipëria, të cilët u pritën shumë mirë nga Tito. Grupe të tjerë që nuk guxuan të shkonin në Jugosllavi u larguan në zona malore. Përçarjet mes komunistëve Partia Komuniste shqiptare si rezultat i debateve është e përçarë. Grupe të vogla partizanësh prej 15-20 vjetësh janë vendosur në male. Ka terror dhe uri, asnjë nuk është i sigurt për jetën e tij Ushtria e vendit përbëhet nga 25 mijë njerëz por qeveria nuk ka shumë besim te trupat e saj prandaj gjatë zhvendosjeve nga një vendndodhje në tjetrën ushtarët nuk i kanë armët e mbushura. Numri i specialistëve rusë në vend ka arritur në 1000. Siç shihet nga më sipër, Shqipëria drejtohet nga një klikë e vogël komunistësh që nuk ka lidhje me popullin e saj. Ky grup ka gjithashtu debate mes vetes. Pakënaqësia e popullit rritet ditaditës. Sapo sinjali i revoles të jepet, populli shqiptar do t'i japë fund komunistëve brenda disa ditëve. Tito nuk do të lëvizë sepse Shqipëria e Enver Hoxhës përfaqëson për të armikun kryesor. Duhet të supozojmë që Tito do të ndihmojë fshehtësisht largimin e regjimit të Hoxhës dhe kompanisë së tij. Por kushtet e mëposhtme janë absolutisht të nevojshme: Greqia, nëse është e mundur, duhet të deklarojë solemnisht që njeh kufijtë e Shqipërisë të vitit 1913, domethënë ato përpara pushtimit italian të vitit 1939, duke hequr dorë nga pretendimet e saj për Epirin e Veriut (provincat pjellore të Korçës e Gjirokastrës, dhe të nisë një politikë të re miqësie me Shqipërinë e re demokratike. Një deklaratë e tillë ka shumë rëndësi pasi populli shqiptar preferon më mirë të vuajë nën thundrën komuniste nga frika e pushtimit grek të jugut të vendit. Deklarata të njoftohet me radio dhe nga shtypi, duke inkurajuar popullin shqiptar të krijojë kushtet e nevojshme për revolucionin. Kjo iniciativë duhet të kryhet nga forcat shqiptare jashtë vendit (në Itali, Greqi, Turqi, Egjipt e Siri) numri i të cilave të jetë 1500 deri në 2000 njerëz. Kontakti direkt duhet të vendoset me liderët e kualifikuar të rezistencës, brenda dhe jashtë vendit. Në çdo rajon të Shqipërisë ka njerëz që zotërojnë autoritetet absolut mbi provincat e tyre. Armatimet dhe municionet dhe furnizimet e tjera do të sigurohen nga Aleatët Pasojat e një grushti shteti të suksesshëm: Goditje e rëndë ndaj imperializmit rus dhe një shembull; i shkëlqyer për vende të tjera që vuajnë nën thundrën sovjetike; Fundi i luftës civile në Greqi; Kapja e bazës së rëndësishme në ishullin e Sazanit. Situata politike në Shqipëri (1952) Duke gjykuar nga raportet e ardhura deri tani, situata politike në Shqipëri mbetet e pandryshuar. Armiqësia mes Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës është aty por nuk ka tregues se mund të ketë një përplasje më të madhe së afërmi. Kongresi i dytë i partisë, i mbajtur në mars 1952, zbuloi dështimet e regjimit komunist. Dy ministra u spastruan për inkompetencë dhe tre të tjerë u transferuan për t'i kushtuar më shumë kohë aktiviteteve të partisë, çka do të thotë një rritje e disiplinës partiake. Kongresi u ndoq më pas nga një spastrim i gjerë i anëtarëve të partisë si rezultat i disiplinës së butë, përvetësimit të fondeve dhe provave të korrupsionit. Kushtet ekonomike. Situata ekonomike ka qenë e dëshpëruar prej muajsh dhe nuk është përmirësuar. Kostot e ushqimeve nuk përballohen nga punonjësit e zakonshëm dhe shumë produkte janë të paarritshme. Në fund të dimrit BRSS u detyrua të ndihmonte me grurë për popullatën. Ata kanë ndihmuar gjithashtu me materiale dhe makineri për ndërtimin e kapaciteteve industriale, por zhvillimet kanë qenë të ngadalta. Por hidrocentrali Lenin dhe radiostacioni Tirana u kompletuan, bashkë me disa linja hekurudhore dhe zhvillime rrugore. Puna vazhdon për tharjen e liqenit të Maliqit. Ka nisur ndërtimi i një hidrocentrali të madh mbi lumin Mat. Synimet e Jugosllavëve Raportet e fundit tregojnë se ka një ndryshim në opinionin e Jugosllavisë për Shqipërinë, edhe pse ka ndryshime në qëndrimet e ndryshme të zëdhënësve jugosllavë. Një vit më parë Tito kundërshtoi veprimin ndaj Shqipërisë nga frika e hakmarrjes prej BRSS, që do të akuzonte vendin e tij për konspiracion kundër Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, jugosllavët kanë kryer disa operacione agjenture në Shqipëri dhe Tito i është përgjigjur interesimit të ish-mbretit Zog duke thënë nuk ishte i interesuar të bashkëpunojë për përmbysjen e regjimit të Hoxhës "për momentin" dhe nëse përmbysja ndodhte, ai dëshironte të shihte në Shqipëri një sistem të ngjashëm me atë të Jugosllavisë. Megjithëse raportimet e ndryshme ndryshojnë mes tyre, duket se jugosllavët po përshkallëzojnë politikën e tyre agresive ndaj Shqipërisë. Në maj 1952 Tito i tha emisarit të mbretit Zog se Jugosllavia nuk e vriste mendjen nëse Shqipëria bëhej republikë apo monarki, për sa kohë ishte miqësore ndaj Jugosllavisë dhe nga Jugosllavia nuk do të lejohej asnjë agresion mbi Shqipërinë prej frikës së një kundërpërgjigjeje të BRSS. Por Tito tregoi për gatishmëri për diskutimin e planeve të përmbysjes së regjimit të Hoxhës, duke programuar bisedime në Turqi mes përfaqësuesve të Zogut e Titos. Jugosllavia donte një Shqipëri të pavarur Më 26 maj, gjatë një bisede me amerikanët, Xhilas deklaroi se Jugosllavia dëshironte një Shqipëri të pavarur dhe jo të ndarë mes Italisë e Greqisë; ata nuk do të kundërshtonin nëse qeveria e kontrolluar nga Cominform përmbysej dhe se grupe demokratike ekzistonin ën Shqipëri si një alternativë ndaj qeverisë së Hoxhës. Ai tha gjithashtu se nuk ishin të frikësuar nëse një ndryshim në Shqipëri do të provokonte Rusinë. Në një bisedë me të njëjtin burim, Leo Mates, asistent-ministër i punëve të jashtme, deklaroi se Shqipëria nuk ia vlen për një luftë botërore, pasi Rusia mund të veprojë nëse i kërcënohet prestigji. Ndërsa ministri jugosllav në Romë, tha më 28 maj se nuk besonte se rusët do të vepronin nëse kërcënohej Shqipëria, duke cituar si arsye mungesën e marrëveshjeve për të tilla situata mbrojtjeje. Në qershor një emisar jugosllav u takua në Romë me anëtarë të BKI dhe deklaroi se Tito do të përdorë forcën, nëse është e nevojshme për të mbrojtur integritetin e Shqipërisë Komunizmi, edhe pse i nevojshëm për jugosllavët, mund të jetë i dëmshëm për Shqipërinë Çlirimi i Shqipërisë mund të vijë vetëm nga Prizreni, tentativat nga seli të tjera do të sjellin vetëm sakrifica të pavlera Shqiptarët e Jugosllavisë po përgatiten të përmbysin regjimin aktual në momentin më të mirë. Jugosllavia nuk beson se BRSS do të hyjë në luftë për Shqipërinë. Operacionet jugosllave të agjenturës në Shqipëri janë rritur muajt e fundit dhe shqiptarët në Jugosllavi po trajnohen më mirë. Përmendja e një kabllogrami shtetëror ku raportohet se grekët janë të alarmuar për qëllimet jugosllave në Shqipëri, dhe se më mirë pranonin ndarjen e saj sesa të aneksohej nga Jugosllavia, ishte për të ilustruar qëllimet aktuale greke. Operacionet nga Italia e Greqia Aktualisht dega e jashtme është e angazhuar në dy operacione inteligjence kundër Shqipërisë dhe do të nisin një të tretë gjatë muajit qershor. Detajet e tyre listohen më poshtë: Plani I, operacione të përbashkëta me inteligjencën detare italiane për infiltrim të grupeve të inteligjencës në Shqipëri në rrugë ajrore. Organizata u kontaktua nga inteligjenca detare italiane në pranverën e vitit 1948 me propozimin për operacione të përbashkëta inteligjence në Shqipëri. Në korrik 1948, u dha aprovimi final për përkushtimin tonë në operacion, ku përfshihet edhe dhënia e një avioni C-47 për lëshimin e personelit dhe furnizimeve. Një oficer i shërbimeve italiane të inteligjencës ka punuar bashkë me grupin për zhvillimin e operacionit. Avioni C-47 erdhi në tetor 1948 dhe furnizimet e tjera u siguruan nga Gjermania e Zvicra. Anëtarët e grupit u rekrutuan nga kampe refugjatësh në Itali dhe në Greqi dhe transporti u sigurua nga CIA. Agjentët e dërguar në Shqipëri do të kontaktojnë me lëvizjet lokale të rezistencës me anë të liderëve të tyre, të identifikuar në memorandumet të datës 18 janar. Të gjithë individët janë kontrolluar në skedarët e CIA për informacione denigruese. Shqiptarët janë zgjedhur për arsye të lidhjeve të tyre familjare në rajonet qendrore të Elbasanit e Mirditës, ku është raportuar më parë për ekzistencën e grupeve të rezistencës. Në grupe përfshihen agjentë të besimeve myslimane dhe katolike. Lideri shqiptar në Itali i cili ka punuar në matinën italiane dhe CIA, është Ismail Verlaci. Objektivi i parë i planit është infiltrimi i agjentëve nga ajri, të cilët të pajisur mjete transmetimi radio do të vendosin kontakte me grupet vendase të rezistencës, për të mbledhur informacione. Fillimisht ata do të vëzhgojnë situatën lokale dhe do të vendosin një bazë komunikimesh dhe marrjes së furnizimeve të lëshuara nga ajri. Agjentët e rekrutuar Objektivat e inteligjencës janë caktuar nga Uashingtoni, duke përfshirë dhe informacionin e dëshiruar mbi grupet e rezistencës, kushtet e brendshme politike dhe instilacionet ushtarake të mbrojtjes. Plani ka hyrë në fazën operacionale në shkurt 1949, kur katër agjentë në dy grupe me mjete të veçanta radio, u lëshuan në kushte perfekte të motit në pikën e dëshiruar të Serrisht, në Mirditë. Agjentët ishin Alush Lleshakanu e Xhevdet Bloshmi të grupit të parë, dhe Ndue Gjonmarkaj e Ndue Mlyshi në grupin e dytë. Shyqyri Biçaku dhe Kolë Çuni ishin pjesë e grupit të dytë mbështetës, por po mbahen në rezervë për arsye shëndeti të keq. Ende nuk është vendosur kontakt radio me dy grupet e para. Një fluturim në kushte të mira moti u krye mbi Shqipëri natën e 12 prillit por nuk u vërejt asnjë sinjal në zonën e caktuar, sipas planit paraprak. Më 24 prill Ismail Verlaci mori një kabllogram komercial nga Kastoria në Greqi, të nënshkruar nga Lleshanaku, ku thuhej se ai dhe Blloshmi kishin arritur mirë në Kastoria. Më 28 prill ai mori telegramin se dy agjentët kishin arritur në Athinë, ku menjëherë u vunë në kontakt me qendrën tonë atje për dhënie të informacioneve. Plani II Një tjetër plan po përgatitet aktualisht në Itali dhe pritet të hyjë në fazën operacionale në qershor. Aktualisht agjentët, që me shumë gjasa do të lëshohen nga ajri, duket se nuk kanë shumë mundësi për propagandë apo krijim rezistence. Nëse në të ardhmen potenciali i tyre rritet, dega e OPC do të informohet. Plani III Ky plan është aprovuar më 1 mars 1949 dhe ka të bëjë me përdorimin e personelit nga organizata Keva, më e madhja e refugjatëve grekë nga Shqipëria e jugut (e njohur ndryshe si Epiri i Veriut) për mbledhjen e inteligjencës. Agjentët e këtij operacioni janë Stefanos Venakides, sekret i Keva, dhe një punonjës i bankës kombëtare të Greqisë, Nikolaos Pangos, zëvendës-president i Keva. Këta dy individë kanë punuar prej kohësh në infiltrimin e agjentëve në Shqipërinë jugore, dhe raportojnë për një total prej tetëmbëdhjetë agjentë në qytetet shqiptare të Gjirokastrës, Leskovikut, Përmetit, Vlorës, Koriza dhe Himarës. Aktualisht pesëmbëdhjetë korrierë janë të gatshëm për kalimet kufitare. Një listë prej njëzeteshtatë agjentësh të njohur dhe korrierë nga organizata Keva, bashkë me vendndodhjet dhe punësimet e tyre, i është bashkangjitur dokumentit. Organizata Keva ka një rang të gjerë funksionesh, duke përfshirë aktivitete ndihmëse në Greqi dhe grupe rezistencë në Shqipëri, me një anëtarësi prej rreth 5000 njerëzish në Greqi dhe rreth 2300 në Shqipëri, sipas raportimeve.

(Kosova Sot)