Historiani amerikan flet për krizë politike dhe vendimin e PD: Ja sinjalet jo pozitive për Qeverinë

  • 28 February 2019 - 09:29
Historiani amerikan flet për krizë politike dhe vendimin e PD: Ja sinjalet jo pozitive për Qeverinë

Historiani amerikan Bernd J. Fisher, i cili ndodhej në Tiranë për të folur mbi rënien e regjimit komunist në Shqipëri, në një ditë të shënuar, siç ishtë ajo e rrëzimit të statujës së diktatorit Enver Hoxha, flet për situatën aktuale politike në Shqipëri. 

Ai pranon pa mëdyshje se “Demonstratat nuk janë asnjëherë të gabuara”, flet për lëvizjen e bërë nga PD dhe opozita dhe komenton qëndrimin e Qeverisë.

Mendoni se lëvizja e fundit e Partisë Demokratike është e gabuar?

Demonstratat nuk janë asnjëherë të gabuara. Në demokracitë më të vjetra njerëzit kanë të drejtë të protestojnë kundër qeverisë, për aq kohë sa ato janë të paqta dhe nuk shkatërrojnë pronën publike apo lëndojnë njerëzit. Të linin Parlamentin, nuk më duket një lëvizje e mirë. Partia Demokratike dhe partnerët e saj duhet të kenë më shumë zëra domethënës në Parlament dhe jashtë tij. Jashtë Parlamentit, në Shqipëri ka shumë njerëz që populli i dëgjon, por brenda në Parlament ata kanë një status dhe kanë mundësi të zgjidhin më shumë punë.

Dalja e PD-së nga Parlamenti mund të konsiderohet si një krizë e re politike? Absolutisht. Pyetja e radhës është se çfarë do të ndodhë me zgjedhjet lokale. Nëse Partia Demokratike nuk është në Parlament, a do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të muajit qershor? Ende nuk kam dëgjuar diçka mbi këtë çështje, madje nuk jam i sigurt nëse është vendosur se ç’do të bëhet. Ndoshta deri atëherë kjo çështje mund të jetë zgjidhur, por po, kjo është një krizë politike.

Si ju duket qëndrimi i Qeverisë?

Qeveria ka bërë hapa të rëndësishëm sidomos në kuadrin e Reformës në Drejtësi, po shohim që gjërat po lëvizin, gjyqtarë të korruptuar po hiqen. Mbyllja e kazinove, e lojërave të fatit, ishte po ashtu një hap me rëndësi dhe shumë pozitiv. Por shumë hapa të tjerë duhen ndërmarrë. Nga ana tjetër, perceptimi mbi rritjen e korrupsionit është shtuar. Vetëm muajin e kaluar, Tranparency International” foli për një rritje të nivelit të korrupsionit në Shqipëri. Ky perceptim është edhe mes vetë shqiptarëve dhe kjo nuk është një gjë e mirë. Sipas “The Economist”, në nivelin e demokracisë, Shqipëria nuk ka bërë përpara. Të gjithë këto nuk janë sinjale pozitive për qeverinë, pavarësisht hapave pozitivë që ka hedhur.

Vijon