Rrëfimi i ish-ambasadorit: Si tentoi Nano të shkarkonte me telefon nga Athina ministrin

  • 07 December 2018 - 09:14
Rrëfimi i ish-ambasadorit: Si tentoi Nano të shkarkonte me telefon nga Athina ministrin

Ambasador Bashkim Zeneli, në vijim të rrëfimit të tij në librin e fundit “Miqësi e trazuar, Greqia në kujtimet e ambasadorit”, tregon një episod gjatë vizitës së Kryeministrit Nano në Athinë. Sipas tij, duke pritur të hynin në një takim me zyrtarët grekë, Fatos Nano merr një telefonatë nga Tiranë, nga e cila ai është inatosur dhe ka kërkuar shkarkimin e një prej ministrave të tij në 2005, për shkak se ai ishte parë në një restorant në Tiranë duke drekuar me një nga kundërshtarët e fortë të Nanos në atë kohë, drejtues gazete, tashmë deputet.

Bashkim Zeneli tregon ndërhyrjen e tij për të mos marrë asnjë veprim, sepse shkarkimi i ministrit gjatë vizitës së tij zyrtare në Athinë do të interpretohej si ndikim i politikës greke. Ky sugjerim i ambasadorit Zeneli është pranuar nga Kryeministri Nano për ta shkarkuar ministrin kur ai të kthehej nga Athina. Sipas ambasadorit, ministri që do shkarkohej nga Athina për shkak të një telefonate, “mbeti ministër deri në zgjedhjet e qershorit 2005, kur PS humbi betejën elektorale. E do të zgjidhej përsëri deputet i saj”. Ambasador Zeneli shkruan në librin e tij se përtej shumë cilësive pozitive që kishte Kryeministri Nano, atë e rrethonin edhe intrigantë, shpifës, puthadorë, lajkatarë..duke vënë pikëpyetjen nëse Nano i kuptonte apo i njihte ata.

Vijon nga numri i kaluar…

Shumë miqësor dhe i hapur do të ishte edhe takimi me Presidentin e Republikës, z. Stefanopolous. Ai do të vlerësonte marrëdhëniet midis të dyja vendeve si “…më të mirat që kemi pasur ndonjëherë dhe shprehu besimin se ato do të ishin shembull edhe për të tjerët”.

“Greqia,-do të shprehej presidenti Stefanopolous,-do të vazhdojë të jetë përherë pranë jush në rrugën e integrimit euroatlantik… Integrimi i Shqipërisë në strukturat euroatlantike pa dyshim që i shërben gjithashtu stabilitetit dhe prosperitetit në rajon”.

Edhe Kryeministri Nano do të theksonte se “ne i shohim marrëdhëniet me Greqinë si të një rëndësie strategjike për vendin tonë dhe ne do të kemi përherë vullnet të palëkundur që këto marrëdhënie të përparojnë më tej…” Zoti Nano do t’i shprehte Presidentit Stefanopolous mirënjohjen për nismat e tij shumë të rëndësishme ligjore për zgjatjen disa herë të afatit të legalizimit të emigrantëve shqiptarë. Ai ishte i bindur se “qeveria greke dhe të gjitha strukturat e saj do të ndërmerrnin hapa të tjerë të rëndësishëm që do të ndihmonin në integrimin civil, kulturor, arsimor, ekonomik e social të emigrantëve shqiptarë në Greqi…”

Presidenti Stefanopolous do të vlerësonte me fjalët më të denja komunitetin shqiptar në Greqi dhe do të shtonte se do të mbështeste çdo nismë ligjore që do t’i shërbente integrimit sa më të mirë të tyre në shoqërinë greke….”Ju keni njerëz të mrekullueshëm, në të gjitha fushat, që jetojnë e punojnë në Athinë… Unë kam marrë nga ambasadori Zeneli një dhuratë shumë të bukur, një pikturë të mrekullueshme të një artisti shqiptar, Helidon Haliti….Është vërtet një punim mjeshtëror…” Zoti Stefanopolous vlerësoi “angazhimin e përgjegjshëm të qeverisë shqiptare në përmbushjen e të drejtave të minoritetit” dhe shprehu besimin se “edhe në fushën e arsimit, në të ardhmen do të bëhet edhe më shumë që fëmijët e minoritetit të mësojnë gjuhën amtare, por edhe historinë e letërsinë e gjeografinë e Greqisë”.

 

..Takimet do të vazhdonin me ministrin e Punës dhe të Mbrojtjes Sociale, z. Panos Panajotopolous. Ai ishte një ndër gazetarët më të njohur grek. Kishte studiuar për Drejtësi në Universitetin e Athinës dhe kishte kryer disa specializime pasuniversitare në Paris. Kishte punuar në disa kanale televizive, por edhe në gazetat e mëdha greke “Elefheros Tipos”, “Apojermatini”, “To Bima” etj. Ishte zgjedhur deputet i Demokracisë së Re në vitin 2000, në Athinë. Kujtohej në Greqi për intervistat që u kishte marrë personaliteteve të larta botërore, që nga Boris Jelcin dhe udhëheqësi i kurdëve, A. Ocalan.

Kryeministri Nano, krahas problemeve të punësimit e të sigurimeve shoqërore për emigrantët shqiptarë, u ndal veçanërisht në njohjen e viteve të punës të emigrantëve tanë për përftimin e pensioneve. Në verën e vitit 2002, të dyja vendet kishin nënshkruar një protokoll për këtë çështje, por më tej nuk ishin bërë hapa bindës përpara. Ministri grek tha se është shumë i ndërgjegjshëm se ky është një problem që i intereson në radhë të parë Shqipërisë, por i intereson edhe Greqisë. Komisioni miks që ishte ngritur, kishte punuar për rregullime ligjore. U ra dakord që, menjëherë pas Lojërave Olimpike, të nisnin punën për projekt – marrëveshjen, ekspertë të Institutit të Sigurimeve Shoqërore të Greqisë (IKA) dhe të Institutit tonë të Sigurimeve Shoqërore. Do të vinte, pas kësaj, për bisedime me homologun grek, drejtuesi i Institutit tonë, z. Ilir Beqja. (Gjithsesi, kanë kaluar gati 15 vite dhe ne nuk kemi ende një marrëveshje të përbashkët për njohjen e viteve të punës dhe përftimit ligjor të pensioneve. Është spekuluar shumë edhe në takimet elektorale të përfaqësuesve të partive politike me emigrantët, sidomos në Athinë).

 

Me kryetaren e spikatur të Bashkisë së Athinës, zonjën Dora Bakojani, takimi do të ishte shumë miqësor. Që në fillim, kryebashkiakja do të thoshte se “ndihej edhe kryetare e Bashkisë së shqiptarëve, se në Athinë ishte përqendrimi më i madh i tyre . . . Ajo do të vlerësonte punën e madhe të emigrantëve shqiptarë në përfundimin së shpejti edhe të objekteve sportive të Lojërave Olimpike . . . Z. Bakojanis do t’i fliste Kryeministrit Nano për jetën e pasur kulturore dhe artistike, që kanë shqiptarët në kryeqytetin helen. Ajo do të shprehej me vlerësimet më të mira për suksesin e jashtëzakonshëm të artistes sonë të madhe Inva Mula në Odeonin Herodes Attikus, në Akropol, në praninë e 5000 spektatorëve, së bashku me tenorin e famshëm grek Mario Frangulis … Kryeministri do të nderohej me “Medaljen e Artë të Athinës”, që u akordohej personaliteteve të shquara politike, të kulturës, të letërsisë e artit që vizitonin Athinën.

Një takim interesant do të ishte ai i Kryeministrit Nano me Lidhjen e Industrialistëve grekë (SEB), me një prani të madhe të biznesmenëve dhe sipërmarrësve grekë dhe atyre shqiptarë. Takimi u zhvillua në selinë e SEB. Kryeministri Nano më kishte kërkuar që në takim të kishte sidomos përfaqësues të bizneseve greke në Shqipëri apo të atyre që kishin shfaqur interes për investime e sipërmarrje në Shqipëri. Kishin ardhur edhe shumë sipërmarrës të njohur nga Shqipëria. Pa pretenduar njohjen për to, do të veçoja jo vetëm në këtë takim me sipërmarrësit, sipërmarrësin minoritar, z. Vasil Naçi. Nuk e njihja, por ai la një përshtypje të jashtëzakonshme për profesionalizmin, kompetencën, etikën, kulturën menaxheriale dhe njohuritë e plota për tregun europian. Ishte shembull edhe i korrektesës, seriozitetit dhe autoritetit, gjatë të gjitha ditëve në Athinë. (Do të mësoja në Tiranë, se, z. Vasil Naçi, tashmë me një kompani model si “Agnagrup”, ishte edhe autor i katër librave shumë me vlerë për biznesin).

Në fushën e shkëmbimeve tregtare, Greqia ishte partneri ynë i dytë, pas Italisë, me një total në vitin 2003 prej 441 milionë euro. Edhe viti 2004, deri në atë periudhë (maj) kishte nisur mjaft mirë dhe, në fund të tij, do të mbyllej me një bilanc prej 506 milionë euro.

Interesimi i firmave greke për kontakte me partnerë shqiptarë ishte i dukshëm. Për organizimin e takimit me biznesin kishim punuar intensivisht. Ai ishte shumë i rëndësishëm. Diplomati Petrika Jorgji me shumë përgjegjësi, kishte “kopsitur” çdo gjë: me të dhëna, shifra, fakte, me probleme, me ankesa të biznesmenëve të mëdhenj grekë për doganat, tatimet, për premtime e mosmbajtje premtimesh etj. Por edhe se ku ishin më shumë nevojat tona për investime private të firmave të fuqishme greke. Ishte përgatitur një informacion shumë i hollësishëm dhe për marrëdhëniet ekonomike ndërshtetërore, por edhe sa ishte e si vazhdonte të shlyhej borxhi ynë i Albtelekomit ndaj OTE (AMC) dhe ndaj Vodafonit.

Kryeministrin Nano do ta vija në dijeni edhe për problemet që më kishte ngritur disa herë në zyrën time sipërmarrësi i fuqishëm i naftës, z. Mamidakis (Mamidakis Oil), një burrë në moshë të thyer, i qetë, serioz dhe shumë autoritar. Por edhe për shqetësime të tjera që lidheshin me një mungesë të theksuar përgjegjësie të administratës sonë tatimore ndaj shumë bizneseve vërtet të fuqishme greke. Për të tilla raste kërkonte shpjegime edhe qeveria greke.

Jo vetëm interesimi ynë (me rreth 20 faqe material), por edhe i investitorëve grekë dhe i Lidhjes së Industrialistëve grekë (SEB) për këtë takim pune ishte i madh. Nuk duhet të ishte asgjë sa për të kaluar radhën.

Takimi me biznesin grek ishte i hapur, me vullnetin e mirë për të bashkëpunuar, por edhe me probleme që ngritën shumë nga sipërmarrësit e fuqishëm.

I pranishëm ishte edhe ambasadori i Greqisë në Tiranë, z. Pandelis Carcabasis, i cili do të më thoshte ato ditë se shumë sipërmarrës të mëdhenj grekë i ankohen për problemet që kanë me palën tonë. Histori më vete ishte bërë ajo me depozitat e naftës në Durrës dhe konkurrencën në këtë fushë.

Luan Bregasi, kryetar i Unionit të Dhomave të Tregtisë, do të bënte një pasqyrë të shkëmbimeve ekonomike, duke shtuar interesimin e sipërmarrësve shqiptarë për një bashkëpunim e partneritet të ngushtë me sipërmarrësit grekë.

Zv.presidenti i SEB-it, Dimitris Dhaskalopoulos, e vlerësoi si shumë të rëndësishëm këtë takim me pjesëmarrjen e Kryeministrit Nano. Ai do të shtonte se vitet e fundit eksportet greke dhe projektet e bashkëpunimit ekonomik me Shqipërinë kanë pasur rritje . . . Interesi i biznesit grek për bashkëpunim në fusha të ndryshme ishte i madh. Zoti Dhaskalopoulos bëri një bilanc të investimeve dhe shkëmbimeve ekonomike. Por ai ngriti edhe disa probleme të përmirësimit të punës, sidomos në forcimin e zbatimit të kuadrit ligjor të administrimit të biznesit, të pengesave burokratike për investime e deri të sjelljeve “aspak profesionale dhe arbitrare të shumë drejtuesve të lartë në administratë, të zvarritjeve në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe deri në mbylljen e dyerve… Ai do të shtonte se “interesi i biznesmenëve grekë ishte i lartë, duke e konsideruar Shqipërinë si një vend vërtet me përparësi në investime… Unë mendoj se në rrugën e saj të reformave strukturore, Shqipëria do të duhej të niste gradualisht inkuadrimin e vendit drejt rregullave e parimeve të BE-së, sidomos në fushën fiskale, të transparencës, të shmangies së monopoleve etj.”.

Në fund të takimit, Lidhja e Industrialistëve grekë do të dilte me një deklaratë për shtyp. Në të, midis të tjerash, thuhej se “Në takimin me Kryeministrin e Shqipërisë, z. Fatos Nano, u shkëmbyen mendime të rëndësishme lidhur me situatën aktuale të marrëdhënieve ekonomike dypalëshe si dhe mundësitë e zhvillimit të mëtejshëm të veprimtarive të biznesmenëve grekë në Shqipëri… Anëtarët e SEB-it që kanë veprimtari në Shqipëri, në përgjithësi theksuan vlerësimin e përgjithshëm se vitet e fundit është shënuar një progres i konsiderueshëm në nivelin ekonomik e shoqëror, duke krijuar kësisoj kushte më të përshtatshme për praninë e biznesit grek atje”.

Kryeministri Nano do të zhvillonte një takim të gjerë në Divani Caravel, me praninë e mbi 700 bashkatdhetarëve. Ai do të informonte emigrantët edhe për hapat e qeverisë shqiptare për zgjidhjen e problemeve të institucioneve të ndryshme të vendit, por edhe mbi çfarë kishte diskutuar me Kryeministrin Karamanlis dhe me autoritetet e tjera të larta greke për lehtësimin ligjor të lejeve të qëndrimit dhe lëvizjes, për punësimin dhe bisedimet për njohjen e pensioneve, për mësimin e gjuhës dhe të historisë në klasat shqipe, për bashkëpunimin ekonomik, tregtar, kulturor, arsimor midis të dy vendeve etj., etj..

Praninë e madhe të emigrantëve shqiptarë në Greqi, Kryeministri do ta vlerësonte edhe si një shembull të shkëlqyer të vlerave të popullit tonë, por edhe si një element shumë të rëndësishëm në forcimin e miqësisë midis popujve… (Tamam, ato ditë të zhvillimit të vizitës së Kryeministrit Nano, mbusheshin tre vjet [5 maj 2001] nga fillimi i procedurave për legalizimin e emigrantëve në Greqi, në bazë të Ligjit “Për emigracionin” nr. 2910/2001. Ky ligj, me amendime të shumta, kishte pësuar përmirësime të ndjeshme gjatë këtyre viteve, duke lehtësuar përherë e më shumë procedurat për emigrantët).

Një takim tjetër, me intelektualë, artistë, shkrimtarë, piktorë, biznesmenë shqiptarë do të zhvillohej në mjediset e ambasadës. Vizita e Kryeministrit Nano në Athinë do të gjente një jehonë shumë pozitive në media. Pas çdo vizite në Athinë, Kryeministri Nano do të informonte Kuvendin e Shqipërisë, edhe në kuadër të interpelancave të kërkuara nga opozita. “… Unë mora mbështetjen e plotë dhe pa ekuivok të Kryeministrit Karamanlis, se Greqia do të jetë kurdoherë pranë Shqipërisë në këtë proces historik të integrimit në BE dhe në strukturat e Aleancës së Atlantikut Verior… Qeveria e kryesuar nga unë do t’u kushtojë të gjithë vëmendjen e duhur marrëdhënieve shumëfarëshe me Greqinë, për t’i çuar ato kurdoherë përpara në të mirë të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të të dy vendeve tona dhe më gjerë. Marrëdhëniet me Greqinë janë strategjike dhe ky term është një perceptim i ndërsjellë dhe jo i njëanshëm, siç e dëgjuat edhe nga vetë goja e Kryeministrit Karamanlis… Me Kryeministrin Karamanlis shqyrtuam me vëmendjen e duhur dhe shprehëm vullnetin politik të përbashkët për të zgjidhur gjithë çështjet e mbetura nga e shkuara historike…”

(Brenda një viti janë tri diskutime e debate në Kuvendin e Shqipërisë për marrëdhëniet me Greqinë, 12 maj 2003; 19 prill 2004 dhe 21 qershor 2004; dhe pavarësisht edhe përplasjeve opozitë-pozitë, ishte shprehur nga të gjitha partitë parlamentare vullneti politik për të forcuar marrëdhëniet me Greqinë, si marrëdhënie të partneritetit strategjik). Transparenca e qartë, por mbi të gjitha, një shikim përpara në rrugën dhe frymën europianiste, pa mbetur i mbërthyer peng i së kaluarës

… Meqë po shkruaj për kujtime e meqë më lart fola edhe për . . . thashetheme e trillime që vinin këtu nga zyrtarë të lartë shqiptarë e për zyrtarë të lartë, nuk do ta mërzis lexuesin për të folur edhe për një ndodhi…

Tek ishim ulur për një kafe, në pritje për të vazhduar me një takim të radhës, z. Nano i bie zilja e celularit dhe me ato që thuheshin nga ana tjetër, u bë shumë nervoz e nisi të shajë.

– E morët vesh? – iu drejtua gjithë nervozizëm tavolinës. – Po ha drekë me… te Piaca… Ju kam thënë për të? E shihni tani? Nuk reagoi njeri.

– Do ta shkarkoj që tani si ministër, e ka mbushur kupën…
– Mirë do të bësh, – i tha njëri në tavolinë.
– Do të marr Namikun të bëj gati vendimin dhe sapo të kthehem do ta firmos e do t’ia dërgoj Presidentit… kjo ka marrë fund, – tha dhe u bë gati të formulojë numrin e celularit.
– Mirë do të bësh, shumë mirë…, – tha njëri në tavolinë.
Ndërhyra:
– Të lutem, lëre telefonin…
– Ç’më flet edhe ti, – m’u drejtua i nervozuar, – ku di ti se ç’bëhet… Po punojnë pas shpinës sime…
– Dakord, – iu përgjigja, – unë vërtet nuk di asgjë… por këto punë nuk bëhen nga Athina. Do thonë: Kryeministri shkarkon ministrin… nga Athina. Nuk shkon. Prit deri nesër a pasnesër… Do interpretohet në shtyp edhe se mos i kanë thënë grekët. Asgjë nuk ndreqet me sot e me nesër… Ç’janë këta njerëz që të vënë në dijeni se në Piaca po hanë drekë ministri me gazetarin e njohur, deputet, kur je në Athinë për vizitë zyrtare?!
– Pret puna për dy ditë…
– Mirë, do merrem me të sapo të shkoj në Tiranë, – do të fliste,
po me inat, Kryeministri Nano.

Unë nuk e dija hollësisht “konfliktin”, por vetëm përplasjen e Kryeministrit me gazetarin e njohur rebel, deputet në Kuvend. Sidoqoftë, ministri që u nis të shkarkohej nga Athina, më 6 maj 2004, ashtu, në nerv e sipër, nga një telefonatë nga Tirana, mbeti ministër deri në zgjedhjet e qershorit 2005, kur PS-ja humbi betejën elektorale. E do të zgjidhej përsëri deputet i saj!

Fatos Nanon, midis të tjerave, pa epitete e vlerësime pozitive, e rrethonin edhe intrigantë, shpifës, puthadorë, lajkatarë… Dhe nuk e di sa i kuptonte, sa i njihte.

Atë ditë në Athinë, zëdhënësi Aldrin Dalipi, veças do të më fliste vërtet me ndershmëri dhe me shqetësim për këtë situatë që, duke qenë pranë Kryeministrit, e njihte shumë mirë, me emra e me mbiemra politikanësh, deputetësh e zyrtarësh, që herë e “shisnin” e herë e quanin “vëlla”.

 

(Kosova Sot)