Kontesha Carnarvon, bamirësja që luftoi malarien e priti refugjatët kosovarë

  • 11 February 2019 - 10:14
Kontesha Carnarvon, bamirësja që luftoi malarien e priti refugjatët kosovarë

Më 1 shkurt u mbushën 90 vjet nga ndarja nga jeta e konteshës Elisabeth Carnarvon, mirëbërëses angleze me zemër të madhe, që erdhi në Shqipëri në vitet 1923-1929 për të dhënë ndihmesën e saj të jashtëzakonshme në vështirësitë e shumta që kalonte vendi ynë në ato vite. Elisabeth Carnarvon ishte e ëma e Aubrey Herbert, mikut të madh të shqiptarëve, i cili iu përkushtua me gjithçka çështjes shqiptare, që nga pavarësia e Shqipërisë derisa ndërroi jetë në vitin 1923.

Aubrey Herbert ishte kryetar i Komitetit Shqiptar(Albanian Committee), të cilin e ngriti në dhjetor 1912 për të bërë avokatinë e çështjes shqiptare përballë planeve të Konferencës së Ambasadorëve, që u mblodh në Londër dhe që do të vendoste edhe kufijtë e Shqipërisë zyrtare.

Shqipëria kishte vetëm dy javë që kishte shpallur pavarësinë dhe në pjesën veriore të Shqipërisë ende luftohej. Është i njohur roli që pati anëtari i Parlamentit britanik, Aubrey Herbert, në dobi të çështjes shqiptare në atë periudhë e në vitet e mëpasme, sidomos, në Konferencën e Paqes dhe në pranimin e Shqipërisë si anëtare në Lidhjen e Kombeve etj.. Para se të ndahej nga jeta, i ndjeri Herbert la amanet që të ndihmohej Shqipëria me të gjitha mjetet e mundshme dhe e ëma, Elisabeth, megjithëse mbante mbi shpinë 67 vite dhe ende ndjente në zemër dhimbjen për të birin e vdekur, erdhi në Shqipëri duke kryer një akt të lartë fisnik njerëzor për të ndihmuar në shumë fusha: në jetën ekonomike, në strehimin e emigrantëve kosovarë, në fushën shëndetësore, shoqërore, arsimore e kulturore në Shqipërinë e varfër dhe halleshumë.

Ajo ndihmoi duke sjellë në Shqipëri disa misione me mjeke e infermiere nga Anglia për të ndihmuar në spitalin e “çmendinës” në Vlorë, për të luftuar sëmundjen e malaries, që po e shuante racën shqiptare, ngritjen e disa qendrave shëndetësore në vendin tonë, solli inxhinierë për studimin e zonave ujëmbajtëse që ishin vatra të përhapjes së malaries dhe mori masa për tharjen e tyre, duke sjellë në Shqipëri nga Amerika, Fondacionin Rockefeller për të investuar në këtë fushë, ndihmoi në përgatitjen e mamive e infermiereve që të kujdeseshin për shëndetin e nënës dhe të fëmijës, në përgatitjen e ligjeve për këtë qëllim, u kujdes për kushtet e të burgosurve, emancipimin e grave, mbjelljen e pemëve dhe pyllëzime etj.. Një kujdes të posaçëm tregoi Kontesha Elisabeth për strehimin e të larguarve nga Kosova për në Shqipëri si pasojë e gjenocidit serb ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare, ndihmën ekonomike dhe integrimin e tyre në jetën sociale të zonës ku instaloheshin.

Dëshmi e këtij kujdesi është ngritja në vitin 1925 e një fshati të ri me rreth 50 familje kosovare në afërsi të Kavajës, ku ajo u ndërtoi shtëpi për t’u strehuar, u bleu lopë për t’u ushqyer e kafshë pune për të punuar tokën, grave u ofroi vegjë, (avlëmend, vegë) pambuk dhe lesh për të endur pëlhura, qilima e sixhade, të cilat shiteshin në Angli dhe të ardhurat u riktheheshin atyre që i prodhonin. Pasi u krijua ky fshat i ri, qeveria shqiptare e emërtoi fshatin e ri të ngritur prej Konteshës Carnarvon me emrin “HERBERT”, për nder të kontributit të dhënë për Shqipërinë prej djalit të saj, Aubrey Herbert.

Në vitet ’50 të shekullit XX emri “Herbert” u zëvendësua me Qerret(?!). Një fushë të rëndësishme Kontesha Carnarvon vlerësonte edukimin e të ardhmes së vendit, të rinisë. Ajo ndërtoi në fshatin Herbert, në vitin 1927, një shkollë fillore model ku do të mësonin fëmijët e kosovarëve, por edhe të fshatrave rreth e rrotull. Kjo shkollë u ngrit në një kohë kur në zonën e Durrësit e të Kavajës kishte rënë një tërmet i fuqishëm dhe kishte rrafshuar, krahas të tjerave, pothuajse çdo shkollë dhe mësimi zhvillohej në çadra, kurse shkolla e re do të shërbente si vend mësimi, por dhe përmbushte kërkesat për një pamje artistike e estetike.

Kontesha Carnarvon u kujdes dhe shkolla u pajis me të gjitha pajisjet dhe orenditë e nevojshme shkollore. Ajo që mundësoi ndërtimin e shkollës dhe pajisjen e saj me mjetet mësimore të nevojshme, solli edhe një gramafon me ndihmën e të cilit do t’u mësohej nxënësve anglisht. Zonja Carnarvon ndihmoi me mjete edhe Shkollën Teknike të Tiranës dhe të Kavajës. Për të nxitur dëshirën e të rinjve për të mësuar, ajo organizoi edhe konkurse me nxënësit më të mirë të shkollave të mesme duke caktuar një shumë pagese për fituesit e këtij konkursi.

Por rinia nuk duhet të ishte e pajisur vetëm me dije, ajo duhet të ishte edhe e përgatitur fizikisht. Për këtë qëllim, zonja e nderuar u kujdes për çuarjen më tej të punës së nisur nga biri i saj në vitin 1922 për përhapjen e skautizmit. Kontesha Carnarvon themeloi Shoqatën Sportive të Gjurmuesve, e cila kishte një program që do t’i shërbente edukimit të rinisë shqiptare. Kontesha vlerësonte se boyskautizmi ishte një mjet edukimi që ngjallte te rinia ndjenjën e solidaritetit, ushqente entuziazëm moral dhe intelektual. Nëpërmjet përgatitjes fizike, djali apo vajza do të forconte mendjen dhe trupin dhe, në këtë mënyrë, do të ishin më të vlefshëm për kombin. [Capture]

Lëvizja e kësaj shoqate u shtri në disa shkolla të mesme të vendit, ku u ngritën degë të saj. Gjurmuesit kishin betimin e tyre: “Betohem mbi nderin tim:

1. T’i shërbej Atdheut;

2. T’u ndihmoj të tjerëvet kurdoherë

3. Të mbaj trupin të shëndoshë, mendjen të kjarët dhe vetiat të mira”.

Në funksion të edukimit të të rinjve shqiptarë do të ishte edhe BIBLIOTEKA, që u ngrit në Tiranë nga Kontesha Carnarvon me të hollat e saj dhe me ndihmat që mblodhi në Angli. Ajo bleu truallin në vendin ku do të ndërtohej biblioteka, ideoi projektin e saj dhe bëri të mundur fillimin e punimeve për ndërtimin e godinës.

Krahas punës që bëhej për ngritjen e ndërtesës së bibliotekës, pritej që ajo të plotësohej me materialet e domosdoshme, në radhë të parë, me libra. Për këtë qëllim, Kontesha Carnarvon u bëri thirrje në shtypin anglez botuesve dhe lexuesve që kushdo që kishte libra tepër në gjuhët anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, gjuhët klasike etj., mund t’i dhuronin për bibliotekën e re që ishte duke u ngritur në Shqipëri, e cila do të shërbente për nxënësit shqiptarë të etur për dije. Ndërtesa e bibliotekës që lartësohej buzë Lanës, në një vend të ngritur rrethuar me ullinj, përfundoi nga fundi i vitit 1928.

Ajo kishte një sallë të madhe leximi si dhe mjedise të tjera për personelin. Në krye të sallës së leximit ishte një oxhak i madh dhe, përmbi oxhak, ishte i vendosur një basoreliev i portretit të Aubrey Herbertit, i gdhendur në gur. Salla e bibliotekës ishte e ndritshme dhe do të shërbente edhe për konferenca e veprimtari të tjera kulturore e përkujtimore historike. Në sallën e bibliotekës kishte rafte e dollapë që u mbushën me libra të siguruara në Angli dhe që pasurohej vazhdimisht. Pjesë e bibliotekës ishte edhe një fushë tenisi që do të shfrytëzohej për t’u argëtuar rinia. Biblioteka do të shërbente edhe si Instituti Herbert, për të cilin Lady Carnarvon la shuma të konsiderueshme për funksionimin e bibliotekës.

Lady Carnarvon nuk arriti që të shihte bibliotekën të përfunduar, pasi më 1 shkurt 1929 ajo u nda nga jeta. Inau gurimi i bibliotekës që ndër qytetarët e Tiranës njihej si biblioteka “Carnarvon”, u inaugurua më 12 maj 1929 dhe u emërtua biblioteka “Për Djelmërinë”. Në ceremoninë e inaugurimit, krahas personaliteteve më të larta, mori pjesë djali i dytë i Lady Carnarvon, Mervyn Herbert dhe Mary Herbert, bashkëshortja e Aubrey Herbertit. Sot ndërtesa e Bibliotekës që shërbeu si kinema “Ali Demi” pas Luftës II Botërore, nuk ekziston, është shembur vitet e fundit, dëshmi e asaj kohe janë dy ullinj buzë të trotuarit.

Gjithçka që bëri Lady Elisabeth Carnarvon ishte pa pasur ndonjë prapamendim, ndonjë përfitim, interes të çastit apo në të ardhmen, përkundrazi, ajo sakrifikoi dhe mori kënaqësinë që mundi t’u shërbejë njerëzve në nevojë e të lehtësonte sa të ishte e mundur barrën e rëndë që rëndonte mbi popullin dhe shtetin shqiptar.

Për këtë kontribut të çmuar të saj, qeveria shqiptare, me dekret të Mbretit Zog I e dekoroi me Urdhrin “Kalorës i Madh i Skënderbeut”, kurse Mid’hat Frashëri shkruante për Lady Carnarvon: “Ajo që më shtonte admirimin tim për Lady Carnarvon ishte kurajoja e madhe e saj plot sakrificë, në moshë të saj linte Ingliterën, rrethin aristokratik, miqtë dhe të afërtit, linte vilën e saj në Riviera Ligura – atë parajsë të dheut – dhe vinte te ne të na ndihmojë, të na këshillojë, të na kujtojë se duhet të punojmë. Ajo zonj’ e moshuar, vinte të na japë një zell rinije, një frymë entusiasme. Kemi një detyrë mirënjohjeje kundrejt kësaj mëme.

Të kujtuarit e saj më duket sikur të jetë një farë lutje, një kërkesë besimi. Interesimi ynë për veprën që ajo nisi, do të jetë shpërblimi më i pëlqyeshëm për të, nderimi më i madh që mund t’i bëjmë shpirtit të saj”.

(Kosova Sot)