“Ahmet Zogu nuk dinte të shkruante në gjuhën shqipe”, nipi i Mbretit polemizon me Demalinë

  • 19 December 2018 - 08:54
“Ahmet Zogu nuk dinte të shkruante në gjuhën shqipe”, nipi i Mbretit polemizon me Demalinë

Një sfidë e hedhur në rrjetet sociale ka zbuluar një telegram në shqip, të shkruar nga Mbreti Zog I.

Këto ditë, analisti Ilir Demalia ka hapur një debat publik. Bëhet fjalë për gjuhën e shkruar që përdornin krerët e shtetit shqiptar përpara çlirimit, konkretisht Ismail Qemali e Ahmet Zogu.

“E vërteta dhemb” (“The truth hurts”), thotë Demalia, teksa sfidon këdo që do të publikojë një dorëshkrim të figurave në fjalë. “U bëj një sfidë historianëve dhe arkivistëve shqiptarë: të nxjerrin një letër të shkruar në gjuhën amtare shqipe me dorëshkrimin e themeluesit të shtetit Ismail Qemali dhe Mbretit Ahmet Zogu! Pres një letër të shkruar shqip me dorëshkrimin e tyre! Nga kjo do të kuptojmë shumë gjëra dhe do të jetë…”.

Ky publikim i Demalisë ka ngjallur jo pak reagime. Ishin të shumë komentuesit në “Facebook”, të cilët shpreheshin se në rastin konkret, më me vlerë ishte puna që kanë bërë këta burra shteti, pasi sa për të shkruarat, na ka lënë diktatori Enver Hoxha, me shumicë.

Pikërisht prej këtij debate është nxitur nipi i Mbreti Zog, Leka II, i cili i dërgon një letër analistit, duke i shpjeguar se Mbreti Zog zotëronte jo vetëm shqipen, por edhe disa gjuhë të tjera, si gjermanishten, turqishten osmane, arabishten dhe anglishten, por asokohe preferohej më së shumti gjuha frënge. Një gjuhë, që sipas Leka Zogu II, është përdorur edhe në korrespondencat mes Zogut, Konicës e Nolit. Një korrespondencë që ai premton se do ta bëjë shumë shpejt publike. Por për të hedhur poshtë çdo dyshim të Demalisë, ai i vë në dispozicion një telegram të shkruar nga vetë Mbreti, në gjuhën shqipe. Telegrami i takon vitit 1935, është i shkruar me një kaligrafi të bukur dhe të kuptueshme, qartë dhe rrjedhshëm. Telegrami na lë të kuptojmë vetëm që i drejtohet “Djelmnisë shqiptare”, por nuk sqarohet se me çfarë rasti.

fax1

Pas këtij reagimi, vjen edhe përgjigjja e Demalisë, i cili nga njëra anë kërkon ndjesë, nëse ndërhyrja e tij ka prekur ndjenjat e familjes mbretërore, por nga ana tjetër pranon se gjithsesi, duke hapur këtë debat, ai dhe publiku po mësojnë diçka që nuk e dinin ose e kishin trajtuar gabim. Ai vlerëson përpjekjet e Mbretit Zog për ndërtimin e shtetit, si asnjë shtetar tjetër, që prej shpalljes së Pavarësisë. Demalia vë në dispozicion të gazetës “Panorama” letërkëmbimin me Princin Leka II, por me shumë gjasë ky është një debat që do të vijojë edhe më tej.

Faksimile e telegramit të Mbretit Zog
Faksimile e telegramit të Mbretit Zog

LETËRKËMBIMI
Letra e Princit Leka II për Ilir Demalinë
I dashur Z. Demalia,
I dashur Ilir,
Shpresoj që ky mesazh t’ju gjejë mirë nga ana shpirtërore e shëndetësore.
Po ju shkruaj thjesht i shtyrë nga një postim i juaji më i fundit, përmes së cilit ju sfidoni
publikun të gjejë një dorëshkrim të shkruar nga Lartmadhëria e Tij, Mbreti Zog.
Në frymën e shëndoshë të debatit, jam i kënaqur të bashkëngjis një telegram të nisur nga im gjysh në 1935; është shkruar me dorë dhe nënshkruar nga Lartmadhëria e Tij.
Në arkivin mbretëror gjenden gjithashtu të tjera letra dhe korrespondenca, të cilat ne do t’i bëjmë publike në një të ardhme të afërt.
Ju lutem, vini re se gjuha e zakonshme diplomatike që përdorej, ishte më së shumti frëngjishtja, e cila po ashtu ishte gjuha e shkruar e preferuar në korrespondencën mes Faik Konicës, Nolit dhe Mbretit Zog.
Përveçse në shqip dhe frëngjisht, Mbreti Zog zotëronte gjermanishten, turqishten osmane, arabishten dhe anglishten.
Mësuesit shqiptarë të Mbretit Zog kanë qenë Hysin Effendi Çeken nga Elbasani dhe Dervish Hima. Të dy ishin punësuar nga Xhemal Pasha për të qëndruar në Burgajet.
Ju uroj suksese të mëtejshme në gjithë përpjekjet tuaja.
Sinqerisht
Leka II

Përgjigjja e Ilir Demalisë për Princin Leka II
I nderuar Princ Leka,
Së pari duhet t’ju kërkoj ndjesë nëse ju kam lënduar, por ky nuk ka qenë në asnjë mënyrë qëllimi im.
Unë ndërmora një sfidë për kureshtje mbi dorëshkrimet e Ahmet Zogut, dhe bëra mirë. Ju, si pasardhës i Mbretit Zog, provuat të kundërtën. Kështu që u ndriçova për diçka
që ishte trajtuar ndryshe nga opinioni shqiptar, media dhe politikanët.
Ju falënderoj për këtë. Nga ana tjetër, ju ishit fëmijë, kur unë jam takuar me babanë tuaj, Mbretin Leka I në Paris, në 1991. Unë nuk kam qenë kurrë anëtar i ndonjë partie në
jetën time. Në shkrimet dhe intervistat e mia në media, kurdoherë që ka qenë rasti, unë gjithnjë e kam vlerësuar Mbretin Ahmet Zog. Gjithnjë e kam njohur përpjekjen e tij për të
organizuar dhe ndërtuar një shtet, si asnjë tjetër në historinë e Shqipërisë, që prej pavarësimit të vendit në vitin 1912.
Pavarësisht dritëhijeve të jetës së tij politike, ashtu si çdo figurë tjetër politike shqiptare e botërore, Ahmet Zogu mbetet një figurë e rëndësishme dhe me vlera në historinë e
shtetit shqiptar.
Nëse ju keni të tjera dorëshkrime të Mbretit Ahmet Zog, mirësisht do t’ju kërkoja dhe do ta vlerësoja shumë nëse do të m’i dërgoni.
Ju siguroj, se do të kërkoj ndjesë në gazetën “Panorama”, ku kam botuar këtë sfidë (intrigue)…

Duke shpresuar se do të mbahemi në kontakt, po ju dërgoj një kujtim me mikun tim, Princ Skënderin dhe babanë tuaj të nderuar, Mbreti Leka Zogu I.
Sinqerisht,
Ilir Demalia

(Kosova Sot)