Pse Greqia, Jugosllavia dhe Italia i trembeshin zbarkimit të sovjetikëve në Shqipëri?

  • 09 mars 2019 - 08:01
Pse Greqia, Jugosllavia dhe Italia i trembeshin zbarkimit të sovjetikëve në Shqipëri?

Ja çfarë synonin agjentët sekretë gjatë operacioneve infiltruese

A ka treguar marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët gjatë regjimit komunist. Përmes një dokumenti të deklasifikuar tregohet se si Greqia, Jugosllavia dhe Italia ishin të shqetësua nga marrëdhëniet e vendi tonë me Bashkimin Sovjetik. Po ashtu tregohen detaje mbi infiltrimet e agjentëve.

Shtator 1951

Italia, Jugosllavia e Greqia duket se po minimizojnë asistencën e tyre ndaj grupeve të emigracioni për dy arsye. Grupe të tilla janë të shumta dhe me kontradikta mes tyre. Derisa ata të merren vesh me njëri-tjetrin, këto grupe nuk përfaqësojnë një investim serioz për qeveritë e vendeve ku banojnë, ndërsa për Shqipërinë ata mund të kryejnë vetëm trazira të buta. Gjithashtu asnjë nga këto vende nuk dëshiron të kërcënojë drejtpërdrejt BRSS dhe të rrezikojë një agresion të mundshëm në jug të Evropës. Për një mbrojtje efektive të Evropës juglindore dhe të Mesdheut Lindor gjatë kohës që regjimi i Hoxhës mbetet në pushtet, ne duhet të kompletojmë bashkëpunimin mes Italisë, Greqisë e Jugosllavisë.

Planet dhe operacionet tona ushtarake duhet të integrohen thellë në një front të përbashkët me tre vendet dhe të përshtaten si pas një bazë interesi të përbashkët. Për të arritur këto objektiva është fillimisht i nevojshëm afrimi ideologjik, që i hap më tej rrugë masave të përbashkëta të mbrojtjes, dhe mundësisht marrëveshjeve të përbashkëta të asistencës. Aktualisht nuk po merren hapa për masa të tilla, ndërsa problemi i Triestes e bën të pamundur një afrim të tillë mes Italisë e Jugosllavisë. Ndërsa mes Greqisë e Jugosllavisë ka sinjalizime se mund të ketë marrëveshje këmbimi informacioni të mbrojtjes, në rast të plotësimit të kushteve të caktuara. Regjimi armiqësor në Shqipëri bën që trupat ushtarake greke e jugosllave të përqendrohen gjatë kufirit me të, kështu që Greqia e Jugosllavia organizojnë një mbrojtje të dy fronte.

Ndërsa Italia nuk ka kufi me Shqipërinë prandaj çështja e prek me planifikimet e forcave të marinës. Formulimi i këtyre planeve duhet të marrë gjithashtu në konsideratë faktin se BRSS në Shqipëri ka një bazë nga e cila mund të nisë sulme agresive detare, si ndaj tre fqinjëve dhe ndaj vendeve të tjera të Mesdheut. Objektivi kryesor i tre fqinjëve të Shqipërisë është largimi i saj nga dominimi sovjetik, duke reduktuar edhe për veten e tyre rrezikun komunist. Kjo bën që planet e tyre të mbrojtjes të përputhen në këtë pikë. Ndërsa interesat dhe pretendimet e tyre konfliktuese që komplikojnë problemin shqiptar marrin një pozicion dytësor, i cili pranohet në heshtje prej tyre. Duhet konsideruar gjithashtu si mundësi përshkallëzimi i mbrojtjes perëndimore me pjesëmarrjen më aktive të Italisë, Greqisë e Jugosllavisë, gradualisht të zgjidhen p[problemet e interesave të tyre brenda strukturës mbrojtëse të Perëndimit.

Parashikimet

Nëse regjimi i Enver Hoxhës rrëzohet dhe zëvendësohet me një qeveri miqësore ndaj Perëndimit do të bëhej e mundur që Jugosllavia e Greqia ulnin theksin e sigurisë kufitare, duke ripozicionuar forcat e tyre ushtarake. Italia do të ishte në gjendje të ndryshonte planifikimet detare dhe të inteligjencës, me synim dominimin e detit Adriatik dhe të kalimit drejt Tunizisë. Problemet logjistike të tre vendeve gjithashtu do të zbuteshin pas heqjes së influencës sovjetike. Regjimit të ri në Shqipëri do të duhej t’i jepej asistencë konkrete në armë e pajisje, të cilat aktualisht ai i merr nga BRSS.

Nëse një nga tre fqinjët e tij merr pozitë dominonte në regjimin e ri shqiptar, atëherë kjo do të prishte marrëdhëniet mes tyre, ndërsa nëse ato marrin pjesë në mënyrë të njëjtë në asistencën e qeverisë së re dhe nuk ndërhyjnë në punë e brendshme, bashkëpunimi do të lehtësohet. Krijimi i një mbrojtjeje të koordinuar në juglindje të Evropës e Mesdheut, do të prekej nga një ndryshim regjimi në Shqipëri. Nëse një nga vendet kërkon të marrë kontrollin e Shqipërisë, vendet e tjera me siguri do të përpiqen ta pengojnë këtë ashtu si dhe bashkëpunimin mes fqinjëve.

Nëse Perëndimi siguron neutralitetin e Shqipërisë sipas një deklarate të përbashkët mbrojtja e koordinuar do të jetë më e thjeshtë dhe kërcënimi sovjetik nga baza e Shqipërisë do të eliminohej. Situata aktuale në Shqipëri e komplikon krijimin e mbrojtjes së përbashkët në Evropën jugperëndimore dhe kjo është vlera e saj kryesore për BRSS. Ndryshe Shqipëria nuk do të kishte shumë vlerë për Perëndimin pasi portet deh aerodromet e saj janë të papërdorshme, ashtu si dhe trupat tokësore të ushtrisë shqiptare që janë të neglizhueshme për aleancën.

Gusht 1952

Arritjet paraushtarake

Në 4 gusht 1952 grupi “Apple” mori me sukses furnizime materiale dhe në njerëz. Gjatë këtij misioni Halil Branica, i cili kishte humbur ndjenjat gjatë kalimit të kufirit, u ribashkua me grupin, çka u konfirmua me një mesazh radio. Në mesazhe të tjera konfirmohej se grupi ishte i sigurt dhe vazhdonte operacionet. Grupi Uillou ka krijuar një zinxhir të suksesshëm për këmbimin e inteligjencës. Kur ata dolën nga Shqipëria në 9 gusht 1952 morën me vete gazeta, mostra lekësh shqiptare, pulla poste dhe objekte të tjera me vlerë propagande. Grupi është riinfiltruar më 25 gusht.

Nuk kemi marrë asnjë njoftim për Grupin e Kuq gjatë muajit gusht, por supozohet se ata janë aktivë brenda Shqipërisë së veriut. Gjatë infiltrimit të grupit Cedar më 22 gusht 1952, një nga dy anëtarët e grupit humbi ndjenjat në këmbën e majtë pas një orë e gjysmë ecje drejt kufirit. Atij iu dha një gomar, por pas njëfarë kohe u bë e qartë se mund të vazhdonte më tej. Gjendja e këmbës së tij u shkaktuar nga terreni i vështirë i ecjes. Anëtari tjetër i grupit ofroi të kompletonte vetëm infiltrimin, por ai nuk e njihte mirë zonën dhe misioni u braktis. Tashmë po kërkojmë për dy njerëz që të zëvendësojnë anëtarin e dëmtuar të grupit dhe shpresojmë të tentojmë përsëri në shtator.

Detaje mbi infiltrimet

Grupi Throttler është infiltruar në zonën e Sarandës në 19 korrik, por prej masave të ashpra që ishin marrë nga autoritetet komuniste pas një infiltrimi britanik në të njëjtën zonë, grupi u detyrua të dilte përsëri nga vendi më 4 gusht. Meqenëse ata kërkonin me ngulm të riktheheshin sipas kushteve të favorshme të motit, grupi i riinfiltrua më 19 gusht. Grupi britanik Scrutiny doli nga Shqipëria në rrugë tokësore më 2 gusht 1952. Gjatë gjithë kohës së tyre në Shqipëri ata ishin në arrati pasi u përballën me armë me komunistët në zonën e Delvinës dhe e gjithë zona u vu nën alarm.

Jemi këshilluar nga baza që përkundër besimit tonë, grupi britanik nuk do të shoqërohet nga një agjent i yni, për arsye sigurie. Agjenti ynë punoi me britanikët për konsultim por nuk u infiltrua me ta. Grupi Britanik Sambo u infiltrua në zonën e Beratit natën e 22 korrikut dhe është tërhequr në rrugë tokësore më 10 gusht. Përfaqësuesi britanik në Athinë beson se grupi u tërhoq pas alarmit të gjerë të shkaktuar nga lëshimet e fletushkave nga BGFiend në 28 korrik dhe misioni i furnizimit të grupit Apple më 4 gusht.

Situata politike

Nuk kemi marrë raportime nga korrierët për Hasan Dostin, Nuçi Kota dhe Selim Damani, të cilët përfaqësuan Shqipërinë në kongresin e Berlinit nga 25 korrik deri në 1 gusht. Raportime nga burime të tjera thonë se kongresi ishte i suksesshëm dhe do të përsëritet në tetor. Dosti dhe kota janë aktualisht në Romë dhe po marrin pjesë në diskutime për riorganizimin dhe zgjerimin e Komitetit Shqipëria e Lirë.

Transmetuesi ynë i vendosur pranë Athinës ka vazhduar transmetimet e rregullta gjatë gushtit. Gazeta “Shqipëria” organi çdo dyjavor i KSHL i shtypur në Romë, është shpërndarë sipas planit. 50 000 kopje të edicionit të vogël janë shtypur në Uashington dhe dërguar në Athinë për përdorim në lëshimet ajrore të propagandës. Gjithashtu një porosi prej 360 000 kopjesh e edicionit të vogël është kompletuar për britanikët dhe është dërguar në Londër.

Lëshimet

Natën e 26-27 gushtit britanikët kryen lëshimin e suksesshëm të një mase fletushkash dhe të mini-edicionit të “Shqipëria”. Fletushkat u lëshuan si kamuflazh për misionin e furnizimit të grupit Apple. Prej 20 gushtit dy takime të përgjithshme, të drejtuar nga përfaqësuesit amerikanë dhe britanikë në Romë, janë mbajtur me anëtarët e KSHL, ku është prezantuar plani ynë për zgjerimin e përfaqësimit të Komitetit. Ka pasur gjithashtu shumë takime me individë dhe grupe partiake, dhe deri tani nuk ka pasur kundërshtime për planin e riorganizimit. Megjithse asnjë marrëveshje nuk është arritur ende, diskutimet do të vazhdojnë sipas ritmit të llogaritur për të mos dëmtuar Komitetin me këtë çështje.

Mbreti Zog ka kërkuar që përfaqësuesi ynë të vijë në Aleksandri për të diskutuar probleme të rëndësishme lidhur me Shqipërinë dhe vendet fqinje. Përfaqësuesi ynë niset atje në fillim të shtatorit. Gjatë gushtit raportimet nga Stambolli flisnin për negociata mes përfaqësuesve të mbretit Zog e atyre të Titos në Stamboll e në Shkup, ku Zogu përfaqësohej nga Irfan Bej Ohri, Avni Daralla e Lutfi Safet Tozani. Ata raportohet të jenë udhëzuar të kërkojnë garanci pë integritetin dhe pavarësinë e Shqipërisë, dhe më pas të organizojnë takimin personal mes mbretit Zog dhe përfaqësuesve të Titos, për të diskutuar çështjet kryesore të bashkëpunimit. Përfaqësuesi ynë në Romë raportonte se kishte marrë një plan jugosllav për pushtimin e Shqipërisë, i cili thuhet se ka nisur prej Ndue Pjetër Markagjoni në Prizren, dhe është sjellë në Romë nga kreu i BKI Gjon Markagjoni. Plani bën thirrje për grumbullimin e 6000 refugjatëve shqiptarë, të cilët pretendohet se janë mobilizuar, të cilët do dislokohen në gjashtë sektorë. Komandantët e sektorëve nuk e dinë datën e aktivizimit të planit por janë sinjalizuar se do të jetë së shpejti. Operacioni llogaritet të përfundojë dhjetë ditë pas aktivizimit.

Ky raportim nuk konfirmohet nga burime të tjera, por në një mesazh radio nga grupi Apple raportohej për një informacion nga Halil Branica sipas të cilit aktiviteti jugosllav kishte si qëllim aneksimin e Shqipërisë. Mesazhi konfirmon se operacionet po kryhen nga Lidhja Shqiptare e refugjatëve dhe drejtohen nga Dushan Mugosha, përfaqësuesi personal i Titos te komunistët shqiptarë gjatë luftës.

Inteligjenca

Tre grupet tona të fundit të kthyera nga Shqipëria ishin të gjithë të mendimit se popullsia ka arritur në pikën ku është e mundur nxitja e revoltës së hapur kundër regjimit me nxitjen e mjaftueshme nga jashtë. Në një raportim nga Roma më 19 gusht thuhej se sipas radio Moskës sovjetikët kërkojnë të spastrojnë Enver Hoxhën. Burimet tona po përpiqen të konfirmojnë raportimin dhe burimet. Në raportimin e grupit Uillou theksohet nevoja për valutë shqiptare në mbështetje të operacioneve. Ata thonë se radiot nuk lejohen për popullatën e thjeshtë. Miku i Ali Petritit i cili doli nga Shqipëria bashkë me grupin Uillou raporton se në zonë nuk ka rezistencë të organizuar por vetëm disa elementë anti-komunistë te të cilët mund të mbështetemi për asistencë ndaj grupeve që operojnë në atë zonë.

Popullata është e bindur se regjimi mund të përmbyset me ndihmë nga jashtë. Petriti deklaroi se njerëzit nuk kanë besim te grekët e te jugosllavët prej pretendimeve të tyre territoriale, por besojnë se SHBA do të ruajë kufijtë e vendit. Popullata nuk beson te propaganda komuniste se BRSS po e ndihmon Shqipërinë. Petriti tha se leku është e vetmja valutë në qarkullim dhe se mbajtja e monedha të floririt është e rrezikshme prandaj mbahet sekret. Në të gjithë Shqipërinë ka mundesh të theksuar ushqimi dhe shumë besojnë se ushqimi shkon në Rusi.

Konkluzione

Jemi informuar se situata e lekëve shqiptare është e vështirë dhe se megjithë përpjekjet e kolegëve nuk kemi gjetur zgjidhjen. Grupet raportojnë se Lekët janë thelbësore për suksesin e misioneve dhe ne ndihemi në siklet kur raportojmë se nuk mund ta plotësojmë këtë nevojë. Do të vazhdojmë punën për riorganizimin dhe zgjerimin e Komietit Shqipëria e Lirë dhe parandalimit të tërheqjes së asnjë partie prej tij. Jemi duke studiuar dhe vlerësuar qëllimet jugosllave në Shqipëri me synim arritjen e njëfarë marrëveshjeje me ta në të ardhmen.

Strategjia e operacioneve

Deri tani nuk ka programe të “Zërit të Amerikës” që mund të dëgjohen në Shqipëri, por kjo është diçka e nevojshme dhe duhet të realizohet menjëherë. Është e nevojshme të rrënjosim dhe të zhvillojmë te populli shqiptar mendësinë se ata janë jashtë botës demokratike vetëm përkohësisht dhe se bota e njeh të drejtën e tyre për ekzistencë të pavarur dhe se ka simpati për katastrofën që e ka pllakosur vendin që prej vitit 1939. Përvjetori i dhjetë i pushimit fashist do të ishte një datë e përshtatshme e nisjes së transmetimeve shqiptare të Zërit të Amerikës. Më vonë tekstet e tyre mund të përdoren dhe nga radio Selaniku e radio Athina.

Një vit më parë u hartua plani për Radio Selanikun dhe verën e shkuar u dërguan pajisjet nga Italia në Greqi. Por përgatitjet kanë ndaluar pasi kur arritën pakot e pajisjeve me emrin në kod “Dora” autoritetet refuzuan kalimin e tyre. Me sa duket një punonjëse e re e konsullatës sonë në Senanik quhet Dora dhe priste t’i vinin disa sende personale nga SHBA. Kështu që kur erdhën kullat e dinamor e radios me emrin Dora zyrtarët e doganave u habitën dhe kërkonin informacione të detajuara për të lejuar kalimin e tyre. Dërgesa u vonua disa muaj deri autoritetet kuptuan se “Dora ishte një emër në kod për një projekt qeveritar dhe nuk kishin lidhje me punonjësen e re amerikane.

Është zgjedhur toka e përshtatshme dhe arkitekti i qendrës së transmetimit. Disa vonesa të tjera administrative pasuan por pengesa kryesore ka qenë një “Moratorium për ndërtimin e stacioneve radio në Selanik” për të cilin nuk kemi marrë ende përjashtim. Vendasit kërkojnë që ne të sjellim pajisjet teknike dhe të ruajmë pronësinë, ndërsa grekët të furnizojnë me materialet dhe shërbimet lokale. Një komitet i përbashkët greko-amerikan do të operojë stacionin pas një periudhë fillestare testimi. SHBA do të ketë kontrollin e përmbajtjes së programeve. Me sa kuptojmë pengesa e nënshkrimit nga ministri i financave vjen pasi ata dëshirojnë që pajisjet të mbeten pronë e qeverisë greke pas përdorimit të stacionit. Ambasadori është interesuar për projektin dhe shpresojmë që marrëveshja të arrihet së shpejti dhe stacioni të nisë transmetimet brenda katër muajve.

(Kosova Sot)